E Hënë, 2 Nëntor 2026

Të zbardhen firmat piramidale

02/03/2005  Janë trajtuar 2520 ankesa

Janë pranuar 1055 ankesa

Janë fituar 395 e tyre

Ankesat

128 qeverisë

391 Ministrisë së Drejtësisë

159 Prokurorisë

252 Gjykatat

169 Ministrisë së Rendit

402 Ministrisë Pushtetit Vendor

241 Ministrisë Punës dhe Çështjeve Sociale

12 Shërbimeve Sekrete

Avokati i Popullit thotë se ende ka zvarritje të kreditorëve dhe nuk bëhet transparenca e plotë

Ermir Dobjani kërkon ngritjen e një gjykate për konfliktet në punë

Avokati i Popullit, Ermir Dobjani, ka kërkuar, në një raport të paraqitur në Kuvend, më shumë transparencë, në lidhje me të drejtat e kreditorëve të firmave piramidale. Duke e cilësuar këtë një problem, që është ngritur dhe më parë, Avokati i Popullit shprehet se probleme mbeten; mosekzekutimi i vendimeve gjyqësore të formës së prerë, në lidhje me pagimin e vlerave të ndryshme prej Grupit të Mbikëqyrjes, zvarritja e procesit të kthimit të parave të kreditorëve, mosderdhja e sigurimeve shoqërore për punonjësit e ish-firmave piramidale dhe mosdhënia e informacionit të saktë, lidhur me procedurat e likuidimit të firmës Anglo-Adriatika. Gjithashtu, ekspertët shprehen se, "edhe pse është deklaruar kthimi i përqindjeve kreditorëve, çështja mbetet ende e pazgjidhur, pasi transparenca vazhdon të mbetet një problem". Ndaj, Avokati i Popullit kërkon më shumë transparencë për këtë çështje, e cila është tepër e ndieshme te shqiptarët.

Ankesat

Në raportin e paraqitur në Kuvend thuhet se konfliktet e pronësisë dhe përplasja me avokatët për mitmarrje, janë çështjet më të shpeshta që mbërrijnë në zyrën e Avokatit të Popullit. Një tjetër shqetësim janë vonesat në marrjen e vizave në ambasada të ndryshme.

Problem më i madh është vlerësuar për ata persona që janë shpallur persona të padëshirueshëm, pasi afatet për të bërë ankimin ndaj këtij vendimi janë të shkurtra. Për këto probleme, Avokati i Popullit ka marrë mbështetje nga Ministria e Jashtme, ku ka kërkuar bisedime me shtetet ku ka ankesa.

Propozimi

Duke vërejtur se gjatë vitit të shkuar janë paraqitur një numër i madh ankesash për pushime të padrejta nga puna, Avokati i Popullit është shprehur se nevojitet ngritja e gjykatave për konfliktet e punës. Gjithashtu është konstatuar se ende ka mënyra të ndryshme për punësimin e të miturve, dhe pse është e ndaluar me ligj. Kjo situatë vërehet sidomos në përpunimin e këpucëve, ndërsa nuk vihen re as përmirësimi i kushteve të punës. Në administratën publike, në atë qendrore dhe vendore, vihet re se nuk ka lidhje të kontratave individuale të punës, ndërsa dhe kur ka kontrata kolektive shpesh janë formale. "Vihet re se dhe kur punonjësit e fitojnë të drejtën e tyre në gjyq, vendimi nuk zbatohet. Përgjigjet e marra, janë se pagat nuk kthehen për shkak të mungesës së fondeve", thuhet në raport. Ndaj, avokati kërkon marrjen e iniciativave për të ngritur sindikatat dhe ndërgjegjësimin e punëmarrësve.

Vërejtje

Avokati i Popullit ka shprehur shqetësimin për vonesat në miratimin e ligjit për marrëdhëniet me fenë. Drafti është paraqitur që nga viti 2002, por ende nuk ka gjetur hapësirën për t'u miratuar. Nga ana tjetër, në raport thuhet se e drejta e jetës në Shqipëri vazhdon të jetë e rrezikuar, për sa kohë armët janë në duart e civilëve. Një tjetër pikë, që rrezikon shqiptarët është dhe gjakmarrja. Për këtë çështje është paraqitur një projektligj, por ende nuk është miratuar, pasi parlamentarët nuk kanë gjetur rrugën për ta hedhur në votim.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›