E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rishfaqja në skenë e Prodit shkakton reagime te 'qendra e majtë'



Romano Prodi sqaron se nuk ka asnjë qëllim për t'iu rikthyer politikës, një ditë pas rikthimit të tij dhe daljes në publik në një emision televiziv, duke shuar kureshtjen e shumëkujt me shpjegimet që dha për gjithçka që gjykon se ka ndodhur me "qendrën e majtë" në këto 18 muajt e fundit. Ish-kryeministri flet edhe për zhvillimet në Afrikë dhe G 8-ën, dhe bën me dije se së shpejti do të bëjë një vizitë përtej oqeanit: "Kursi im politik është i mbyllur, - u shpreh Prodi. - Së shpejti nisem për në Amerikë, do të kthehem në fund të muajit dhe do të nis të jap leksione. Një njeri që do të merret me politikë, nuk vepron në mënyrë të tillë. Duke kryer rinovimin e teserës partiake, kam dëshmuar detyrimin si një qytetar, asgjë më tepër".

Por nuk mjafton një qëndrim i tillë i Prodit për t'u vënë kapakun polemikave që shkaktuan fjalët e tij për Veltronin, kur qeveria e kryesuar nga Prodi u rrëzua e bashkë me të "Unioni" dhe aleanca e tij e dështuar. Në horizontin e së shkuarës dhe të ardhmes politike, llogaritë duken ende të hapura dhe janë ende të pranishme nyjet që duhen zgjidhur në muajt në vazhdim, derisa të arrijë dita e kongresit (në vjeshtë). "Nuk më duket një 'rikthim i bujshëm" ky i Prodit, vetëm e vetëm se hodhi firmën në teserën partiake", - komenton me një gjuhë të thatë Masimo Kaçari në të përditshmen online Affaritaliani. it:, ndërsa kryetari i Mashkisë së Venecias e konsideron rikthimin e Prodit si një 'masë amorfe' apo trup pa formë. “Këto nuk janë vlerësimet e mia personale, por vlerësime të vetë Prodit, edhe pse këto ide nuk përkrahen nga shumica e partisë”.

Masimo D'Alema e shfrytëzon këtë 'rikthim' si një rast për të dalë më në fokus se të tjerët, duke falënderuar Prodin për marrjen e teserës partiake si "një veprim që ka vlera politike", por u shmanget komenteve të tepërta rreth atyre zhvillimeve që ndodhën në të shkuarën e afërt. "E ka bërë Prodi këtë reagim. Nëse do ta kisha bërë unë, do të isha sulmuar ashpër. Jemi duke punuar në një klimë paqësore", - saktëson D'Alema, që në fund të fundit, të lë të kuptosh se nuk mendon shumë ndryshe. Ndërsa 'dalemasja' Livia Turko, bën 'me culpa': "Besoj se Partia Demokrate nuk mund të qeverisë e vetme, "Ulliri" ka qenë një lëvizje politike, me të cilën u qeveris vendi. Edhe unë ndaj të njëjtin mendim me të tjerët 'për daljen më vete' (në zgjedhje - shën. im), sepse në atë çast, nuk mund të bënim aspak ndryshe, por gjithsesi, aspirata nuk është kurrsesi një zgjidhje e mirëfilltë politike".

Në krah të Prodit rreshtohet edhe Renco Luseti, një mbështetës i flaktë i Rutelit kur shprehet se nga gabimet e bëra nga Veltroni është se shpalli që partia e tij do të dilte e vetme, kur ende nuk ishte shfaqur në horizont kriza e koalicionit; dhe me qëndrimin e tij Veltroni dobësoi së tepërmi qeverisjen e Kryeministrit Romano Prodi; Pierluixhi Kastanjeti e fton ish-Kryeministrin të rindërtojë koalicionin, por kësaj radhe 'një formacion homogjen' për të parë drejt së ardhmes dhe duke mos mbetur peng i së shkuarës. Në pozicion të kundërt, Enco Karra, i rrjetit të studimeve të radiotelevizive, thumbon Prodin, duke u shprehur se duhet të heqë dorë nga ideja e tij fikse e një komploti me përmasa gjigande në dëm të tij. Dështimi i qeverisë së Romanos ka pasur shumë arsye dhe Veltroni nuk është arsyeja e vetme. Një tjetër veltronian, Valter Verini, kërkon të japë edhe ai qëndrimin e tij duke qenë i mendimit se qeveria e Prodit ishte me të vërtetë për të ardhur keq e për më tepër, kishte mungesa të theksuara serioziteti, sepse përpara se çështja “Veltroni” të dilte në skenë, jeta politike e 'Unionit' kishte rënë në apati. Dhe ishte Bertinoti, shumë kohë përpara Veltronit, që u shpreh se qeverisja e Prodit ishte 'një sipërmarrje e dështuar'. Ndërsa në mbrojtje të Veltronit del edhe ulivisti (përkrahës i "Ullirit" të Prodit - shën. im) i cili shprehet se paradoksalisht po më mbetet mua të mbroj Veltronin, në një kohë kur kam qenë kundërshtari i drejtpërdrejtë i tij, në një kohë kur të gjithë sot i janë hedhur në fyt për ta bërë 'kurban'. Po ju sjell në kujtesë se ishin të gjithë ata, vërtet të gjithë ata që i dilnin garant në lëvizjet e tij të gabuara dhe dështake, që sot distancohen më tepër prej tij.

Gjithsesi, fjalët e Prodit pa dyshim që u kanë shkuar më për shtat aleatëve të mundshëm në të ardhmen. Akile Oketo e Niki Vendola i kanë aprovuar sa hap e mbyll sytë dhe janë fokusuar në ngritjen e një koalicioni dhe për "Ullirin" e zgjeruar. Ndërsa për liderin e 'Komunistëve të rithemeluar', Paolo Ferrero, koalicioni i qendrës së majtë italiane dështoi për arsye më thelbësore, sepse nuk ishte e aftë t'u jepte zgjidhje halleve dhe problemeve të vendit.

"Corriere della Sera"

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›