E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pushimet, si të gjuajmë ofertat e lira

Agjencitë turistike ofrojnë paketa më të lira për muajt qershor dhe shtator

Kriza, të ardhurat e pakta, por edhe dëshira e madhe për të kaluar disa ditë pushime, brenda apo jashtë vendit të shtyn për të gjetur zgjidhje të “zgjuara”, por edhe alternative. Kështu për të gjitha çiftet e reja, në moshë, për grupet shoqërore, por edhe të pasionuarit pas udhëtimeve, ka një rrugë të mesme.

Agjencitë turistike këshillojnë që të përcaktohen qartë datat e pushimit dhe mundësisht të prenotohet tri javë apo një muaj përpara datës së nisjes. Në këtë mënyrë të interesuarit mund të përfitojnë ulje çmimi nga 10-25 për qind. Po ashtu, një tjetër mënyrë për të pasur paketën “cilësi, sasi, çmim” është përfitimi nga dy muajt me më pak fluks, qershori dhe shtatori.

Sipas parashikimeve të motit, të dy këto muaj do të jenë favorizues. Ndërsa qershori është pak më problematik për shkak të punës, apo mbylljes së projekteve me rëndësi para sezonit të verës, kur eficienca dhe efektiviteti është pak më i ulët se në muajt e tjerë.

çmime më të lira

Agjencitë turistike sqarojnë se më të zgjuarit, apo ata që mund të përfitojnë më shumë nga ofertat më të mira, janë qytetarët apo të rinjtë e pasionuar pranë lundrimit në internet. Ata, mund të gjejnë aty oferta të çastit të fundit, mund të prenotojnë direkt, pa pasur nevojë të paguajnë edhe përqindjet e agjencive që ofrojnë shërbimin, duke kursyer kështu më shumë.

Po ashtu, agjencitë turistike jashtë Shqipërisë ofrojnë paketa turistike edhe më të lira, por duhet gjetur edhe mënyra për të përfituar nga fluturimet më të lira e të rezervuara më parë dhe jo në minutën e fundit.

Po ashtu, agjencitë në Shqipëri, që kanë ekzluzivitete për vende të caktuara apo resorte të ndryshme, ofrojnë çmime pak më të lira, duke qenë se shpenzimet e udhëtimit mbulohen nga një çarter dhe jo avionë me disa ndalesa e transite.

Përvoja

Shpesh pushimet mund të jenë më të lira, edhe kur shpenzimet ndahen. Kjo do të thotë se në vendin tonë mund të gjenden lehtësisht shtëpi apo ambiente më të mëdha me qira, për 1 javë, 1 fundjavë, 15 ditë apo edhe 1 muaj. Shpesh ambientet me disa dhoma mund të ndahen me persona të tjerë, ashtu siç bëjnë edhe studentët. Por jo vetëm kaq, ata që pëlqejnë intimitetin dhe të qenurit vetëm, mund të prenotojnë për muajin shtator, pasi koha do të jetë e mirë dhe moti do të favorizojë plazhin. Për më shumë hotelet më pak të njohura, më në periferi, por edhe plazhet më pak të populluara, ofrojnë çmime edhe më të lira se konkurrentët e tjerë më “fashion”. Sakaq, çmimet më të lira për këtë sezon pritet të jenë në Jug të vendit, aty ku transferohet çdo të premte i gjithë kryeqyteti.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›