E Diel, 1 Nëntor 2026

Në Fier, një grua në ditë bën ankesë se e rreh burri në shtëpi

27/07/2011  Psikologët: Shkaku kryesor, kushtet ekonomike dhe mungesa e komunikimit

FIER- Së fundmi janë shtuar në maksimum rastet e dhunës familjare në Fier, ku vetëm gjatë këtij muaji janë regjistruar 30 ankimime dhe denoncime për dhunë sistematike nga ana e bashkëshortëve kundër bashkëshorteve në këtë seksion. Burime nga policia bëjnë të ditur se edhe si 6-mujor shifrat janë alarmante. Janë mbi 130 denoncime këtë 6-mujor të parë të vitit, me të gjitha elementet e mirëfillta të dhunës së ushtruar nga burrat kundër bashkëshorteve. Gratë kanë qenë denoncueset e këtij fenomeni, të cilat kanë kërkuar edhe ndihmën e uniformave blu dhe të organeve kompetente. Policia, pasi është njohur me këto fakte i ka kërkuar gjykatës hapjen procesit për elementët dhunues. Ajo që bie në sy është se numrin më të madh të rasteve të dhunës e kanë familjet me origjinë nga zonat rurale. Sistemimi i tyre në qytet dhe mospërshtatja e tyre me jetën komunitare, si dhe problemet ekonomike kanë sjellë rastet e dhunës, e cila përveç elementit të rrahjes së personit kanë brenda tyre edhe dhunën psikologjike. Sipas psikologëve të Fierit mësohet se rastet e shtimit të dhunës në familje vijnë për shkak të problemeve ekonomike dhe krizës së familjeve shqiptare, e cila në themel të saj ka kushtet ekonomike, mungesën e kulturës qytetare dhe emigracionin. “Shkaku kryesor që çon në dhunën dhe shtrimin e fenomenit të saj është mungesa e një ekonomie të qëndrueshme”,- thotë psikologia Sonila Banushi. Më tej ajo shton se “Kjo çon në një stres të vazhdueshëm brenda familjes, duke mos pasur mundësi të përballojnë kushtet e jetesës dhe nevojat që ka një familje, atëherë bashkëshortët krijojnë konflikte me njëri-tjetrin dhe çojnë drejt dhunës. Gjithashtu edhe mungesa e komunikimit midis çifteve, si dhe mungesa e një raporti të vazhdueshëm bisedimesh çojnë në një dhunë familjare. Komunikimi mes një çifti është mënyra më e mirë për të përballuar problemet brenda familjes. Gjithsesi e nevojshme është edhe niveli i punësimit. Duke pasur një mundësi të mirë ekonomike, edhe problemet dhe konfliktet brenda familjes zbuten, pasi mënyra e jetesës përballohet më me lehtësi”. A.Damini

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›