E Shtunë, 31 Tetor 2026

Praktikimi i torturës në botën e lashtë

Jul Cezari llogariste se në total kishte vrarë 1 192 000 armiq gjatë kohës që qëndroi në pushtet. Ndërkaq, perandorët e tjerë romakë zhvilluan metodat e tyre për të dërguar mes dhimbjeve armiqtë apo tradhtarët, për shembull dihet mirë se perandorit Kaligula i pëlqente të shihte aristokratët teksa ndaheshin më dysh. Mund të tingëllojë disi mizore, por a mund të klasifikohet ky perandor te njerëzit më mizorë të historisë?

Një libër i ri me titull "Extreme Formen von Gewalt in Bild und Text des Altertums" (Dhuna ekstreme në tekstet dhe përshkrimet vizuale të antikitetit) i Martin Zimerman, profesor i historisë së lashtë në Munih të Gjermanisë, hedh një vështrim në llojet e dhunës të përdorura nga mbretër e perandorë të lashtësisë. Konkluzioni? Me Lindjen e Largët, ku gjendeshin shtete të mëdhenj të përbëra nga popullsi me etni të ndryshme, liderët e demonstronin gjithëpushtetshmërinë e tyre duke shpikur tortura të reja e metoda sa më të dhimbshme ekzekutimi - një mënyrë shumë e mirë për të ngulur frikën e terrorin mes nënshtetasve të tyre.

Fundet e llahtarshme

Gjykatësit e Babilonisë ishin veçanërisht entuziastë kur vjen fjala te tortura. Prerja e këmbëve, e duarve, hundëve e buzëve, verbimi, si dhe shumë praktika të ngjashme, ishin të gjitha praktika standard në epokën e lashtësisë.

Por mjeshtrit e brutalitetit duket të kenë qenë asirianët. Gjithashtu gjenden edhe shprehje verbale të mizorisë me të cilën trajtonin armiqtë apo të pabindurit. "Do të ta rrjep lëkurën dhe do ta marr me vete për ta treguar nëpër vendet e tjera", i shkruante dikujt Ashurbanipali, një mbret asirian, i cili mbretëroi në hapësirën kohore të viteve 668 deri 627 Para Krishtit. Ndërsa i biri i tij, trashëgimtari i fronit, pëlqente t‘u hapte barqet kundërshtarëve të vet "sikur të ishin desh të rinj".

"Mbreti ishte më vrastari", shpjegon Andreas Fuks, specialist në studimin e asirianëve. "I takonte vetëm atij të vendoste mbi fatin e viktimave. Aftësia për të marrë vendime kaq ekstreme ishte vetë thelbi i pushtetit personal mbretëror". Tmerri dhe terrori përshkonin raportet që çdo nënshtetas i mbretërisë kishte me monarkun. Siç vërehet, për shembull, në një mesazh që mbreti i dërgon guvernatorit të provincës Kaleh: "700 dengje me kashtë. Në ditën e parë të muajit dhe asnjë ditë më pas. Një ditë vonesë dhe je i vdekur".

Guvernatorët provincialë që nuk bashkëpunonin me zellin e duhur i priste vdekja përmes metodave më të pabesueshme. Rrjepja konsistonte në lidhjen e fatkeqit dhe rrjepjen e pjesës së lëkurës së shpinës. Një tjetër mënyrë e përdorur gjerësisht ishte shkuarja e të dënuarve në hell, gjë që bëhej me kujdes në mënyrë që fatkeqit të mos vdisnin menjëherë. Shumë prej tyre mbijetonin për ditë të tëra. Mjaft prej këtyre skenave gjakatare kryheshin në terrenin e populluar nga armiku i mundur. Artistët i bënë të pavdekshme këto skena përmes gravurave e skulpturave, qëllimi kryesor i të cilave ishte që t‘u shërbenin si mësim të tjerëve.

Qytetet shtete të Greqisë, ndërkaq kishin prirjen t‘i mbanin për vete torturat që përdornin gjatë luftërave të shpeshta mes njëri-tjetrit. Shumë rrallë ndodhte që të pushtonin popuj të tjerë dhe ndoshta është kjo arsyeja për të cilën në monumentet greke ndeshen po kaq rrallë elemente të dhunshme propagandistike.

Në Greqinë e Lashtë rrjedhja e gjakut përshkruhej ndryshe. Te "Iliada" e Homerit, 318 duele të përgjakshme përshkruhen me precizion anatomik: dhëmbët fluturuan matanë, sytë i dolën dhe trutë iu shpërndanë gjithandej. Por edhe realiteti është po kaq i dhunshëm. Tirani Periander i Korintit e goditi aq fort me shqelm të shoqen shtatzënë sa ajo vdiq. Kolegu i tij Falarisi kishte një govatë të bronztë, ku piqte të gjallë armiqtë e kundërshtarët.

Në Romën e Lashtë liderët nuk mjaftoheshin me kryqëzimin. Ndodhte shpesh që të dëbuarit me vdekje të përfundonin të shqyer nga dhëmbët e bishave të egra. Kjo zakonisht bëhej në sytë e turmës, në Kolose. Në thelb ishte demonstrim i pushtetit politik, por i veshur me doza zbavitjeje.

Studiuesit janë përqendruar gjithashtu edhe te metodat në dukje jo tepër mizore të përdorua në Perandorinë Perse. Kanë qenë veçanërisht dy praktika perse, të cilave studiuesit nuk kanë ditur t‘u japinë përgjigje. Sot, me ndihmën e ekspertëve të mjekësisë kriminale nga Këlni, historiani zviceran Bruno Xhekobs mendon se ka arritur ta zbardhë misterin.

Sentenca "hidhini në hi" do të thoshte se i dënuari duhej të qëndronte për ditë me radhë në një dhomë të mbushur me hi. Në një pikë do të binte përdhe nga lodhja, duke bërë kështu që rrugët e frymëmarrjes t‘i mbusheshin me hi. Edhe në rast se ia dilnin të ngriheshin përsëri, mushkëritë u mbusheshin me hi, që gjë sillte asfiksimin e ngadaltë.

Ndërsa dënimi i njohur si "vendosja në vozë" konsistonte në vendosjen e të dënuarit në një vozë të drunjtë, duke i lënë vetëm kokën jashtë. Pas kësaj, ekzekutuesit i lyenin kokat e të dënuarve me qumësht e mjaltë, gjë që tërhiqte një mori insektesh. Gjatë gjithë kohës, viktima ushqehej rregullisht dhe parazitë shfaqeshin edhe brenda në vozë. Nga dokumentet mësohet se një viktimë ka arritur të mbijetojë në këto kushte për 17 ditë.

Por aq sa të largëta dhe rrëqethëse mund të na duken këto metoda ndëshkimi sot, problemi i sanksionimit të torturës prej shteteve në kërkim të përmbushjes së synimeve politike mbetet më se aktual. "Dhuna fizike është aktuale në të gjitha kulturat", përfundohet në librin e mësipërm. "Duke pasur parasysh historinë njerëzore, zor të pritet ndonjë përmirësim".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›