E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në Elbasan spektakël dhe gola

• Janë përcaktuar dje ekipet që do të luajnë në turin çerekfinal të Kupës së Shqipërisë, teksa takimi më i rëndësishëm ka qenë padyshim derbi Elbasani-Shkumbini, që duhet thënë se i ka pasur të gjithë brenda.Fatjon Kodra Emocione të mëdha në “Ruzhdi Bizhuta” në fitoren madhështore 3-0 të Elbasanit në 120 minuta lojë, që solli edhe përmbysjen e madhe të verdhebluve të Krenar Alimehmetit (doli me karton të kuq) ndaj Shkumbinit, që jo vetëm kishte fituar dy javë më parë 2-0 në Peqin, por edhe që e kishte mposhtur dy herë rresht brenda 10 ditëve 2 herë fituesit e Kupës së Shqipërisë. Në një stadium entuziast (rreth 6 mijë shikues, 2 mijë nga Peqin) dhe të paralajmëruar nga presidenti Arben Laze për përjashtim të lojtarëve titullarë, në prani të forcave të shumta policore (rreth 300 punonjës të rendit) takimi pati një ritëm të lartë. Nuk ka ku të shkojë më mirë e më bukur për ekipin e Elbasanit, që tashmë është kualifikuar për në turin tjetër të Kupës së Shqipërisë falë fitores me rezultatin 3-0 të arritur dje në stadiumin e tij “Ruzhdi Bizhuta” ndaj Shkumbinit të Peqinit. I gjithë takimi është zhvilluar në një presion të jashtëzakonshëm të vendasve, të cilët që në fillim e nisin mjaft mirë duke treguar se kësaj radhe e kanë seriozisht. Ndërsa situata krejt ndryshe ka qenë e pranishme në shkallët e stadiumit ku dy tifozeritë respektive kanë degjeneruar në disa raste, duke sharë njëra-tjetrën. Gjithsesi dhe jashtë fushës gjithçka ka qenë nën kontrollin e forcave të policisë, të cilat dje gjatë 120 minutave të këtij takimi kanë marrë pa dyshim notën 10. Loja e djeshme ka qenë një spektakël i vërtetë me një Elbasan të plotfuqishëm si asnjëherë tjetër në fushën e lojës. Deri në fund loja ka qenë e dominuar nga vendasit, të cilët e kanë pritur duke brohoritur vërshëllimën e fundit të Çekajt.Takimet e tjera Tirana nuk e pati aspak të vështirë kalimin në tetë më të mirat e edicionit të 56-të të Kupës së Shqipërisë duke arritur një fitore 3-1 me Laçin (takimi i parë: 1-1). Golat për bardheblutë u shënuan në minutën e 14-të nga Fortuzi, në ’19 Xhafaj dhe në ’59 nga Hyka, ndërsa për laçianët shënoi Shazivari në minutën e 17-të. Tirana, 13-herë fituese e Kupës së Shqipërisë do të përballet në turin e tretë me Kastriotin, që nga ana e tij eliminoi Flamurtarin (1-0, 1-1) në fushën asnjanëse “Tofik Jashari” në Shijak. Mjaftoi një gol i Abazajt për krutanët që të firmosnin kalimin e këtij turi. Partizani shënoi pesë gola në portën e Skënderbeut, duke mos hasur asnjë pengesë për të përmbysur humbjen 1-0 në Korçë dhe duke mos e vënë asnjëherë në dyshim kualifikimin. Spikati Bakaj me një dopietë, ndërkohë që golat e tjerë u shënuan nga Abilaliaj, Osmani dhe Malindi. Në çerekfinale të kuqtë do të përballen me Dinamo, që nuk u shfaq shuam e sigurt me Apoloninë, duke barazuar 3-3. Takimi i parë në Fier u fitua nga blutë 1-0 me gol të Pejiçit. Të veçanta- Në stadium binte në sy prania e një numri të madh forcash policore, të cilat sigurisht dje kishin marrë të gjitha masat për mbarëvajtjen e këtij takimi. - Situata ka degjeneruar në disa momente, por ka qenë vendimtare ndërhyrja e policisë që çdo gjë të mos precipitonte për më keq, por të neutralizohej në kohë. - Të gjitha ofendimet që janë bërë nga dy tifozeritë janë filmuar nga një oficer i policisë, i cili me një staf të drejtorisë së policisë, do t’i ndjekë më pas me kujdes pamjet filmike.