E Diel, 1 Nëntor 2026

Në Durrës; Ndalohen pesë klandestinë për në Itali

Pesë persona të cilët kanë tentuar të kalojnë në mënyrë klandestine në Itali me dokumente të falsifikuara janë vënë nën hetim nga policia e Durrësit. Lajmi është bërë i ditur dje nga burime të policisë lokale, sipas të cilave, mësohet se nisi procedimin penal në gjendje të lirë për veprën penale të “falsifikimit të letërnjoftimeve, pasaportave apo vizave”, ndaj 25-vjeçarit Elbasan Morina, lindur në Ferizaj e banues në Greme të komunës Ferizaj në Kosovë. Sipas policisë, i riu kosovar u kap në flagrancë nga shërbimet e Policisë Kufitare në port, duke tentuar të kalojë kufirin në mënyrë të kundraligjshme në drejtim të Barit, Itali, me një pasaportë zvicerane me gjeneralitete të një shtetasi tjetër, duke shfrytëzuar ngjashmërinë që kishte me të. Ndërkohë, një tjetër kosovar është lokalizuar dhe ndaj tij ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë, për veprën penale të “falsifikimit të vulave, stampave apo formularëve”. Afrim Kabashi, 36-vjeçar, lindur e banues në Sallograzhdë, komuna Suharekë e Kosovës, është arrestuar në kushtet e flagrancës nga Policia Kufitare në port, duke tentuar të kalojë kufirin në mënyrë të paligjshme në drejtim të Barit, Itali, duke përdorur një leje qëndrimi zvicerane me gjeneralitete të tijat, e cila dyshohet se është e falsifikuar. Policia ka bërë të ditur gjithashtu se Astrit Bunjaku, 20-vjeçar i lindur e banues ne Shkup të ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, është kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë Kufitare, duke tentuar të kaloje kufirin në mënyrë të paligjshme në drejtim të Barit, Itali, duke përdorur një pasaporte, një karte identiteti dhe një leje drejtimi bullgare, me gjeneralitete të një shtetasi tjetër, të cilat dyshohet të jenë të falsifikuara.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›