E Diel, 1 Nëntor 2026

Stadiumi i Shijakut, si po groposet nga mungesa e fondeve

 

Nga Shijaku,Ferdinand Dervishi

Ndanë fushës dinjitoze të futbollit të qytezës së Shijakut dhe tapetit të saj vezullues, ngrihen dy harqe gjigantë, të hekurt, në pamje të parë pjesë e një investimi misterioz, i lënë përgjysmë që në kohërat e diktaturës. Ky është mendimi që mund t’i lindë kujtdo e i vëzhgon nga larg. Por nga afër pamja është krejt e ndryshme. Krejt e kundërt. Dy harqet e hekurt janë pjesë e një stadiumi lojërash me dorë, të ndërtuara në vitet 2004-2005, pas lëvrimit nga fondet e shtetit të një shume prej 200 milionë lekësh të vjetra. Bëhet fjalë për një projekt që bashkia e këtij qyteti kishte përgatitur që në kohërat kur socialistët kishin maxhorancën qeverisëse, me një pjesë të fondeve të lëvruara, por të lënë përgjysmë dhe në harresë menjëherë pas ndryshimit të pushteteve. Dhe kjo ka ndodhur aspak sepse ky stadium apo njerëzit që e kanë ideuar apo iniciuar kanë ndonjë lidhje më hakmarrjet e politikës, por vetëm sepse fatura që duhet të paguhet është e madhe. Kjo sepse stadiumi është projektuar me parametra modernë, apo olimpikë, në gjuhën teknike, që e vendos në krye të listës së stadiumeve të lojërave me dorë në Shqipëri, edhe përmbi atë “Asllan Rusi”, të Tiranës. Saktësisht, që ai të marrë formën përfundimtare dhe të ketë në hyrje një shirit të kuq inaugurimi, për të shkurtuar me gërshërë, duhen edhe 1.2 miliard lekë të vjetra.
Me njerëzit që u dhemb
Njerëzit që na kanë sjellë në Shijak dhe drejtuar për te harqet gjigande të stadiumit për të “qarë hallet”, janë që të gjithë ish-volejbollistë të shquar të ekipit të Shijakut, të kohërave kur ai shkëlqente dhe aktualisht trajnerë të ekipeve të ndryshme, nisur nga ai kombëtar. Janë edhe që të gjithë shijakas, banorë apo të rritur këtyre anëve. Hasan Gurabardhi, një tip energjik, aktualisht është trajner i ekipit kombëtar të volejbollit të femrave si dhe i ekipit volejbollit të femrave të Tiranës, Agim Doraci është trajner i ekipit të volejbollit të meshkujve të “Teutës” së Durrësit, Edmond Jazexhiu - trajner i ekipit të volejbollit të femrave të “Teutës”, Hysen Xhani, volejbollist, nga më të mirët e prodhuar ndonjëherë në Shijak...
“Pikërisht prej mungesës së fushës së lojërave me dorë janë shkrirë ekipet e Shijakut, nuk marrin pjesë në aktivitetet kombëtare që nga 2008”, thotë Hasan Gurabardhi. I njëjti rrëfen se si në vitet 1996-1999 ekipi i Shijakut, “Erzeni”, ka merituar shpalljen 3 herë kampion kombëtar, ka marrë dy kupa të Republikës dhe dy superkupa, më ’97 ka kaluar edhe turin e parë të Kupës së Kampioneve të Evropës, ndërsa aktualisht ekipi i qytetit, për shkak të mungesës së fushës, është shpërndarë në ekipe të tjerë të kategorisë së parë. “Prandaj jemi të shqetësuar, sepse Shijaku ka pasur një fidanishte volejbolli...”, e përmbyll protestën e vet trajneri i ekipit kombëtar të volejbollit të femrave. Të njëjtat thonë edhe kolegët e tij. Madje numërojnë edhe lojtarët që kanë ikur në ekipet e tjera, sepse me anë të një rregulloreje të vitit 1988, nuk lejohet që këto sporte të luhen në terrene të hapura. “Kemi tre lojtarë tek ekipi kampion ‘Studenti’, dy te ‘Dinamo’, pesë tek ‘Teuta”, thotë Agim Doraci, trajneri i ekipit të volejbollit të meshkujve të “Teutës” së Durrësit. Flasin të gjithë me radhë dhe argumentet që thonë shkojnë e ngecin në nofullat e hapura të dy harqeve gjigandë të fushës së lojërave me duar të Shijakut, ku edhe janë fikur prej disa vitesh motorët e dëshirave jo vetëm të tyre, por edhe të gjithë banorëve të zonës, që për shkak të sukseseve të pazakonta të viteve 1996-1999 thjesht e kanë dashuruar sportin e volejbollit.
Fusha me përmasa olimpike
“Kjo është një histori e vitit 2004. Në këtë kohë është bërë projekti dhe pasi është pranuar, shteti nisi me lëvrimin e fondeve. Në fillim 50 milionë të vjetra, më pas, më 2005 edhe 150 të tjera. U ndërtua bazamenti modern dhe dy harqet e parë, por që të shkohet deri në fund duhen edhe rreth 1.2 miliard lekë të vjetra. Këtu ka ngecur”, shpjegon trajneri i kombëtares së femrave, Gurabardhi. Sipas të njëjtit, fusha që në projekt është llogaritur të ketë përmasa olimpike, që plotësojnë standardet aktuale sportive botërore. Ajo do të jetë me skelet të veshur me xhama, që ditën të luhet me dritë natyrale. Por edhe elementët e tjerë të fushës janë përllogaritur të jenë ata aktualë, që njihen nga standardet ndërkombëtare për fusha të tilla. “Patëm një incident në pallatin e sportit ‘Asllan Rusi’ pak ditë më parë me një ekip zviceran nga Berna. Ata, kur panë fushën, refuzuan të luanin. Sepse ishte jashtë standardeve. Mezi u bindën...”, tregon një histori kuptimplote trajneri Gurabardhi. Sipas tij, nëse shteti do të kthejë sadopak vëmendjen nga kjo fushë, ku tashmë janë hedhur një pjesë të fondeve, veç rizgjimit të traditës së volejbollit në Shijak, zgjidhet edhe problemi i të gjitha ndeshjeve ndërkombëtare. “Sepse, nëse ndërtohet ashtu siç është parashikuar në projekt, kjo fushë mundëson zhvillimin e aktiviteteve ndërkombëtare. Kaq mendoj se mjafton për të tërhequr vëmendjen e pushtetarëve apo politikanëve që drejtojnë këtë vend. Përndryshe groposja e këtij investimi nuk përligj asgjë, për më tepër premtimet e bëra para banorëve të zonës gjatë fushatave elektorale”, e mbyll trajneri Gurabardhi, shoqëruar nga gjestet pohuese të kolegëve.

