E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në ditën e genocidit, ne s’harrojmë

Shpëtim Idrizi 

Sot në ditën botërore të luftës kundër genocidit, ditën e hyrjes në fuqi të Konventës për dënimin dhe parandalimin e krimit të genocidit në 9 dhjetor 1948, në cilësinë e kryetarit të PDU-së, do të doja të shprehja disa ide rreth lidhjes mes kësaj dite dhe ne shqiptarëve. Ne jemi përfaqësuesit e disa subjekteve që kanë në misionin e tyre studimin, mbrojtjen dhe zgjidhjen e çështjeve të mbetura të pazgjidhura shqiptare, në veçanti çështjes çame. Kjo çështje i referohet komunitetit shqiptar çam që në Shqipëri numëron 300 mijë vetë. Ky komunitet është krijuar prej largimit me forcë nga Greqia të të gjithë shqiptarëve myslimanë, në veçanti atyre çamë, prej Luftës së Parë Botërore në disa valë, që përfunduan plotësisht me masakrën e fundit të Luftës së Dytë botërore kur u vranë rreth 3000 vetë, kryesisht pleq, gra dhe fëmijë. Rreth 3000 të tjerë vdiqën rrugës nga uria dhe vuajtjet, duke u larguar për në Shqipëri. Praktikisht, sot në Greqi nuk ka më minoritet shqiptar mysliman, me përjashtim të atij ortodoks, që i gjendur nën trysninë shtetërore dhe shoqërore greke nuk ka guxim të afirmojë identitetin e vet shqiptar, veçse në mjedise të mbyllura.
Ne kemi bindjen se ajo që i ndodhi komunitetit tonë të shkulur plotësisht nga vatrat e veta në territore, që sot bëjnë pjesë në Greqinë e Veriut është genocid i pastër sipas përkufizimit të nenit 2 të kësaj Konvente. Ne kemi prova juridike dhe historike, kemi dëshmitarë okularë gjyshërit dhe prindërit tanë. Ata kanë parë me sytë e tyre t’u vriten e masakrohen të afërmit; Ata kanë provuar direkt vuajtjet dhe persekutimet çnjerëzore. Ne nuk mund të harrojmë brez pas brezi atë që ndodhi, nga më të vjetrit deri tek më të rinjtë. Kjo duket nga mobilizimi pranë nesh dhe i organizatës rinore Klubi i Patriotëve të rinj. Komuniteti ynë, dikur minoriteti shqiptar në Greqi, me shtetësi greke, iu nënshtrua planeve për asgjësim apo shkulje nga territori i të parëve të vet prej qeverive greke që pasuan njëra-tjetrën nga viti 1915 deri në vitin 1950, nëpërmjet përdorimit të disa teknikave genocidale që autori më i njohur në botë për genocidin Raffael Lemkin do të konsideronte si: Teknika politike: diskriminim nga çdo lloj mundësie përfaqësimi politik në të gjitha nivelet e pushtetit, ndalimi të përdorimit të gjuhës, simboleve, arsimimit, etj. Heqja e shtetësisë greke në disa raste, më i fundit në vitin 1948 me ligjin grek, që i hoqi në mënyrë kolektive shtetësinë greke të gjithë shqiptarëve çamë të larguar me forcë në vitin 1944-1945. Ndonëse me ligjet greke të viteve 1970-1980, u lejua rikthimi në territorin grek i të gjithë ish shtetasve grekë të djathtë apo të majtë të larguar si pasojë e luftës civile greke, ky rikthim u ndalua për “ata që nuk kishin kombësi greke”. Pra, çamëve nuk iu lejua të përfitonte nga këto ligje, një diskriminim mbi motive kombëtare, i ndaluar nga Konventa Evropiane e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut, apo Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut e OKB-së; Teknikave sociale: shkatërrimit të identitetit kombëtar në fushat shoqërore, goditjes së klerit mysliman, të intelektualëve të komunitetit çam, etj; ndalimit të afirmimit të identitetit kombëtar në të gjithë mjediset publike, diskriminimit në punësim, në të drejta, etj; Teknikave kulturore: përvetësimit të monumenteve, historisë, valleve, këngëve, etj. Teknikave ekonomike: konfiskimi i pasurive, shpronësimet e ndryshme, reformave agrare të viteve nga 1923 deri në 1940 dhe që pasuan me ligje të tjera të viteve 1950-1960. Këto akte ligjore tentuan të fshijnë në kuadrin legjislativ grek çdo të drejtë pronësie të komunitetit tonë, minoriteti më i pasur etnik në Greqinë e veriut. Për t’u shënuar Ligji i Luftës 2636/1940, i cili vendosi në sekuestro konservative të gjithë pronat e shtetasve shqiptarë, dikur shtetas grekë të përzënë me forcë në vitet 1923-1940. Ky ligj është akoma në fuqi në të drejtën e brendshme greke për t’i ndaluar shqiptarëve të rikthehen në pronat e tyre.
