E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në emër të Maries, Ndal gjakmarrjes, tubim qytetar në Shkodër

Shkodër- Reagimi i shoqërisë civile kundër fenomenit të ngujimit dhe gjakmarrjes mblodhi qindra qytetarë në Shkodër, në një tubim-proteste dhe marshimi-homazh, në emër të Maries, vajzës 17- vjeçare të vrarë për gjakmarrje disa javë më parë.

Pas tubimit të organizuar në Tiranë, nën moton Në emër të Maries, Ndal gjakmarrjes, marshimi i radhës ishte në qytetin e Shkodrës, ku ndodhet edhe numri më i madh i qytetareve të prekur nga fenomeni i gjakmarrjes dhe ngujimit.

Gazetari dhe drejtuesi i Alternatives Civile, Mentor Kikia, u bëri thirrje qytetarëve të ngrejnë zërin e protestës ndaj këtij fenomeni brutal të shkeljes së të drejtave të njeriut, i bëri thirrje shtetit që të godasë me forcën e ligjit këtë krim që vazhdon ende të shkaktojë viktima, por u bëri thirrje edhe njerëzve që ende dhe sot i nënshtrohen një zakoni mesjetar, duke vrarë e detyruar të tjerët të ngujohen në emër të vetëgjyqësisë. Kikia i bëri thirrje atyre që janë përfshirë në këtë fenomen që të lënë mënjanë hasmëritë dhe të punojnë për të përmirësuar ekonominë e familjeve të tyre.

Një fëmijë, familja e të cilit është e prekur nga plaga e gjakmarrjes, bëri thirrje që të veprojë shteti dhe tu garantojë lirinë të gjithë fëmijëve të ngujuar. Pjesëmarrësit në këtë tubim lëshuan qindra tollumbace në ajër, të cilët shpërndarë mbi qytet mesazhe paqeje dhe apeli për drejtësi. Më pas ata firmosën në banera për tu shprehur kundër gjakmarrjes dhe shpërdorimit që i bëhet kanunit. Pas kësaj, pjesëmarrësit me qirinj dhe portretin e Maries në dorë marshuan përgjatë rrugës pedonale.

Protestuesit u ndalën pikërisht pranë skenës ku po pergatitej të fillonte festivali kombëtar i këngës për fëmijë. Për një orë skena heshti për tu bashkuar me revolten kundër vdekjes dhe ngujimit të fëmijëve.

Alternativa Civile, thekson se do të vazhdojë organizimi i të tilla tubimeve edhe në qytete të tjera të vendit, në mënyrë që shoqëria të ushtrojë presion ndaj organeve të shtetit për marra masa të forta kundër këtij fenomeni. Tubimit në Shkodër iu bashkua lëvizja Shqipëria e Re, studentë dhe pedagogë të universitetit privat Vitrina, të rinj të organizatave fetare në Shkodër, qytetarë dhe intelektualë etj.

Sipas statistikave të policise në qarkun Shkodër jane te përfshirë nga fenomeni i gjakmarrjes dhe konflikteve të tjera 200 familje, nga të cilat 48 familje me 116 persona janë të ngujuar. 21 familje dhe 2 studentë kanë ndërprerë mesimet, si pasoje e ngujimit. Ndërkohë që statistikat e organizatave të shoqërisë civile tregojnë shifra edhe më të larta.

/IDEA/

alternativa-ne-shkoder-3 alternativ-ane-shkoder alternativa-ne-shkoder-2

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›