E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në Leshicë me një diversant

Është pasdite në Përmet. Njerëzia sapo ka nisur të mbushë të dy anët e bulevardit. Xhiroja tradicionale e përmetarëve ka nisur pak nga pak të marrë formën e saj të njohur. Ne marrim rrugën për në dalje të qytetit. Atje ku ende është ndërtesa në të cilën komunistët shqiptarë morën zyrtarisht pushtetin më 24 maj 1944. Vetëm pak minuta më pas do të takojmë një kundërshtar të vendosur të tyre, një njeri që duket sikur ka dalë nga faqet e librave dhe që mban një emër tashmë të harruar: diversant.

Vetëm pak minuta e ndajnë Leshicën, fshati drejt të cilit jemi nisur nga Përmeti. Rruga shkon në një fushë të ngushtë në anë të Vjosës, e cila herë na "shoqëron" me gjarpërimin e saj dhe herë të tjera fshihet pas disa shpateve të gjelbëruara. Në një shtëpi të madhe dëgjohet zhurma e punimeve. Një plak i fortë flokëbardhë shfaqet në derë. Është diversanti ynë.

Jeta ime në arrati

Viron Tase është 74 vjeç. Ka lindur në Leshicë. Është fëmija më i vogël nga katër vëllezër e motra. Në fillim e kemi të vështirë të besojmë se kemi përballë një diversant. Po ai e përsërit disa herë vetë: "Po, po kam qenë diversant" dhe pastaj nisë të rrëfejë historinë e tij të trazuar. "Në majin e 1954 u bë një mbledhje këtu në fshat -fillon të flasë ngadalë - qëllimi i komunistëve ishte që të demaskonin, sipas tyre, imperializmin amerikan. Ne, në anët tona, ishim të mësuar me kurbetin, e njihnim mirë se ç‘ishte bota matanë dhe nuk i hanim kollaj këto dokrra, kështu që unë kundërshtova të deleguarit e komunistëve në faqe të gjithë burrave të fshatit. Një ditë më pas më thirrën në degë. E mbaj mend si sot. Ishte Bato Karafili dhe Sulo Gradeci. Më thanë që të mbyllja gojën dhe të rrinja urtë, ndryshe do të më pinte e zeza. Ca kohë më vonë u bë një aksion për mbjelljen e pemëve në Bolëngë. Mbjellja dështoi. Atëherë më akuzuan për sabotim. E ndjeva që po më shtrëngohej laku dhe e ndava mendjen që të arratisesha. Kam ikur nga Poliçani në Pogon".

Vironi ngrihet një copë herë që të mbarojë do punë me ustallarët pastaj kthehet dhe na pyet: Ku e lamë? Ah, po! Atëherë kur kapërceva "sinorin". Kështu e quan ai kufirin, gjatë të gjithë rrëfimit të tij nuk e përmendi asnjëherë fjalën kufi, vetëm sinor, njësoj sikur të përmendte kufijtë e vjetër të arave të fshatit. "Sikurse ju thashë - vazhdon - mora rrugën nga Poliçani për të dalë matanë sinorit. Kisha marrë me vete një pushkë të shkurtër. Patickë i thoshim ne atëherë. Që natën e parë rashë në pritën e kufitarëve. Qëllova në tym me patickën dhe arrita të fshihem. Isha krejt i çorientuar. Ditën e dytë mu duk sikur kisha dalë matanë, por nuk isha krejt i sigurt. Më vonë do të mësoja se kisha dalë në qytezën e Voshtinës. Ishte mëngjes herët. Nuk dija nga të shkoja. Pashë një kishë dhe u nisa për andej. Kur më përshëndeti një kalimtar ‘kalimera‘, atëherë e kuptova se ia kisha dalë mbanë. Ky greku, si mësoi që isha shqiptar, më çoi te një miku i tij që dikur kishte bërë tregti me ne dhe dinte ca fjalë shqip. Ky tregtari vrapoi të thërrasë oficerin grek. E mbaj mend si sot. Ai erdhi nga shtëpia i veshur me pizhame. Kërkova azil politik. Pastaj më kanë mbajtur në Janinë 11 ditë. Pas kësaj kohe, më kanë çuar në Athinë. Këtu pranova që të punoj për ta, me kusht që të më jepej nënshtetësia greke. Kam bërë një kurs ku mësova teknikat e luftës dhe gjërat e tjera që i duhen një diversanti. Si përkthyes punonte një nga Lukova. Pastaj më kanë armatosur me automatik "Steier" austriak. Kisha me vete edhe tymuese dhe tetë bomba. Detyra ime e parë ka qenë që t‘i dorëzoja një letër Stavri Gurit në Përmet.

