“Ne” dhe myslimanët
Elsa Ballauri
Historia e feve në Shqipëri është ndër më unikalet dhe çështja e besimit një ndër dilemat më të mëdha me të cilën ne shqiptarët ende nuk dimë të përballemi Të konvertuar dhe të rikonvertuar hershëm, duke u ngatërruar njëkohësisht me shumë halle të historisë sonë tekanjoze, në vend që të mos harrojmë se për të jetuar në këtë vend na duhet shumë mirëkuptim dhe dashuri mes nesh, kemi një predispozion djallëzor për t’i drejtuar gishtin tjetrit në formë akuze dhe për të gjetur fajtorin në çdo hap. Kjo po ndodh shumë shpesh këto vitet e fundit me fenë myslimane dhe me njerëzit që e përfaqësojnë atë.
Rasti më i fundit me vajza që largohen nga shkolla, sepse mbajnë shami, është edhe rasti më i parë i këtij lloji. Është e njëjta situatë e përsëritur, i njëjti debat i hapur, apo i diskutuar nëpër zyra çfarëdolloj të institucioneve shtetërore, apo të organizatave të pavarura, njerëz që ankohen dhe përgatiten të hapin çështje gjyqësore….
Ndërkohë, vazhdon një pyetje… e njëjta pyetje: “Prapë shamitë?”. Këtu dua të shtoj se ky është një fenomen recidiv në lidhje me terminologjinë, që jam e bindur se i nervozon besimtarët dhe të tjerët: shami, apo perçe, apo ferexhe.
Një nga problemet e komunitetit mysliman në Shqipëri, është raporti i këtij komuniteti me median. Në fakt, debati i mbetur në dorën e shumë gazetarëve naivë që nuk e vrasin mendjen se si shprehen, e çorodit në mënyrë shumë të dukshme opinionin. Shamia dhe ferexheja, ndonëse shërbejnë për të njëjtin qëllim: të mbulojnë kryet e gruas dhe të tregojnë në mënyrën e përulur fetare, bindjen ndaj fesë dhe Zotit që ata duan dhe ndjejnë, janë dy gjëra të ndryshme në aspektin e pamjes dhe kjo është shumë mirë të përcaktohet në informacionet që jepen nga mediat për opinionin publik. Abuzimi me termin, jam e bindur që bëhet padashje dhe është më tepër efekt i njohur i mosnjohjes dhe neglizhencës, dy nga tiparet e gazetarisë shqiptare.
Në terminologjinë arabe, midis të tjerave, qëndrojnë tre përcaktime për veshjen e grave: Hijab (hixhab), Niqab dhe Jilbab (xhilbab). Hijab (vjen nga fjala arabe hajaba që do të thotë të fshehësh, të mbulosh), është shamia, ajo që ne e shohim shpesh nëpër qytetet shqiptare dhe e cila ka bërë të përjashtohen nga e drejta e edukimit disa vajza besimtare. Shamia mbulon vetëm kokën dhe qafën dhe e le fytyrën të hapur, që do të thotë se nuk pengon në komunikimin me të tjerët. Niqab-i, është veshje që nuk e le fytyrën të duket, përveç syve, në fjalorin që ne njohim , është ferexhe. Në vende ku ekstremizmi islamik është real, si në Afganistan, gratë janë të detyruara të mbajnë edhe Burqa (ose burka), e cila i mbulon edhe sytë me një rrjetë të dendur. Në qoftë se shamia është e pranueshme deri diku për sytë e shqiptarëve të pamësuar me kokë grash të mbuluara, mosshfaqja e fytyrës përbën një vështirësi të madhe komunikimi, që pavarësisht se është në zgjedhje personale e besimtareve, duhet të përbëjë edhe një bazë diskutimi të gjerë në nivelet akademike, apo shkollat, sepse mbulimi në këtë rast shkon përtej zgjedhjes personale, duke u bërë edhe një element etik. Jilbab-i është veshja që femrat mbajnë në trup, e cila iu mbulon gjymtyrët e trupit sipas një mënyre veshje të veçantë.
