E Hënë, 2 Nëntor 2026

Në cilën anë të së djathtës është e majta?

01/02/2005  Kjo do të ishte mënyra më e mirë për të gjetur vendin e së majtës në boshtin ideologjik partiak që ndan partitë në gjithë botën. Dhe pyetja nuk mund të bëhet thjesht “ku është e majta?”, por saktësisht “në cilën anë të së djathtës është e majta?”. Kjo sepse e gjithë retorika (dhe jo pozicionimi ideologjik) i së majtës shqiptare aktualisht po përcaktohet duke patur si pikë referimi pozicionimin real të së djathtës. Shkurt, thelbi i kësaj të majte, Partia Socialiste, nuk ka në këtë çast asnjë pozicionim apo qëndrim ideologjik të vetin që të mund ta përafrojë me partitë simotra në botë. Një parti tipike e majtë do të duhej të kishte të paktën disa elementë dallues universalë të së majtës: parimin e rishpërndarjes ekonomike dhe një ekonomi me një nivel të lartë rregullimi apo kontrolli nga shteti. A ekzistojnë këta elementë në politikat e së majtës në pushtet? Jo, dhe kjo është e pakontestueshme. Gjatë qeverisjes të së majtës, hendeku midis shtresave të varfëra dhe atyre të pasura u thellua si kurrë më parë, nivelet e mbështetjes shtetërore ndaj shtresave të pafavorizuara mbeten nga më të ulëtat, ndërsa shteti jo vetëm që nuk rregullon ekonominë, por madje edhe e privatizon atë me një padurim që, më së paku, duket i çuditshmëm. Më së paku...

Gjatë debateve të ndryshme publike, politikat ekonomike të qeverisë argumentohen me termat kimerikë të “reformave standarde” ose me përligjen krenare të përmbushjes së standardeve në kuadrin e proceseve integruese në Evropë. Në fakt, një pjesë e mirë e këtyre reformave kacavirren pa ndonjë siklet të madh në disa korniza të paqarta “liberalizimi” të tregut. Nga ky aspekt, një akuzë e shpejtë që do t’i bëhej PS-së do të ishte se ajo ka hedhur pas shpine ideologjinë e saj për t’u bërë “nxënës shembullor” i liberalizmit. Dhe faktikisht kjo akuzë do të na bënte t’i përgjigjeshim pyetjes “në cilën anë të së djathtës është e majta”, përafërsisht me fjalinë “ndoshta në të djathtë”, meqenëse në fakt edhe vetë e djathta e ngritur mbi parime të pastra liberale ka deklaruar se do të jetë e vetëpërmbajtur në politikat e saj liberale ekonomike, duke parashikuar një minimum rishpërndarje ekonomike që do t’u siguronte mbështetje shtresave më të varfëra. Mirëpo, edhe në të djathtë të së djathtës, qeverisja aktuale vështirë se do të mund të klasifikohej. Mjafton të shihen raportet e organizmave ndërkombëtarë, apo të analizohet gjendja e tregut shqiptar. Është e qartë se në Shqipëri nuk ka liberalizim, por monopolizim dhe informalizim të ekonomisë.

Një gjendje që e ve PS-në përpara një pamundësie për t’iu përgjigjur pyetjes kryesore.

