E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në PS rikthehet kulti i bllokmenëve, për të penguar integrimin e Shqipërisë

Inaugurimet, Berisha në Fushë Krujë


Kryeministri Sali Berisha, ka sulmuar kreu e opozitës, Edi Rama, duke e akuzuar atë se ka rikthyer në Partinë Socialiste, bllokmenët, të cilët përmes një antikulture të rrezikshëm po shkelmojnë vullnetin e lirë të votës së qytetarëve shqiptarë. Kreu i qeverisë ishte dje në Fushë Krujë, në përurimin e një shkolle teksa ka deklaruar se opozita mohon çdo arritje të qeverisë. Shefi i ekzekutivit, vuri në dukje se pavarësisht deklaratave politike dhe aspak të përputhshme me realitetin të opozitës, qeveria do vazhdojë punën e saj, për realizimin e projektit evropian të Shqipërisë. “Sot, në politikën shqiptare po realizojmë përpjekjen e madhe shqiptare, për integrimin evropian, mendimin evropian shqiptar, përpjekjen për ndërtimin e Shqipërisë evropiane, investimet e mëdha, në rrugë, ura, shkolla, kanalizime, spitale, në të gjitha fushat, një ekonomi e cila qëndron jashtë krize dhe përballon me dinjitet pasojat e saj. Por krahas saj, të dashur qytetarë dhe qytetare është rikthyer kultura e Bllokut, me ardhjen në krye të Partisë socialiste të pinjollëve të Bllokut, në Shqipëri bëhet një propagandë moniste, të cilën etërit do tua kishin lakmi. Sipas saj, në Shqipëria dielli ka ndaluar, sipas saj ekonomia shqiptare është e rrënuar, sipas saj vendi po zhytet gjithnjë e më shumë në varfëri, sipas saj Shqipëria ka rritur borxhin me 800 për qind, paçka se e ka ulur atë nga 70 në 59 për qind. Sipas kësaj propagandë të mirëfilltë kulturë blloku, nuk po ndërtohen rrugë të reja, nuk po ndërtohen shkolla të reja, nuk po ndërtohen ujësjellës të rinj, paçka se po përfundohen me qindra e qindra projekte në mbarë Shqipërinë. Sipas kësaj kulture, shqiptarët janë për tu mashtruar, shqiptarëve mund tu servirin çdo gënjeshtër, çdo trillim, çdo mashtrim. Sipas kësaj kulture e keqja jote, është e mira e tjetrit”- u shpreh kryeministri Berisha. Kreu i qeverisë tha se kultura e bllokut s’ka asnjë interes për qytetarët dhe se është kryq e tërthortë kundër integrimit të Shqipërisë në BE, duke filluar nga shkelmimi i votës së shqiptarëve. “Kultura e bllokut, antikultura e bllokut është shprehje e dështimit total të lidershipit të Partisë Socialiste. Antikultura e bllokut është dëshmi e faktit se ata, në 20 vite kanë mbetur njëlloj si etërit e tyre. Antikultura e bllokut është një antikulturë fund e krye kundër integrimit të Shqipërisë në BE. Në emër të kësaj antikulture përpiqet të shkelmohet vota juaj. Në emër të kësaj antikulture përpiqen të dhunojnë votën tuaj, vullnetin tuaj. Në emër të kësaj antikulture u përpoqën të bllokojnë rrugët e vendit, u bllokua bulevardi i vendit. Në emër të kësaj antikulture shpifet dhe trillohet çdo ditë, por unë kam bindjen më të thellë se hijet e së shkuarës s’do munden të pengojnë kurë dritën e të sotmes dhe të ardhmes sonë”, deklaroi kryeministri. Berisha garantoi qytetarët se qeveria nuk do ndalë politikën e zhvillimit dhe të integrimit të Shqipërisë, për të qenë më afër BE-së. “Në një hark kohor, prej më pak se dy vitesh, sot ne mblidhemi këtu si anëtarë të NATO-s, mblidhemi këtu si qytetarë të një vendi që ecën i sigurt në rrugën evropiane, mblidhemi këtu si qytetarë të një vendi , i cili ndonëse ka njërën prej ekonomive më të hapura në Evropë, ka dhe njërën prej ekonomive më të qëndrueshme. Jemi të vendosur që të procedojmë me reformat në të gjitha fushat, në veçanti ekonomia mbetet një përparësi madhore pasi pa reformat ekonomike, reformat e tjera nuk do të mund të realizoheshin”- tha më tej, kryeministri.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›