Në burgje ushtrohet ende dhunë dhe ka vendime arbitrare
02/03/2005 Avokati i Popullit ka ngritur dje shqetësimin mbi dhunën ndaj të burgosurve, si dhe të arrestimeve të padrejta. Në raportin e paraqitur në Kuvend, theksohet se, edhe në vitin 2004, një problem tepër i rëndë vazhdon të jetë "trajtimi i të paraburgosurve në dhomat e izolimit". Për këtë, Avokati i Popullit ka kërkuar marrjen e masave konkrete dhe të menjëhershme për zbatimin e ligjit. Duke iu referuar komitetit të OKB-së Avokati shprehet i shqetësuar për rastet arbitrare të arrestimit dhe përdorimin e dhunës nga policia. Megjithatë, pranohet se shumë raste janë identifikuar, por nuk janë dëmshpërblyer ende. Kjo është cilësuar një tjetër shkelje e të drejtve të njeriut. Një tjetër pikë në raport është dhe trajtimi i të sëmurëve mendorë, që vazhdon të jetë problem shqetësues. Duke dalë në mbështetje të plotë të raporteve më të fundit të ndërkombëtarëve për Shqipërinë, Avokati i Popullit shprehet se shteti duhet të marrë masa për të garantuar pavarësinë e gjyqësorit, si dhe të sigurojë hetimin e plotë dhe të paanshëm të të gjithë rasteve. Një tjetër pikë shqetësuese në shkeljen e të drejtave të njeriut, Avokati i Popullit ka konstatuar dhe për të drejtat e grave. Sipas të dhënave të marra nga Avokati i Popullit, edhe pse janë marrë iniciativa nga organizata joqeveritare, kjo nuk është e mjaftueshme. "Puna për dhunën ndaj femrave nuk duhet lënë vetëm në dorë të organizatave jo qeveritare, por duhet të ndërmerren veprime parandaluese. Shteti duhet të ndërmarrë hapat për integrimin e gruas në jetën politike", thuhet në raportin e dorëzuar në parlament. Drafti do të nisë të diskutohet gjatë javës së ardhshme në Kuvend, ku do të kërkohet të ndërmerren iniciativat përkatëse për rregullimet ligjore.