Krjimi i Komitetit të Orientimit të Politikave dhe afrimi me nismën e ripërkufizimit të së djathtës liberale në Shqipëri e ka vënë, nga ana tjetër, Partinë Demokratike në një rol të rehatshëm ideologjik. Orientimi politik i PD-së, sidomos me përfshirjen e KOP-it, përputhet plotësisht me kërkesat e shtruara nga organizmat evropianë, pa e detyruar PD-në të dalë jashtë “formatit” të saj klasik ideologjik. Natyrisht, është edhe fakti që PD-ja është në një pozicion shumë më komod se socialistët, të cilëve u duhet të përballen me një dështim evident ekonomik dhe politik. “Liberalizimi” i skajshëm i ekonomisë, përfshirë edhe sektorët më strategjikë të saj (telekomunikimi, energjetika) ia heq kujtdo edhe dyshimin më naiv mbi ndonjë lloj përkatësie ideologjike të PS-së në të majtë të spektrit. Dhe jo vetëm kaq. Monopolizimi dhe informalizimi i ekonomisë e nxjerrin qeverisjen e PS-së edhe përtej së djathtës dhe madje përtej spektrit, duke e lënë në një “no man’s land”. Përkufizimi i këtij pozicioni të ri është i pamundshëm me terma klasikë. Kjo është edhe arsyeja pse opinioni publik e ka më të lehtë të bëjë përkufizime më të thjeshta, të cilat pak a shumë përkojnë me përfundimet e ndërkombëtarëve dhe me boshllëkun e thellë të xhepave të qytetarit normal.

Nisur nga përvojat e mëparshme, nuk mund të pritet ndonjë ndryshim i madh në pozicionimin e së majtës (e cila në fakt nuk na rezulton më si e majtë). Tani, për të majtën mbeten dy mundësi: ose ta bëjë elektoratin e saj të harrojë se ç’është e majta dhe e djathta dhe ta shesë sapunin për djathë, me premtime biblike pa përmbajtje ideologjike, ose të pozicionohet realisht përballë së djathtës liberale të Partisë Demokratike. Ndoshta votuesit e saj mund ta besojnë përsëri.

Qeverisja aktuale e së majtës ka, sidoqoftë, një meritë të madhe: ajo mund të shërbejë si shembull i përsosur i dështimit që duhet shmangur. Një qeverisje e vërtetë përfaqësuese, sidomos në kushtet specifike të Shqipërisë do të duhej të ngrihej mbi bazën e një doktrine të qartë ideologjike që do të pasqyrohej në nivelin e politikave ekonomike dhe sociale. Një parti që nuk arrin rezultate në qeverisje, mund të humbë zgjedhjet, por një parti që nuk arrin rezultate, sepse nuk ka patur program, ose ka patur program monopolizimi, mund të humbë edhe identitetin.

Elektorati shqiptar në përgjithësi vuan ende pasojat e komunizmit dhe është relativisht i paaftë të bëjë dallime të qarta mes partive apo programeve të tyre. Por, mund të pritet që gjendja të ndryshojë shumë shpejt. Në fakt një pjesë e motivimit të abstenuesve është tashmë pikërisht mungesa e dallimeve. Ndonëse nuk mund të flitet me shifra, për një pjesë ende të kufizuar të votuesve, pozicionimet ideologjike të partive janë dhe do të bëhen gjithnjë e më të rëndësishme, sidomos për ato shtresa që kanë interesa të drejtpërdrejta për të mbrojtur. Psh., monopolizimi i tregut do të duhej të ishte një faktor vendimtar për bizneset e vogla e të mesme për të votuar për një program si ai i PD-së për dy arsye kryesore: së pari, për vetë përcaktimin e këtij programi për të liberalizuar realisht tregun, duke eliminuar monopolet dhe së dyti, sepse politikat e zbatuara të PS-së kanë bërë pikërisht të kundërtën. Të njëjtat arsye mund të jenë vendimtare për prodhuesit vendorë (në fakt për prodhuesit potencialë vendorë, meqenëse prodhimi vendor është në nivele të turpshme).

Partitë kryesore konkurrente, PS-ja dhe PD-ja, do të paguajnë gjithmonë e më tepër në zgjedhjet e ardhshme çmimin e ideologjizimit apo mosideologjizimit të programit të tyre. Tashmë PD-ja është një hap përpara. Nga një fjalë pothuajse “tabu”, ideologjia partiake do të fitojë terren paralelisht me rritjen e aftësisë së votuesit shqiptar për të analizuar ofertat dhe për të bërë dallimin mes ofertave që ofrojnë zgjidhje për të dhe atyre që ofrojnë thjesht premtime të të gjitha ngjyrave.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›