Kështu e kalova edhe një herë sinorin. Këtë herë në drejtim të kundërt. Në Sheper ndalova në një krua për të mbushur paguren. Më bënë përshtypje dy thasë me çaj dhe një mushkë pa samar në anë të rrugës. Ku të jetë i zoti vallë? Kështu mendova. Me dylbi pashë një ushtar që po shikonte këndej nga unë. Dukej sheshit se çobani, i zoti i mushkës më kishte spiunuar. Më rrethuan nga të katër anët. Nuk kisha rrugë tjetër veçse të futesha në një shpellë. Këtu qëndrova disa orë. Pata fat. Gjeta një dalje të dytë. Kur kam dalë pa bërë zhurmë, kam kaluar krejt afër kokës së një oficeri që e kishte mposhtur gjumi. Mendova një herë ta vras me thikë. Pastaj i vura automatikun në kokë, por mendova se do të bëhej zhurmë e do të më diktonin sërish, kështu që e lashë oficerin të mbaronte gjumin e tij. Kur dola jashtë hodha dy bomba tymuese që ta kisha më të lehtë të ikja, por, për dreq, gazi më turbulloi edhe mua. Mezi kam shpëtuar duke u futur nëpër driza. Një plumb më plagosi". Këtu Vironi e ndërpret për pak kohë rrëfimin e tij. "E shikon këtë shenjën këtu - bën me dorë duke treguar grykën ku duket vërtet një blanë e madhe - këtë shenjë e kam kujtim nga ajo plagosje". "Po familja këtu në Leshicë, ai i vuajti pasojat e arratisjes tuaj?", e pyesim diversantin tonë. "Ky ka qenë një merak i madh i imi për të gjithë kohën që kam qenë andej. Një nga ëndrrat e mia ishte që të vija të merrja tim vëlla dhe ta kaloja edhe atë matanë sinorit. Një herë iu afrova fshatit. Gjëja e parë që bëra ishte t‘i afrohesha koshereve të bletëve. Kishim 24 koshere. Nëse bletët do të ishin në vendin e tyre, atëherë njerëzit e mi duhet të ishin mirë. Familjarët e mi i pashë dhe u qetësova disi. Po sërish më zunë pritë te Qafa e Derrit këtu mbi fshat dhe mezi kam shpëtuar duke u hedhur në lumë. Ende më gjëmojnë në vesh thirrjet: Kapeni diversantin! Kapeni diversantin!".

Jeta e diversantit nga Leshica duket se është qetësuar ca andej nga 1962, kohë në të cilën shkon nga Janina në Gjermani. "Në Gjermani - vazhdon Vironi - kam qëndruar 20 vjet, deri në 1982, kur u ktheva sërish në Janinë te gruaja ime greke. Kam bërë punë të ndryshme, me ekskavator, me transportier, deri edhe me tren. Doni të shihni një çelës treni që e kam akoma? Kam një vajzë 53 vjeçe që është bërë gjyshe. Kam edhe një djalë që shërben në aviacionin ushtarak gjerman. Kjo është me pak fjalë jeta ime". Po pyetjet tona ende nuk kanë sosur. "Pas një largimi kaq të gjatë dhe një jete të re, përse vendose të kthehesh në fshatin nga ku rrezikove aq shumë dikur për të ikur?", e pyesim. Vironi nuk e vonon përgjigjen: "Që kur ika, e dija se do vinte një ditë që do të kthehesha. Asnjë vend tjetër nuk të bëhet dot i yti krejtësisht. Por megjithatë - vë buzën në gaz - sapo erdha në 1991 më mbajtën në burg, duke nisur me pyetjet e vjetra".

Një nazist në fshat

Viron Tase është nazist i bindur. Ndërsa na ka treguar copa nga historia e tij, ka mbajtur mbi kokë kapelen e një oficeri nazist. Për të asgjë nuk ka ndryshuar. Krimet e nazizmit janë të justifikuara. Hitleri ishte një burrë i madh dhe i drejtë. Bota e sotme dhe telashet e saj shpëtojnë vetëm nga një fjalë: nga nazizmi. Është e kotë të bësh debat me nazistin nga Leshica. Si të gjithë nazistët, ai nuk i ka qejf arsyetimet. Ja një pjesë e bisedës me të:

Mbani ende në mur portretin e Hitlerit. A e dini se si e konsideron bota këtë figurë?

"Hitleri ka qenë një njeri i madh, burrë i drejtë dhe i ndershëm. Bota nuk arriti kurrë ta kuptojë. Gabim i madh. Prandaj shkojnë punët kështu si shkojnë sot".

Po a keni dëgjuar për Holokaustin dhe krimet ndaj hebrenjve? Edhe këto ju duken të drejta?

"Mirë ua bënte. Në fund të fundit, ata nuk ishin as kristianë dhe as myslimanë".

Dhe kjo ju duket arsye për të vrarë miliona vetë?

"E thashë një herë. Hitleri ishte burrë i drejtë. Ai e dinte se ç‘bënte".

Ǒmendim keni për racat me ngjyrë. Si duhet të sillemi me to?

"Thjesht t‘i zhdukim. Për çfarë i do?".

Kur dhe përse jeni bërë nazist kaq i bindur?

"Fashist kam qenë që në shkollë. Që asokohe mendoja se ky ishte shpëtimi i botës nga mynxyrat që sajojnë komunistët. Pastaj në Gjermani u njoha më nga afër me nazizmin dhe atij i besoj krejtësisht".

Të le një shije të hidhur takimi me një nazist të bindur, qoftë ky edhe në një fshat të bukur si Leshica. Për ta zbutur disi atë hidhësinë që kemi marrë me vete bëjmë një shëtitje nëpër fshat. Ky, dikur fort i lulëzuar, është tani një grumbull shtëpish të heshtura. Shtëpitë e lëna prej kohësh nga vendasit janë populluar nga familje vllehe. Por edhe në to banojnë sot vetëm të moshuar që presin t‘u vijnë djemtë nga kurbeti. Ecim një copë herë në krah të Kishës së Shën Kollit, Shën Thanasit të rrënuar, shkollës së dikurshme tashmë veçse gërmadhë, shtëpisë së vjetër të Xhillarëve… Na shoqëron Foto, kryeplaku i fshatit. Më në fund duket se zymtësisë i ka ardhur fundi. Kemi takuar Vaskë Currin, këngëtarin e njohur të këngës përmetare. Vaska vjen shpesh në fshatin e tij, ku merret me një kopësht të begatë. Hareja e përmetarit të mirë na bën që, për pak kohë, të harrojmë edhe nazistin plak edhe zymtësinë që krijon braktisja.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›