Operacioni; Dyshohet për vrasjen e Ndojës në Angli, arrestohet Taulant Çefa
Akuzohet për një vrasje të kryer 8 vjet më parë. Policia e Shkodrës vë në pranga shtetasin Taulant Çefa, 33 vjeç, i akuzuar për veprën penale “vrasje me dashje” në bashkëpunim. Arrestimi i tij u realizua nga uniformat blu rreth orës 03:00 të mëngjesit të djeshëm, duke ekzekutuar urdhrin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, e cila i kishte kërkuar gjykatës caktimin e masës “arrest me burg” për këtë shtetas. Sipas burimeve zyrtare policore, Taulant Çefa, vjeç 33, lindur e banues ne lagjen “Kongresi i Përmetit”, Shkodër, u arrestua pasi dyshohet të jetë autor i vrasjes së shtetasit Florjan Ndoja. Ngjarja, sipas burimeve, ka ndodhur tetë vjet më parë në Londër, Angli, përkatësisht në 25.10.2000, ku si pasojë ka mbetur i vdekur shtetasi Ndoja. I arrestuari ka qenë person i shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Shkodër me shkresë dt. 14.06.2008 dhe si rezultat i një operacioni të mirorganizuar nga efektivat e këtij komisariati, brenda pak orëve, në lagjen “Kongresi i Përmetit”, u bë e mundur kapja e tij. Ndaj tij është marrë në mungesë masa e arrestit “burg pa afat”. Materialet ne ngarkim të shtetasit Taulant Çefa iu dërguan Prokurorisë së Rrethit, për veprën penale të “Vrasjes me dashje në bashkëpunim”.