Mbulimi në vetvete, sipas opinionit të shumë femrave myslimane, nuk është vetëm “ajo që Allahu ju kërkon atyre”. Një tjetër arsye e mbulimit është edhe kërkesa për modesti në të dyja llojet e mbulimit: qoftë kjo për gratë, apo për burrat. Ndërkohë, opinioni i shumë femrave myslimane është se me mbulimin ato kërkojnë të ndalojnë trajtimin e tyre nga burrat si objekt seksi, ato duan që burrat të injorojnë paraqitjen e tyre dhe të kujdesen për të parë personalitetin dhe trurin e tyre, ato duan që ata t’i marrin seriozisht dhe t’i trajtojnë ato të barabarta dhe jo duke i nënvleftësuar për paraqitjen e tyre fizike….
Në thelb kjo kërkesë e tyre, është një nga ato më të guximshmet të artikuluara nga lëvizja feministe moderne: barazia midis sekseve, pa asnjë nuancë ironie dhe nënvleftësimi.
Por sa femra myslimane e kuptojnë vërtet mbulimin si një proces që do të edukonte miliona mendje burrash protagonistë? Dhe sa të tjera e mbajnë shaminë pa menduar përse, por vetëm si rezultat i një kulture që duhet të ndjekin? Aktualisht të gjitha këto janë sot dilema dhe diskutime në botën myslimane të qytetëruar, ku vetë gratë janë shpeshherë protagoniste.
Për fat të keq shqiptarët nuk përfshihen dot, nuk mund të përfshihen dhe nuk marrin iniciativën të përfshihen në këtë debat. Shqiptarët janë shumë të gatshëm të përfshihen vetëm si paragjykues dhe të ngrenë teori të paragjykuara.
Nëse ka diskutime mbi Islamin në vendet e zhvilluara, në këto diskutime janë protagonistë vetë besimtarët. Gratë myslimane kanë një angazhim shumë interesant në dilemat dhe sfidat që përfaqësojnë. Maryum Jameelah (e quajtur më parë Margaret Marcus), është një nga gratë e famshme shkrimtare dhe lektore, e konvertuar nga hebraizmi në myslimanizëm, ajo shkruan dhe tregon për historinë dhe teorinë e saj. Sipas Jameelah, ajo e kupton bashkëpunimin mes njerëzve të feve dhe kombeve të ndryshëm duke i njohur ato dhe duke i respektuar.
Përveç raportit të pazgjidhur me median, feja myslimane ka shumë probleme të pazgjidhura me shtetin shqiptar, me shoqërinë dhe me vetveten.
Ardhja e shamive në Shqipëri erdhi së bashku me riardhjen e fesë. Ishim të pamësuar, të paragjykuar dhe si të tillë filluam të akuzonim njëri-tjetrin. Është e çuditshme pse nuk ka një debat konstruktiv në Shqipëri që të mund t’i lerë të gjitha palët të analizojnë dhe të rrëfejnë me qetësi... Befas, ndodh një ngjarje ekstreme dhe të gjithë kthejmë sytë andej dhe fillojmë të ulërijmë... Duket sikur s’dimë të flasim seriozisht dhe me përgjegjësi: fillojmë me kulme ngashëruese kur ngjarja ndodh, pastaj fluksi shuhet me një psherëtimë lehtësimi se më në fund çdo gjë është harruar dhe “çudia” nuk do të zgjatë më shumë se tri ditë. Një tjetër çështje është se asnjëherë ky problem nuk është diskutuar si një shkelje e të drejtave të njeriut. Duket sikur është më shumë një çështje e etikës, e kulturës dhe shpeshherë është kthyer në argument politik për të treguar se Shqipëria s’ka asnjë lidhje me fondamentalizmin mysliman dhe se sytë e saj janë drejtuar nga perëndimi kristian. “Ne”, kundër “atyre”, është një slogan psikologjik që shpeshherë më duket i frikshëm. Së pari, sepse jemi refuzues dhe nuk e pranojmë tjetrin për hir të të tjerëve, që përkthehet se nuk pranojmë formimin e hershëm mysliman të kombit e shtetit tonë për hir të snobizmit ndaj botës perëndimore, e cila ka një shtet e kombformim të ndryshëm nga yni. Së dyti, sepse nuk e kemi të qartë historinë tonë, që përkthehet se nuk dimë ta çmojmë atë që na ka dhuruar e kaluara jonë misterioze: tolerancën. (Gjyshi im ortodoks ishte shumë i lumtur kur priste vizitat e hareshme të miqve të tij myslimanë për të dielën e Pashkëve).
