E Hënë, 2 Nëntor 2026

Shpresa për një debat politik me përmbajtje

01/02/2005  Në vitin 2003, kur filozofi dhe studiuesi, Artan Fuga, botoi librin"Majtas, jo djathtas", lidhur me evoluimin ideologjik, profilin politik dhe realitetin e politikave që kanë zbatuar në qeverisjes socialistët shqiptarë, në pushtet prej vitit 1997, kemi për herë një përpjekje të sistematizuar për të vështruar aktualitetin politik në një qasje ideore dhe përmbajtësore. Në fillim të vitit 2005, një aktivitet i bashkorganizuar nga disa aktorë të jetës akademike, shoqërisë civile dhe individë të politikës aktive, i titulluar "Colokiumi Liberal: Teza për një platformë të djathtë liberale", kemi dhe në krahun e djathtë politik një përpjekje për të shtruar problemet e identitetit politik të së djathtë shqiptare. Kuptohet ndërmjet këtyre dy akteve më rëndësi të dorës së parë në debatin publik dhe politik në Shqipëri, kemi përpjekje të tjera për gjykuar realitetin shqiptar sipas sistematikave ideologjike, u bëjnë pjesë shkrimet e vazhdueshme të publicistit Fatos Lubonja, apo shkrime të tjera. E rëndësishme është të thuhet më në fund, pas një periudhe të gjatë të zhveshjes dhe zbrazjes së debatit politik e publik, kemi një diskutim për përmbajtjen, kemi një diskutim për thelbin e reformave apo të programeve politikë. Gjë që, në fund të fundit, është një debat për "politikën si të tillë".

Në fakt është rasti të vërejmë se në fund të një 15-vjeçari të përpjekjes demokratike në Shqipëri dhe vendet e tjera të Lindjes të njohura si "vala e tretë e demokratizimit" se çfarë ka ndodhur në funksion të mundësimit të një hapësire politike, plurale, demokratike. Fatkeqësisht, si një kundërpeshë e tepruar të ideologjizimit total, që shoqëria komuniste i kishte bërë hapësirës politike, u shkua aq thellë sa të "depolitizohej" dhe vetë politika. Po ta vësh re me kujdes se cili ka qenë kryemotivi i ligjërimit publik në Shqipëri, ato janë stilema boshe, togfjalësh të përgjithshëm, diskutime teknike, gati-gati një "matematizim" i politikës dhe politikëbërjes.

Kur në fakt është krejt ndryshe. Demokracia liberale është një kuadër i gjerë shprehjeje, një kuadër garantues i një shumësie idesh, pikëpamjesh dhe ideologjish, të cilat vijnë dhe në hapësirën politike gjejnë shprehje apo i nënshtrohën një procedure neutrale, që është procedura demokratike për t’u shndërruar në pushtet, nëse marrin shumicën e besimit të qytetarëve në një politikë qeverisëse.

Detajet që mund të seleksiononim në drejtim të shfarosjes së dallimit përmbajtësor në ligjërimin politik të aktorëve tanë politikë dhe shoqërorë janë të panumërta, pse jo dhe pikante. Në vitin 1992, zoti Berisha fliste për "bashkëfajtorë dhe bashkëvuajtës", duke ngatërruar keqazi autorësinë dhe përgjegjësinë e mekanizmit të diktaturës komuniste në Shqipëri. Edhe pse kjo kredo politike i shërbente në një moment të caktuar pajtimit kombëtar dhe dekurajimit të hakmarrjes, ajo sërish ofron një model të keq të diferencës dhe ndryshueshmërisë së rolit specifik, që kanë në prodhimin e një fenomeni secili prej subjekteve. Nga viti 1997, Presidenti Rexhep Meidani fliste për "institucione të pavurara", kur organet që bënin emërimin e tyre ishte thellësisht me përmbajtje politike, duke prentenduar një "frymë e shenjtë pavarësi". Kjo e shndërroi hapësirën institucionale nga një hapësirë veprimit dhe kombinimit të faktorëve politikë në një hapësirë boshe, pa përmbajtje dhe për pasojë pa përgjegjësi për çka ndodhte. Kështu, në zgjedhjet e vitit 2001, zoti Meidani deklaroi se nuk kishte asnjë dijeni për manipulimin e zgjedhjeve, përderisa ai "nuk kishte patur vëzhgues në zgjedhje". Në një vizitë në Itali, Kryeministri Ilir Meta i tha Berluskonit si përgjigje të pyetjes së tij "çfarë jeni ju more djalë, i majtë apo i djathtë", një fjali mjaft domethënëse për të shprehur zbrazjen e përmbajtjes politike të aktorëve tanë kryesorë: "Unë jam thjeshtë pragmatist, zoti Berluskoni!". Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, flet për "reforma as të djathta, as të majta, por për reforma standarde". Kurse Kryeministri Fatos Nano ka si kryefjalë të tij fjalën "standarde", një term pa asnjë domethënie në vetvete.

Në një xhungël referencash dhe mungese koherence të brendshme, ka rënë prej kohësh edhe media dhe shoqëria politike, e cila është shndërruar në "ripërtypësen" e këtyre termave pa kuptim, pa kahje, pa lëvizje. Ndaj përpjekjet për ta ri-ideologjizuar debatin politik, ligjërimin politik dhe në përgjithësi aksionin politik të aktorëve të ndryshëm me peshë në vendimmarrjen e vendit, duken inkurajuese. Për me tepër duket se publiku e pret mirë këtë. Ai vetë është shumë "ideologjik" në interesat, ndjeshmëritë dhe subjektivitetet e tij. Po ashtu fakti që debatet për Colokiumin "TEZA PER NJE PLATFORME TE DJATHTE LIBERALE", nuk reshtin, tregon, në fund të fundit, se kemi të bëjmë me kapjen e një problemi që ekziston. Të një problemi që duhet të marrë rrugë më në fund. Për të ardhur tek ajo ide që etërit e demokracisë patën që në fillim: Të ndryshmit që debatojnë dhe i nënshtrohen paqësisht procedurës demokratike për të vënë në jetë idetë e tyre.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›