E Diel, 1 Nëntor 2026

Avokati i Popullit inspekton qelitë pas vrasjes së dyfishtë në Peqin



Organizimi i detajuar i vrasjes së bashkëshortes, Thëllëza Muça, dhe më pas vetëvrasjen, nga i dënuari Mynyr Muça, ka vënë në pikëpyetje sigurinë e të burgosurve në qelitë ku vuajnë dënimin. Për këtë arsye, një ditë më parë një përfaqësi e Avokatit të Popullit ka shkuar në burgun e Peqinit për të marrë kontakt me drejtuesit e këtij institucioni lidhur me kushtet e sigurinë e të burgosurve. Lajmi konfirmohet nga burime pranë këtij institucioni, sipas të cilave, shkak është bërë ngjarja e rëndë e pasdites së të martës në burgun e sigurisë së lartë të Peqinit, ku 33-vjeçari Mynyr Muça, i dënuar me 22 vite burg për vrasje të mbetur në tentativë në dëm të punonjësve të policisë vrau bashkëshorten e tij dhe më pas veten. Sipas të dhënave, përfaqësuesit e Avokatit të Popullit kanë patur synim verifikimin e kushteve të sigurisë në dhomat ku vuajnë dënimin një pjesë e madhe të të burgosurve për vepra të rënda penale.

Gjithashtu edhe Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Drejtorinë e Burgjeve ka nisur një hetim nga ana e tij në lidhje me sigurinë e të burgosurve në burgun e Peqinit.

Hetimet po bëhen gjithashtu dhe nga policia e qarkut të Elbasanit, e cila ka ngritur një grup hetimor që do të punojë për zbardhjen e plotë të rrethanave të vrasjes së dyfishtë dhe mënyrës se si ka mundur i dënuari Muça nga qelitë t’i japë fund jetës së bashkëshortes së tij dhe më pas të vetëvritet.

Në këtë kuadër, mësohet se policia e Elbasanit ka sekuestruar si provë materiale letërkëmbimin mes të dënuarit dhe familjarëve ku dëshmonte se mes tyre kishte konflikte. Sipas të dhënave të para të kësaj policie, plani i vrasjes së bashkëshortes së tij dhe më pas i vetes ka qenë ideuar më përpara nga i dënuari. Ai është përpjekur për të gjetur të gjitha mjetet dhe për të përshtatur rrethanat në të cilat do të kryente dhe vrasjen.

Ndërkohë, gjatë orëve të paradites trupi i pajetë i 33-vjeçarit Mynyr Muça dhe bashkëshortes së tij, Thëllëzës, u tërhoqën nga morgu i spitalit të Tiranës për t’iu dorëzuar familjarëve për ceremoninë mortore që do të zhvillohet në Pogradec.

I burgosuri Muça dhe bashkëshortja e tij u gjendën të vdekur të zhveshur, ndërsa rreth faqes së të dënuarit ndodhej një kabull elektrik. Hetimet rezultuan se pasi ka mbytur bashkëshorten duke ia shtrënguar telin rreth qafës, e ka copëtuar kordonin dhe pasi ka zhveshur përcjellësit elektrikë i ka kontaktuar me të dyja duart duke i dhënë fund jetës. Në një letër goxha të gjatë, katër faqe fletoreje, Muça ka shpjeguar të gjitha arsyet që e shtynë drejt aktit të fundit ndaj vetvetes.

Mynyr Muça, 31 vjeç, nga Pogradeci, vuante dënimin prej 21 vjetësh burg për tentativën e vrasjes së një oficeri policie. Edhe dy vëllezërit e tjerë të viktimës vuajnë dënimin në të njëjtin burg.

Detaje

Një përfaqësi e Avokatit të Popullit ka shkuar në burgun e Peqinit për të marrë kontakt me drejtuesit e këtij institucioni lidhur me kushtet e sigurinë e të burgosurve

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›