Në Gjermani dominon Pedroza, Vale Rosi është i frikshëm
Specialisti i Zaksenringut nuk fal. Daniel Pedroza konfirmon lidhjen e fortë me pistën gjermane dhe shënon fitoren e dytë sezonale në Botërorin e MotoGP-së, të katërtën në karrierën e tij në këtë pistë (dy me 250cc dhe dy në klasin mbretëreshë). Një garë shumë e bukur, emocionuese dhe sigurisht e karakterizuar nga rikthimi në pistë i Valentino Rosit, 40 ditë pas incidentit që i shkaktoi një frakturë të rëndë në këmbë në pistën e Muxhelos. Nisje shumë e mirë për Pedrozën, i cili shkëputet së bashku me Lorencon, ndërsa Rosi, i nisur nga vendi i pestë, ngadalësohet nga trafiku. Por në xhiron e nëntë, komisarët e pistës janë të detyruar të nxjerrin flamurin e kuq, pas incidentit të shëmtuar që përfshiu Bautistë, Espargaron dhe të shkretin De Punie. Në fakt, francezi pësoi edhe një dëmtim. Sigurisht që u pezullua gara, por nisja e re shikon protagonistë të njëjtët pilotë. Pedroza e Lorenco bëjnë ligjin, ndërsa Stoner kërkon të rezistojë ndaj Doviçios, i cili është shumë i shpejtë. Ndërsa Rosi arrin të lërë pas Dovin dhe nis gjuetinë e australianit, edhe pse është të paktën 2 sekonda pas tij. Mbresëlënëse, vërtet e pabesueshme, grinta me të cilën “Doktori” vazhdon të garojë në të njëjtën kohë me Pedrozën dhe Lorencon, duke mundur të reduktojë kohën e distancës nga Stoner. Në luftën mes të dyve, ai që mundet të përfitojë është Pedroza, i pakapshëm dhe i një tjetër niveli në asfaltin gjerman, ndërsa Lorenco, për një herë të vetme, kënaqet edhe me vendin e dytë, duke mundur të çojë në shtëpi 20 pikë të çmuara për titullin kampion bote. Në finale është dueli mes Stonerit dhe Rosit ai që ndez garën. Një luftë gati reale, i cila na ktheu disa sezone prapa, kur të dy duelonin për titullin. Parakalimi, kundërparakalime, shkëputje dhe rikuperime, të cilat kanë mrekulluar publikun gjerman, por edhe të gjithë të dashuruarit pas këtij sporti, që qëndronin para televizorit. Në fund del në pah një Stoner (që e ka rigjetur veten), i cili e ka befasuar “Doktorin” në kthesën e fundit, duke arritur të renditet i treti, vend i cili kompleton edhe podin e fituesve. Fenomeni italian e pret finishin i zhgënjyer dhe i mërzitur, gjë që nxori në pah karakterin, grintën dhe pasionin e tij për dyrrotëshin.
#