- Asistenti i gjyqtarit kryesor Engjëll Pjetrushi është goditur me gurë nga tifozët gjatë takimit në momentin e shënimit të golit të dytë. - Për t’iu shmangur ndonjë situate polica ka vepruar mirë pas përfundimit të ndeshjes, duke mos lënë askënd që të hyjë në ambientet e brendshme të stadiumit “Ruzhdi Bizhuta”. Në dhomat e zhveshjeve kanë qenë vetëm drejtuesit e klubeve dhe 15 policë të forcave speciale.deklaratat e trajnereveKrenar Alimehmeti (Trajneri i Elbasanit)“Kjo nuk ishte fitorja ime, por fitorja e presidentit Laze dhe e tifozerisë së Elbasanit, e cila sigurisht dje është ndjerë njësoj sikur është shpallur kampion për të tretën herë në historinë e klubit verdheblu”. Mirel Josa (Trajneri i Vllaznisë)“Me përjashtim të faktit që u kualifikuam, ky takim nuk pati asgjë të mirë për ne. Zhvilluam lojë të dobët dhe për rrjedhojë s’u shfaqëm ashtu siç duhet. Madje në pjesën e parë loja jonë la shumë për të dëshiruar ndërsa në pjesën e dytë riparuam diçka”.Sulejman Mema (Trajneri i Tiranës)“Ndeshja ishte shumë e vështirë, pasi skuadra e nënvlerësoi shumë kundërshtarin, lojtarët s’e morën shumë seriozisht sa duhej lojën. Kjo u duk në pjesën e parë, gjithsesi më kënaqi rezultati dhe ajo që është më e rëndësishmja është që u kualifikuam”. Stavri Nica (Trajneri i Laçit)“Luajtëm përballë një kundërshtari shumë të fortë dhe nuk mund të pretendonim më shumë. Skuadra dha maksimumin dhe zhvilloi një nga ndeshjet më të mira të saj”.Gentian Begeja (Zv/trajneri i Teutës)“Kupa është synimi kryesor i Teutës dhe rezultati 4-0 tregon se tashmë i kemi bërë të qarta objektivat tona në këtë drejtim. Kjo fitore na bën më optimist teksa ndodhemi përballë një ndeshje shumë të vështirë siç është ajo e Vlorës”. Vasil Bici (Trajneri i Kastriotit)“Ishte një ndeshje që e kishim vlerësuar maksimalisht kundrejt një Flamurtari që u duk mjaft i rrezikshëm në pjesën e parë, por futbollistët e mi në këtë takim zhvilluan një lojë tepër të kujdesshme duke u bazuar te kundërsulmet”.Ilir Daja (Trajneri i Dinamos)“Jam i kënaqur me lojën e shfaqur nga skuadra, mbasi mbrojtën mirë dhe manovrat sulmuese ishin të realizuar ashtu siç i kërkonim. Jam mjaft i kënaqur, pasi ishim të orientuar dhe kjo ka rëndësi. Në fushë kishte shumë ekuilibër nga lojtarët e mi”. Gert Haxhiaj (Trajneri i Apolonisë)“Objektivi ynë është kampionati dhe kjo u pa edhe në formacionin e hedhur në fushë për të ndeshur me blutë. Jam i kënaqur nga rezultati. Objektivat tona janë të tjera dhe mosarritja e kualifikimit nuk na mërzit edhe aq shumë”. Kupa e Shqipërisë Turi i 1/8                                          27 shkurt  Tirana – Laçi             3-1    (1-1)Fortuzi 14’, D. Xhafaj 19’, Hyka 60’ / Shazivari 17’Partizani – Skënderbeu    5-0    (0-1)Abilaliaj 5’, Osmani 28’, Bakaj 43’, 57’, Malindi 90’Kastrioti - Flamurtari     1-0    (1-1)Abazaj 44’Vllaznia - Besëlidhja          0-0     (1-0)Dinamo - Apolonia            3-3    (1-0)Poçi 16’, Diop 21’, Pollozhani 88’/ Gërxho 66’, Xhunior 76’, Meto 90’Elbasani - Shkumbini           3-0    (0-2)E. Dalipi 31’, Arb. Nuhii 77, Karçev 107’Besa - Luftëtari                   2-0    (1-1)Roshi 4’, Xhihani 61’Teuta - Turbina                   4-0    (0-0)Gega 45’, Kotja 57’, Ahmeti 82’, Mile 87’*Në kllapa janë rezultatet e ndeshjeve të para  Turi çerekfinal5 mars Kastrioti - TiranaElbasani - TeutaBesa - VllazniaDinamo - Partizani * Ndeshjet e kthimit do të luhen më 19 mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›