Në SHBA ka më shumë armë, se sa banorë!

Edhe Belgjikës iu desh të mbledhë mendjen me çmendurinë e armatosur të një vrasësi, që në Liegi qëlloi mbi turmën, duke vrarë 4 vetë, e duke plagosur rreth 100 përpara se të vritej.
Por Amerika mbetet një botë më vete. E nënvizon këtë vetë kryebashkiaku i New Yorkut, Michael Bloomberg, kur kujton "pasionin" e amerikanëve për armët. "Nuk ekziston asnjë vend në botën e zhvilluar, që përballet me problemin tonë, qoftë edhe nga larg. Mjafton të mendojmë që në këtë vend gjenden më shumë pistoleta se sa banorë."
Një pohim vetëm në dukje paradoksal, pasi përballë një popullsie të rriturish prej rreth 230 milionë njerëz, armët në duart e qytetarëve amerikanë sipas statistikave të fundit duhet të jenë 270 milionë. Armë që, sipas organizatave që duan t’i heqin apo pakësojnë lejet për to, vrasin çdo vit së paku 100 mijë njerëz.