Dhoma Kombëtare e Avokatisë reagon ndaj dhunës së ushtruar mbi avokatin Aliko
Dhoma Kombëtare e Avokatisë së Shqipërisë ka reaguar ashpër ndaj ngjarjes së 5 shtatorit kur një grup punonjësish të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër, të armatosur dhe me maska, kanë ushtruar dhunë psikike në publik ndaj avokatit Bernard Aliko. Në një letër drejtuar institucioneve më të larta të vendit, Dhoma e Avokatëve ka kërkuar marrjen e masave ndaj autorëve të dhunës së avokatit Aliko, njëkohësisht sekretar i Dhomës të Avokatëve në Gjirokastër dhe njëkohësisht anëtar i Këshillit Drejtues të Dhomës Kombëtare të Avokatëve të Shqipërisë. Në deklaratën e avokatëve thuhet se Bernard Alikos i janë vënë prangat pa asnjë shkak ligjor dhe pa prezantuar asnjë arsye ligjore, duke e shoqëruar këtë veprim, i cili ka zgjatur rreth 15 minuta, me anën e një represioni të pashembullt nga ana e këtyre punonjësve të policisë. Duke shpjeguar të gjithë ngjarjen në fjalë, Dhoma e Avokatëve shpjegon se me gjithë reagimin e kolegëve të tyre në Gjirokastër, sërish drejtuesit e policisë së Gjirokastrës nuk kanë reaguar. Për pasojë, shprehen në letrën e tyre, Dhoma e Avokatëve u ka kërkuar institucioneve më të larta të marrin masa ose ndryshe do të bojkotojnë të gjithë veprimtarinë e tyre në gjykata, që lidhet me fushën e mbrojtjes dhe asistencën ligjore. Një veprim i tillë deri tani është ndërmarrë vetëm nga avokatët e Gjirokastrës.