Teknikave fizike: internime në vitin 1940, vrasje masive në vitin 1944 dhe në vitin 1945 dhe largim me forcë në qershor të vitit 1945 të rreth 30 mijë çamëve myslimanë që kishin mbetur në territorin grek, në vatrat e të parëve të tyre.
Çfarë kemi bërë dhe ç’duam ne
Komuniteti ynë nuk ka heshtur së kërkuari të drejtën e vet që nga vitet ‘20-‘40 të shekullit të kaluar duke shkuar deri në Lidhjen e Kombeve; apo më vonë pas Luftës së Dytë Botërore. Pas një heshtje të imponuar nga regjimi komunist, ky komunitet, më i organizuari, më i zëshmi mes të gjithë komuniteteve shqiptare që janë larguar me forcë nga Greqia apo nga vende të tjera fqinjë ka dërguar shumë peticione OKB-së, OSBE-së, Këshillit të Evropës, Bashkimit Evropian, Parlamentit Evropian, etj.
Ky krim shtetëror grek i kryer nga të gjithë qeveritë që kanë pasuar njëra-tjetrën prej viteve 1920 deri në vitin 1950, konsiderohet nga autorë grekë dhe ndërkombëtarë si “pastrim etnik”. Qeveritë demokratike greke ndërsa kanë pranuar ta shqyrtojnë këtë çështje në vitet e para pas vendosjes së pluralizmit në Shqipëri dhe marrëdhënieve normale diplomatike mes dy vendeve, sot e konsiderojnë si një çështje që “nuk ekziston”. Pavarësisht sesi përkufizohet, “pastrim etnik” apo “genocid”, ky krim kolektiv i shtrirë në kohë solli në asgjësimin apo largimin me forcë të një minoriteti mbi baza etnike dhe fetare nga territori grek. Sot sipas regjistrimit të popullsisë në Greqi, numri i shtetasve grekë që deklarojnë origjinën shqiptare është me gishtat e dorës. Ne sot kërkojmë nga bashkësia ndërkombëtare që t’i imponojë Greqisë, një shtet anëtar i NATO-s dhe Bashkimit Evropian: a)Pranim publik të fajit prej Greqisë, shtetit shkaktar të këtij genocidi; b) dëmshpërblime për familjarët e viktimave të pafajshme të këtij genocidi; c) Mundësi për anëtarët e Komunitetit tonë për të vizituar tokat dhe varret e të parëve; d) Ngritje e lapidareve apo monumenteve që nderojnë të vdekurit dhe të vrarët e asaj periudhe dhe heqje e memorialeve të atyre që shkaktuan masakrat mbi popullsinë shqiptare çame; e) Restaurim të së drejtës së pronësisë; f) Amendim të ligjeve të vitit 1970-1980 në ato nene që ndalojnë ish-shtetasit grekë me kombësi shqiptare të rikthehen. Këto nene bien në kundërshtim me European Convention of Human Rights apo Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut të OKB dhe Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, që ndalojnë çdo lloj diskriminimi mbi bazën e kombësisë; g) Realizim të së drejtës së rikthimit në tokat e tyre të të gjithë atyre që e duan një gjë të tillë duke rifituar statusin e para Luftës së dytë botërore; h) Kompensim eventual të pronave të konfiskuara, dhe pagim të gjithë detyrimeve ligjore nga shfrytëzimi i këtyre pronave, depozitave bankare, fabrikave, trojeve bujqësore apo për ndërtim, etj. e) Ndalimin e diskriminimit të vëllezërve çamë ortodoksë që jetojnë në trojet e tyre në Greqi dhe dhënien e të gjithë të drejtave si për çdo minoritet tjetër në përputhje me Konventat Ndërkombëtare për Minoritetet. Ne jemi të bindur se marrëdhëniet e mira fqinjësore midis Shqipërisë dhe Greqisë kalojnë nga një zgjidhje e drejtë e problemit çam. Ne kemi besim se qeveria e re e majtë greke në frymën e të gjithë qeverive të majta greke të Papandreut të vjetër, që hoqi gjendjen e luftës midis dy vendeve (megjithëse ligji i luftës mbeti në fuqi), të Simitisit që miratoi Traktatin e Miqësisë, do të marrin në shqyrtim këtë çështje me realizëm politik. Ne i kërkojmë dhe qeverisë shqiptare ta shtrojë sërish. Nëse ne nuk do të shohim asnjë përparim në këtë drejtim, ne do të përshkallëzojmë protestën tonë me të gjitha mjetet demokratike, politike, juridike, etj., deri në plotësimin e të gjithë të drejtave tona të ligjshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›