E Diel, 1 Nëntor 2026

Në fundjavë, PD mund të mbledhë Këshillin Kombëtar

Selia blu
Po shqyrtohet mundësia për mbajtjen e tij një ditë pas nisjes së negociatave

Partia Demokratike mund të organizojë të dielën e kësaj jave edhe mbledhjen e Këshillit Kombëtar. Burime pranë PD-së bëjnë të ditur se po shqyrtohet mundësia për mbajtjen e kësaj mbledhjeje një ditë pas nisjes së negociatave mes Kryeministrit Berisha dhe kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama. Anëtarët e këshillit të zgjedhur në fundin e muajit dhjetor tashmë do të kryejnë detyrën e tyre për të zgjedhur edhe anëtarët e rinj të Kryesisë së Partisë Demokratike dhe sekretariatin. Po kështu, burimet bëjnë të ditur se ndryshime të rëndësishme do të ketë në të dyja organet e larta drejtuese, nisur edhe nga ndryshimet e thella që u bënë në anëtarësinë e Këshillit Kombëtar të PD-së. Nga ana tjetër, PD-ja pritet të ruajë të njëjtin numër anëtarësh edhe në kryesinë e saj të re. Burimet bëjnë të ditur se emrat më të favorizuar për të qenë pjesë në Kryesinë e re janë edhe 30 emrat e zgjedhur me më shumë vota në Këshillin Kombëtar. Mes favoritëve, pritet që për herë të parë në kryesi të hyjnë deputete si Mesila Doda, Rajmonda Bulgu, prefekti i Rrethit të Tiranës, Keltis Kruja dhe zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli. Statuti i PD-së thekson se kandidaturat për përzgjedhjen e 27 anëtarëve nuk duhet të jenë më të pakta se 70. Po kështu, sipas statutit, Kryeministri Berisha do të zgjedhë kandidaturat mes të cilave do të zgjidhen fituesit. Këshilli Kombëtar pritet të zgjedhë edhe sekretariatin, i cili përfshin sekretarin e përgjithshëm të partisë, nënkryetarët dhe sekretarët.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›