E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Alberta”, kapen 6 bashkëpunëtorë të trafikut të pistoletave

Një ditë pas finalizimit të operacionit të koduar “Alberta” në qytetin e Gramshit ku në pranga u vunë pesë persona me 15 pistoleta, policia e Kosovës ka bërë të mundur identifikimin dhe arrestimin edhe të gjashtë anëtarëve të tjerë të grupit. Lajmi është konfirmuar gjatë ditës së djeshme nga policia kosovare, sipas së cilës, me sa duket një nga bashkëpunëtorët e grupit u ka shpëtuar prangave, por është diktuar në pikën kufitare të Qafë-Morinit. Sipas policisë, në pranga është vënë Adem Berisha nga Kolovica, Kosovë, i cili ka tentuar të hyjë në Kosovë nga Shqipëria. Atij i janë gjetur dhe konfiskuar një sasi e parave, që besohet nga shitja e armatimit. Policia e Kosovës tha se gjithçka është bënë në bashkëpunim të ngushtë me policinë shqiptare, ku vetëm gjatë 24 orëve të fundit pas dyshimeve se armët kishin hyrë nga territori kosovar, shërbimet e forcave të policisë së këtij vendit kanë kryer gjashtë kontrolle të ndryshme në rajonin e Prishtinës dhe kanë arrestuar 6 shtetas kosovarë.

Duke mos bërë të ditur emrat e të arrestuarve për arsye se operacioni nuk ka mbaruar ende, zëdhënësi i policisë, Arbër Beka, ka bërë të ditur se janë kryer kontrolle të imtësishme në Kolovicë të Prishtinës, në Podujevë, Bardhosh dhe Vranjevc, me ç'rast është gjetur edhe një sasi e fishekëve dhe eksplozivit të tipit “tritol”.

Vetëm dy ditë më parë, policia e shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda do të sekuestronte një arsenal të vërtetë municionesh luftarake, ndërsa në pranga janë vënë pesë pjesëtarë të një grupi që merrej prej kohësh me trafikun e armëve dhe municioneve luftarake. Lajmi është konfirmuar një ditë më parë nga të dhëna zyrtare të policisë, sipas së cilës, në vijim të luftës kundër krimit të organizuar, nga ana e Drejtorisë së Luftës Kundër Krimit të Organizuar në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, u finalizua me sukses operacioni i koduar “Alberta”, me arrestimin e pesë personave dhe sekuestrimin e 15 pistoletave dhe një sasie të konsiderueshme municionesh.

Operacioni ka nisur që në orët e vona të mbrëmjes së të shtunës, duke u finalizuar në orët e para të mëngjesit të së dielës me arrestimin e Mustafa Gashit, 46 vjeç, nga Fushë-Kruja, Edmond Kajos, 40 vjeç, nga Berati, Marius Budës, 26 vjeç, banues në Tiranë, Florenc Mezinit, 31 vjeç, nga Berati, si dhe Nertil Fejzullahut, 25 vjeç, banues në Tiranë. Policia tha se pas disa muaj hetimesh, ndërhyrja është bërë në qytetin e Gramshit në momentin e shkëmbimit të armëve, ndërsa në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 15 pistoleta “Miniblow” e “Zastava”, 120 copë fishekë, 7 aparate telefoni celularë, si dhe 2 automjete. Burime nga policia thanë se tashmë po punohet për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë në trafik, si dhe për destinacionin e pistoletave, ndërsa dyshohet se armët mund të jenë futur nga Kosova.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›