E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në Shkup propozimi i ri i ndëmjetësit të OKB për emrin

Autori i Lajmit: red.
Republika e Maqedonisë e Veriut apo Republika e Maqedonisë e Epërme, është propozimi të cilin ndërmjetësi ndërkombëtar në bisedimet midis Athinës dhe Shkupit, Metju Nimic solli në Shkup.
Propozimi i zotit Nimic as është pohuar, por as është mohuar nga palët në bisedime.
"Çështja e emrit nuk rrezikon identitetin kombëtar të popullit maqedonas," tha Metju Nimic mbrëmë në Shkup, duke shtuar se ai ka mandat që të bisedojë për çështjen e emrit, ndërsa çështjet e tjera të hapura - sipas tij - duhet të zgjidhen në vazhdim.
"Kjo është çështje e vështirë, por qeveritë e dy vendeve janë të ndërgjegjshme dhe ka vullnet që kjo çështje të mbesë pas nesh," tha ambasadori Metju Nimic.
Por nga ana tjetër, kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski haptas shprehu pesimizmin e tij për zgjidhjen e shpejtë të mosmarrëveshjes midis vendit të tij dhe Greqisë.
Ai tha se Greqia nuk dëshiron që ta zgjidhë këtë çështje.
"Të gjitha sinjalet flasin se Greqia nuk dëshiron që ta zgjidhë problemin me emrin, së paku deri nga mesi i vitit të ardhshëm, kur pritet që të mbahen zgjedhjet në Parlamentin Evropian. Dhe ajo sipas vlerësimit tim do të bëjë çmos që procesi i shtatorit të dështojë dhe njëherësh për këtë dështim fajtore të jetë Republika e Maqedonisë, pasi në qarqet diplomatike është shumë me rëndësi se kush është fajtori”, tha kryeministri Nikolla Gruevski para takimit me diplomatin Metju Nimic.
Diplomati ndërkombëtar, Metju Nimic nga Shkupi u nis për në Selanik ku pritet të takohet me ndërmjetësin grek në këto bisedime, ambasadorin Vasilakis, por jo edhe me zyrtarë të lartë shtetërorë e qeveritarë grekë.
Ky lajm është publikuar: 22/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›