E Shtunë, 31 Tetor 2026

Parlamenti anglez, nën skandalin e shpenzimeve

Një pyetje u përsërit pa pushim që orët e para të mëngjesit të djeshëm korridoreve të Parlamentit anglez: cila do të jetë viktima e radhës? Si të qe një lotari, mund të dalë gjithçka nga tenxherja gjigante ku po vlon një skandal i cili po përfshin emra nga më të rëndësishmit të politikës angleze. Ajo që i bën të dridhen anëtarët e një prej parlamenteve më të rëndësishëm të botës është një CD e përfunduar në duart e së përditshmes "Daily Telegraph", e cila episod pas episodi po i zbulon publikut se si përfaqësuesit në Dhomën e Komunave i përdornin për motive tërësisht personale fondet e destinuara për rimbursimin e shpenzimeve.

Bëhet fjalë për një sistem dinak të sajuar për të shkarkuar në llogaritë e arkës shtetërore shpenzimet për qejfet personale, kapriçiot e nevojat e përditshme personale të përfaqësuesve të popullit: televizione plazmore, kamxhik për kalin, shatin për bahçen, bojlerin, pastrimin e pishinës, ratën e kredisë, mobiliet e shtëpisë, impiantin sterefonik më të fundit. Dinakë e këmbëngulës. E madje në ndonjë rast edhe përtej caqeve të ndershmërisë. Në atë shkallë sa në lojë ka hyrë edhe shtabi qendror i policisë angleze, Skotland Jardi, i cili bashkë me prokurorët mbretërorë, do të ekzaminojë dokumentacionin e lidhur me këtë temë për të kuptuar nëse është rasti për të hapur një hetim zyrtar për shkelje të dënueshme. Komisioni i posaçëm i krijuar me këtë shkas do të mblidhet për herë të parë javës së ardhshme, ndërkohë që partitë tremben së tepërmi nga ky ortek që po merr përmasat e një skandali të madh.

Laburistët, konservatorët e liberal-demokratët kanë nisur të kërkojnë ndjesë me zë të lartë, por falja, duke gjykuar nga nervozizmi që ka shkaktuar ky skandal në opinionin publik, zor të vijë. Për të qetësuar disi këtë nervozizëm kanë nisur edhe masat e daljes nga kriza. Brenda pak orëve u prenë dy koka, ajo e zëvendësministrit të Drejtësisë, Shalid Malik, dhe ajo e Endrju MekKeit, një prej këshilltarëve më të afërt të liderit konservator, Deivid Kamerun.

I pari, Shalid Malik, i ka ngatërruar në mënyrë të atillë dokumentet që kanë të bëjnë me dy rezidenca të tijat, sa të kërkojë dhe të marrë një rimbursim prej 66.827 sterlinash - shumë më i lartë nga qiraja prej 100 sterlinash në muaj që ka paguar praktikisht, por ç‘është më e keqja shifra është shumë e lartë nga parametrat e tregut të qirave në zonën ku gjenden rezidencat. I ka përdorur ato para për të blerë disa gjëra: një karrige masazhuese për dhimbjen e shpinës dhe një kinema familjare. U dorëhoq, por deklaroi se nuk kishte bërë asnjë veprim të paligjshëm dhe se nuk kishte "arsye të ndihej i turpëruar".

Ndërsa i dyti ka siguruar marrjen e 12 mijë sterlinave në vit nga paratë e taksapaguesve për të mbuluar kredinë e një shtëpie të blerë vetëm dy hapa larg nga ndërtesa e Parlamentit. Gjë që ka zemëruar në kulm liderin e partisë Deivid Kamerun, i cili e largoi menjëherë nga stafi.

Anglezët mendonin se kishin një sistem politik efecient e të ndershëm, por u zgjuan nga gjumi nën një realitet krejt tjetër. Po tregojnë shenja të forta mospajtimi e nervozizmi dhe po kërkojnë dënime. Këtë kërkon edhe kryetari i bashkisë së Midëllsborou, i cili ngre zërin duke përmendur "veprime kriminale". Me të njëjtën gjuhë flet nga "Question Time", një emision tepër i ndjekur, edhe zëvendësministrja laburiste Margaret Beket. Titulli i madh i tabloidit "Daily Mail" thoshte "T‘i nxjerrim para drejtësisë", ndërkohë që në artikullin përkatës bëhej thirrje që parlamentarët të përgjigjeshin për skandalin përpara një gjykate.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›