Në QSUT preferohen operacionet e thjeshta
Numërohen shumë pak ndërhyrje të vështira për rangun e nivelit terciar, siç është “Nënë Tereza”
Zbatimi i sistemit të referimit, si dhe vendosja e disa rregullave për të gjitha spitalet rajonale, mendohet se do të sjellë edhe më shumë cilësi në punën e vërtetë që duhet të karakterizojë “Nënë Terezën”, qendrën spitalore të nivelit terciar.
Konkretisht, në analizën e fundit vjetore të spitalit, sikundërse është raportuar edhe vitet e kaluara, vazhdojnë të kryhen kirurgji të thjeshta, të cilat quhen “rutinë”, ose tashmë janë bërë të zakonshme, njësoj si në çdo spital tjetër rajonal, duke i lënë shumë pak zhvillim “superkirurgjisë”, apo realizimit të operacioneve të vështira, të reja, ndërhyrje që i shkojnë për shtat një qendre terciare si QSUT.Konkretisht, për vitin 2009, në këtë spital, tre operacionet që mbajnë rekord me shifra, të cilat kryhen me “shumicë”, janë vendosja e lenteve, apo siç njihet ndryshe heqja e perdes, katarakti. Janë kryer rreth 2 mijë heqje lentesh përgjatë një viti në qendrën spitalore universitare. Një numër i konsiderueshëm operacionesh janë kryer edhe në apendicit.
Janë kryer mbi 1 mijë heqje apendicitesh, duke zënë 7 për qind të operacioneve më të zakonshme në qendrën spitalore të Tiranës.
Variçet, heqja e bajameve, pastrimi i masave tumorale, operacione të tjera të sferës onkologjike, tiroide, marrje masash për biopsi, janë ndër 20 operacionet më të shpeshta që kryhen në spital. Sipas analizës vjetore të punës, janë kryer mbi 5 mijë gati 6 mijë operacione brenda një viti. Ndërkohë që mortaliteti në shërbimin e urgjencës ka qenë gati 1 për qind.
Ndërkohë që në 10 diagnozat më të shpeshta, të hasura gjatë konsultave në këtë spital, renditen sëmundje si kanceri i gjirit, gastroenteriti, katarakti, perdja e syrit, diabeti, bronkopneumonia, problemet me gjakun, insuficiencë renale, astmë, kanceri i lëkurës, tumoret, infarkti i miokardit, bajamet.
Konkretisht, qendra spitalore universitare, “Nënë Tereza”, për shkak të frekuentimit nga “të parregulltit”, ata që nuk kanë libreza shëndetësore dhe janë të detyruar të paguajnë pranë arkës së spitalit, ka përfituar një shumë të konsiderueshme parash, ose siç quhen ndryshe, në gjuhën zyrtare, të ardhura dytësore.
Të gjitha këto para do të shkojnë për investime, shpërblime, paga për mjekët, apo edhe rikonstruksione e rehabilitime.
Brenda një viti ka pasur rreth 28 mijë pacientë të shtruar në Urgjencë, ndërkohë që në këtë repart janë bërë mbi 166 mijë konsulta. Rreth 1 për qind e pacientëve kanë gjetur vdekjen në këtë shërbim. Brenda dhjetë muajve janë shtruar rreth 22 mijë raste të ardhura nga rrethet, ndërkohë që janë kryer mbi 7 mijë. Sipas të dhënave, janë kryer mbi 6 mijë operacione vetëm nga banorët e Tiranës. Ashtu si dhe në vitet e kaluara, edhe këtë vit, duke përjashtuar disa “superkirurgji” të kryera nga stafe të limituara, e përgjithshmja e operacioneve që kryen kjo qendër terciare janë ndërhyrjet e thjeshta.
#