E Hënë, 2 Nëntor 2026

Pavarësia e Kosovës dhe kërcënimet serbe

01/02/2005  Analistët ndërkombëtarë nuk e përjashtojnë mundësinë e një provokimi të ri të luftës së Serbisë kundër shqiptarëve. Kjo mbase do të rri si shpata e Demokleut mbi kokën e shqiptarëve, sidomos kur të afrohet koha e zgjidhjes së statusit, përkatësisht njohjes së drejtpërdrejtë të pavarësisë së Kosovës.

Serbët duket që sërish janë çuar në kob të vetin dhe në dëm të shqiptarëve. Tërbimi i Beogradit nuk është fashitur as pas rënies së kriminelit Millosheviç dhe as pas shkuarjes së një lukunie kriminelësh serbë në Hagë. Qëndrimi i tyre nuk ka ndryshuar: serbët e vjetër me mëkate të reja. Psikologjia e destruksionit ka mbetur e njëjtë, ndërsa brejtja e ndërgjegjes për mijëra viktima, për masakrat aq të shumta që i bënë në gjithë territorin e Gadishullit Ilirik, për ta as që ekziston. Është po ashtu fatkeqësi që as bashkësia ndërkombëtare në luftën kundër krimeve serbe nuk shkoi deri në fund. Është e vërtetë që ndërhyrja ndërkombëtare i shpëtoi shqiptarët nga gjenocidi serb, është po ashtu e vërtetë se me këtë ndërhyrje sikur e solli pak në vete militantizimin e tërbuar serb, që ishte rrënjosur thellë te populli i manipuluar, sikurse te kopeja që shkojnë në humnerë. Por ata iu afruan humnerës, duke shpëtuar më me pak pasoja, ndërsa viktimat e tyre, shumica e shteteve të rajonit, ende po i heqin pasojat.

Në vend se të aplikohen ngjashmëritë me ndëshkimin kolektiv që iu bë Gjermanisë pas Luftës së Dytë Botërore, nën ndikimin e disa aleatëve të vjetër, Serbia nuk u ndëshkua kolektivisht. Madje, as nuk u përmend kjo mundësi, edhe pse të gjitha kushtet për këtë ndëshkim ishin. Përkundrazi, u bë përpjekje që të ruhej tërësia territoriale e një surrogati serbo-malazez, të ruhej forca ushtarake dhe të mos shpartallohej një shtet i dhunshëm. Serbia edhe pse nuk u mëkëmbë, fatkeqësisht shpëtoi nga kaosi, të cilin e meritonin. Pavarësisht masave që morën, është një përshtypje e pakëndshme sikur Serbia po përkëdhelet - e do të duhej të ishte e kundërta.

E trimëruar nga ky fakt (apo mbase është ngritur sërish tërbimi serb), ushtria e tyre dhe policia vazhdojnë me zejen e vjetër. Kështu, sa herë që ndihet një atmosferë ndryshe e qasjes së bashkësisë ndërkombëtare ndaj Kosovës, Serbia me mekanizmat e vet të dhunës, fillon të manovrojë në zonat kufitare të Kosovës administrative, duke kërcënuar haptas kufijtë e pranuar ndërkombëtarisht. Sikur nuk mjafton kjo, ushtria serbe dhe policia e tyre po aq kriminale, vrasin shqiptarë në kufi, arrestojnë të tjerë dhe keqtrajtojnë shqiptarët kolektivisht, duke i detyruar të largohen nga këto territore. Realisht kufijtë etnikë e gjeografikë shtrihen në gjithë zonën e Preshevës, Medvegjës e Bujanovcit, pra në tërë Luginën e Preshevës si zonë strategjike, aq e rëndësishme për shqiptarët, sikur të korrektohej kufiri. Përqendrimi i ushtrisë serbe në Preshevë, ku është bërë baza më e madhe militariste në rajon, apo vrasja e fëmijëve në zonat kufitare, njëkohësisht është presion i hapur edhe ndaj bashkësisë ndërkombëtare për ta mbajtur Kosovën peng dhe për të mos e ndryshuar gjendjen ngreh e mos këput.

Në fakt janë të gjitha shenjat se Serbia është e gatshme të cytë ndonjë luftë të hapur, duke gjetur pretekste të ndryshme. Nëse nuk do të ketë guxim të thyejë kufijtë, sepse atëherë do të përballej me luftë të hapur me forcat e KFOR-it, sidomos me trupat amerikane, atëherë do të provokojë hapur shqiptarët e Kosovës Lindore, në mënyrë që të humbasin durimin dhe të kundërvihen sikurse herën e kaluar. Më herët, Beogradi pati planifikuar një demonstrim të shqiptarëve në Kosovë, që do të drejtohej kundër forcave ndërkombëtare, në mënyrë që ta ketë shumë më të lehtë të merret me shqiptarët e zonave kufitare, po që të bëjë ndonjë ndryshim të kufijve, ashtu sikurse pretendon me fqinjin e vet, Maqedoninë, që përpiqet të gjejë partnerë në Beograd e Tiranë për të dhuruar territore të Kosovës.

Analistët ndërkombëtarë nuk e përjashtojnë mundësinë e një provokimi të ri të luftës së Serbisë kundër shqiptarëve. Kjo mbase do të rrijë si shpata e Demokleut mbi kokën e shqiptarëve, sidomos kur të afrohet koha e zgjidhjes së statusit të shqiptarëve, përkatësisht njohjes së drejtpërdrejtë të pavarësisë së Kosovës. Do të ishte mirë që në vend se të shikohej duarkryq provokimi i ri serb, të ndërpritet toleranca ndaj Beogradit dhe natyrisht kësaj radhe të gjendet rasti që jo vetëm të ndëshkohej kolektivisht Serbia, në mënyrë që të pacifikohej për kohë më të gjatë, si edhe të insistohet që të ndryshohen kufijtë, duke iu bashkuar në mënyrë të natyrshme kufijtë e Kosovës Lindore në tërësinë territoriale të shtetit tonë. Vetëm atëherë shqiptarët do të ishin të barabartë me fqinjët tanë dhe do t’u privohej mundësia serbëve që të luajnë vazhdimisht me luftën dhe më kërcënimet e vazhdueshme. Serbët dhe Serbia e njohin vetëm gjuhën e dhunës, gjuha e bisedimeve dhe e diplomacisë është e panjohur për ta në të kaluarën dhe tash.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›