Flet Kryetarja e Bashkisë së Shijakut, Afërdita Alite
 “Njerëzit e shtetit tërhiqen sa herë dëgjojnë shumën”

“Pushtetarët tërhiqen sa herë që dëgjojnë shumën e të hollave që duhet për të përfunduar stadiumin e lojërave me dorë”, thotë Afërdita Alite, Kryetarja e Bashkisë së Shijakut, që mirëpret në zyrën e saj me një projekt në tryezë. Është projekti i fushës së lojërave me duar, që sipas kryetares është hartuar më vitin 2004 dhe ka nisur të financohet me fonde të shtetit po në vitin 2004. Kryetarja shpjegon se për të përfunduar këtë projekt ka ndërhyrë e kërkuar të holla sa herë që ka mundur, por nuk ia ka arritur. “Sa dëgjojnë se duhen rreth 1.2 miliard lekë të vjetra, pushtetarët tërhiqen”, thotë Alite. Nga ana tjetër, po sipas shpjegimit të kryetares, vetë Bashkia e Shijakut është e pafuqishme të ndërhyjë me fonde, pasi nga bizneset e zonës mblidhen pak taksa, që mezi përballojnë nevojat më parësore. “Kështu, mundësia e bashkisë është zero. Vetëm shteti mund të realizojë atë që është nisur. Unë i kam luajtur të gjithë gurët, edhe deputeti i zonës, zoti Osman Metalla, është investuar në këtë drejtim, por nuk kemi mundur. Kemi parë edhe mundësinë e ndonjë donacioni nga të huaj, por ende asgjë. Gjithsesi, një investim i tillë i lënë përgjysmë duhet t’i rëndojë më shumë shtetit, pasi këto raste kanë edhe përparësi”, e mbyll bisedën kryetarja e Bashkisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›