Në Lindjen e Mesme zbulohet një qytet biblik

Tek rrënojat e një metropoli të lashtë në Izraelin jugor, arkeologët janë duke grumbulluar fakte nga një popull që mbahet mend kryesisht si armik në Biblën Hebraike.
Qyteti Gath, ku kanë filluar gërmimet, po i ndihmon studiuesit të krijojnë ide më të qartë për filistinët, të cilët sipas Biblës paraqiten si armiqtë e përhershëm të Izraelit.
Rreth 3 mijë vjet më parë, Gath ishte kufiri mes filistinëve, të cilët pushtuan brigjet fushore të Mesdheut dhe izraelitëve, të cilët kontrollonin kodrat në brendësi.
Banori më i famshëm i qytetit, sipas librit të Samuelit, figurë e njohur e Izraelit të lashtë, ishte Goliathi, luftëtari gjigant, i cili u vra në mënyrë të pabesueshme me llastik nga në djalë i ri bari, i quajtur David.
Aren Majer, profesor në Universitetin Bar Ilan, është arkeologu i ngarkuar me ndjekjen e gërmimeve.
“Tani ndodhemi në Tel e-Safi, një nga qendrat më të lashta të qytetërimit në Izrael. Këtu ndodhen objekte që nga lashtësia, e deri në kohët moderne. Gjatë gërmimeve po përqendrohemi kryesisht në epokat e bronzit dhe të hekurit, gjatë të cilave kanë jetuar kultura të ndryshme si ajo kananite, filistine dhe izraelite”, theksoi Majer.