E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trafiku klandestin, një grua kapo

 

GJIROKASTER/ PIRO NASE

Një grua që organizonte trafikun e klandestinëve nga Shqipëria në Greqi, u arrestua dje nga policia e Gjirokastrës. Marjana Nako, 33 vjeçe nga Përmeti, krijonte lidhjet mes personave të interesuar nga të gjitha rrethet për të kaluar kufirin kundrejt 1800-2000 eurove. Më pas, dy persona nga Gjirokastra, Lame Dhandili, 48 vjeç dhe Artur Stroka, 37 vjeç, mundësonin udhëtimin për në shtetin fqinj. Pas 3 muajsh hetimi të veprimtarisë së këtyre personave, ata u arrestuan dje, në kuadër të operacionit të koduar “Parkimi i Fundit”. Burimet policore kanë konfirmuar se gjatë orëve të mesditës së djeshme, Sektori i Luftës Kundër Krimit të Organizuar në drejtorinë e Gjirokastrës, në bashkëpunim me prokurorinë e rrethit ndaluan grupin e trafikuesve të shtetasve klandestinë, i cili drejtohej nga shtetasja Marjana Nako, e papunë. Sipas të dhënave nga organi i akuzës, klandestinët rekrutoheshin nga lidhjet e krijuara nga 33-vjeçarja me rrjetin e njerëzve të ngushtë që kishte krijuar në rrethet të ndryshme të vendit, përfshirë këtu Dibrën, Durrësin, Beratin, Fierin, Lushnjën. Mekanizmi që përdorej për të transportuar shtetasit klandestinë nga Shqipëria në drejtim të Greqisë, është zbuluar vetëm gjatë një pune investiguese të ndërmarrë gjatë tre muajve të fundit. Klandestinët kaloheshin përmes kufirit të gjelbër në pikat kufitare apo pranë tyre në Tre Urat në Përmet dhe Kakavijë. Në veprimtarinë ilegale të kalimit të shtetasve përtej kufirit kundrejt shumave të lartpërmendura, Marjana Nako ndihmohej nga Dhandili dhe Stroka si dhe nga persona të tjerë të evidentuar, për të cilët policia po punon për dokumentimin ligjor të aktivitetit të tyre kriminal. Investigimi i këtij grupi në bashkëpunim me Prokurorinë e Gjirokastrës, kishte nisur muaj më parë dhe u finalizua vetëm ditën e djeshme, fill pas grumbullimit të provave ligjore në ngarkim të shtetasve të mësipërm. Sipas të dhënave nga policia, aktiviteti i ndërmarrë nga tre të arrestuarit është ushtruar në mënyrë të vazhdueshme muajt e fundit, duke ndihmuar për kalim të paligjshëm përtej kufirit dhjetëra shtetas. Sot provat ligjore të grumbulluara në mesditë u paraqitën në Gjykatën e Faktit në Gjirokastër, ku u vendos masa e sigurisë “arrest me burg” për të tre të arrestuarit për veprën penale të dhënies ndihmë për kalim ilegal të kufirit, me qëllim fitimin dhe në bashkëpunim. Pas përfundimit të këtij aksioni, policia e Gjirokastrës në cilësinë e provës materiale ka sekuestruar 300 euro, dy automjete konkretisht një “KIA” në pronësi të shtetases Marjana Nako me targa të huaja MYH 12 44 si dhe automjetin tip “Audi” në pronësi të shtetasit Lame Dhandili, me targë GJ 91 35 A së bashku me gjashtë aparate celularë, të cilët përdoreshin nga personat e arrestuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›