Në Korçë mbahen ende bllokuar paratë e investimeve
Komunat vazhdojnë të kenë ende të bllokuara buxhetet e tyre, që kanë paralizuar punën në këto institucione dhe njëkohësisht kryerjen e investimeve. Disa komuna në Juglindje të vendit dhe Bashkia e Maliqit janë përfshirë nga kolapsi dhe kanë mbetur pezull, pasi nuk mund të kryejnë asnjë veprim financiar për sa kohë që nuk mund të tërheqin buxhetin nga dega e thesarit. Për të paktën dy muaj, këto njësi vendore nuk kanë mundur të tërheqin lekët që kanë miratuar për vitin 2010 në buxhetet e tyre, edhe pse nuk kanë munguar tratativat për zhbllokimin e situatës. Sipas të dhënave nga komunat, këto mund të tërheqin pagat e administratës dhe të kryejnë veprimet për pagesën e energjisë elektrike dhe të sigurimeve shoqërore, ndërkohë që nuk mund të kryejnë asnjë veprim me lekët që kanë miratuar në lidhje me investimet, shpenzimet apo blerjet të cilat janë pezulluar me një vendim të ministrisë nga varen këto njësi. Kryetari i Komunës së Pojanit, Vasillaq Cinoku, thotë se ka pasur disa herë tratativa për zhbllokimin e kësaj situate, por pa rezultat. E njëjta situatë është edhe për Komunën e Libonikut dhe Bashkinë e Maliqit. Kreu i Bashkisë së Maliqit, Gëzim Topçiu, thotë se në rang qarku duhet të ketë edhe shumë komuna të tjera që i kanë të bllokuara buxhetet, por të cilat nuk kanë shprehur ende ankesat pranë prefekturës dhe ministrisë, ndërkohë që kjo situatë ka ndodhur në të gjitha qarqet e vendit me komunat të cilave ju faturohet energjia për ujësjellësit.
#