Së treti, se nuk dimë të respektojmë të drejtat e tjetrit... dhe jo vetëm kaq, por kemi të paqarta parimet e të drejtave bazë të njeriut dhe vetvetiu, kur i shkelim ato, ose nuk e kuptojmë atë që kemi bërë, ose nuk na dhimbset ajo që kemi shkaktuar.
Këto arsye na pozicionojnë në dy llogore të kundërta: Ne dhe Ata. Ne dhe Ato. “NE”-ja pretendon të jetë pjesa e kultivuar dhe përparuar, ata që janë mendjehapur dhe që dinë se si shkohet përpara. Problemi i tyre? Janë përjashtues dhe me këtë ndjenjë nuk mund ta ndërtosh dot atë që pretendon të bësh. Interesante është se shpeshherë “Ne”-ja më aktive ka emra tipikë myslimanë… Për fat të keq “Ne”-ja, shpeshherë ka fytyrën e shtetit ose të strukturave të tjera që akoma nuk kanë menduar të mendojnë për raportin që duhet të krijojë me besimin dhe me besimtarët në këtë vend. Kjo është e shfaqur në komitetet fiktive shtetërore të feve, në shpalljet e vendimeve absurde të ministrave për të vendosur dhe hequr rregulloret e shkollave sipas qejfit, në pasigurinë e organizatave për të mbrojtur besimtarët myslimanë...
Ndërkohë që Ata dhe Ato, për fat të keq me gjithë prezencën më të madhe që kanë në këtë vend, nuk kanë arritur dot të krijojnë atë bashkësi kompakte të duhur për të ndërtuar ato vlera që predikojnë. Të ndodhur mes një debati dhe kontradikte të brendshme, Komuniteti Mysliman, më i madhi në Shqipëri, ndërkohë është edhe më i dobëti: një pjesë përfituese, një pjesë ekstremiste, një pjesë idealiste dhe largpamëse, por e brishtë dhe e dobët për të fituar mbi dy pjesët e tjera. Zgjedhjet e reja me të njëjtin kryetar të përfolur dhe të paaftë të imponohet në instancat shtetërore dhe në mbarëkomunitetin e vet, treguan se debati më i rëndësishëm për çështjet që i takojnë myslimanëve të Shqipërisë, është debati i brendshëm midis tyre. Myslimanët shqiptarë ndodhen mes furtunave të ngritura nga ata vetë në njërën anë, dhe mes stuhive të ngritura nga shteti dhe ekstraislamikët, nga ana tjetër. Nuk është serioze që debatet e hapura për të drejtën e vajzave besimtare për edukim dhe besim të nëpërkëmben nëpër zyra e zyrtarë dhe peshën e debatit konstruktiv që do duhej të ndryshonte situatën, nuk e mban dot askush mbi supe.
Ky peizazh social i krijuar ka një pasojë të rëndë: vetmia e myslimanëve do të bëhet vetmi e të gjithëve nëse nuk do t’i japim dorën dhe nuk do ta kuptojmë njëri-tjetrin në kohë.