SHBA dhe OSBE: Zgjidhni sa më shpejt ngërçin politik
Dy selitë diplomatike, mesazh politik para takimit të së shtunës
Ndërkombëtarët vazhdojnë presionin pozitiv ndaj politikës shqiptare, që të arrijnë marrëveshjen e kërkuar politike në tryezën e thirrur nga kreu i shtetit, ditën e shtunë. Në dy deklarata publike, Shtetet e Bashkuara edhe Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë i kanë dhënë mbështetje të fuqishme Presidentit të Republikës në rolin negociues dhe i kanë kërkuar mazhorancës dhe opozitës që të mos humbin shansin për vendin që të kapërcejë ngërçin politik. Edhe pse nuk e kanë cilësuar “krizë”, siç e thekson Rezoluta e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, SHBA dhe OSBE kanë lëshuar një mesazh të fortë për të dalë nga bllokimi aktual.
SHBA
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka qenë protagoniste në procesin maratonë të negociatave për të ulur në një tryezë Ramën dhe Berishën. Përveç pjesëmarrjes aktive të ambasadorit John Withers në këtë proces, përfaqësia diplomatike e Uashingtonit në Tiranë ka lëshuar dje një deklaratë ku i jep mbështetje të fortë tryezës së thirrur nga Presidenti. Në këtë deklaratë theksohet se “Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht përpjekjet e Presidentit Topi dhe Këshillit të Europës për të ndërmjetësuar bllokimin e vazhdueshëm të situatës politike. Në këtë kontekst, ne përshëndesim udhëheqjen e Presidentit shqiptar Topi, në mbikëqyrjen e diskutimeve midis qeverisë dhe opozitës që do të fillojë më 13 shkurt”. Gjithashtu ambasada e SHBA lëshoi edhe një mesazh ndaj palëve në bisedimeve, ku thekson: “Ne besojmë se ky proces ofron një mundësi të rëndësishme për zgjidhjen pa vonesë të mëtejshme të ngërçit aktual politik. Ne i bëjmë thirrje të gjitha palëve të përfitojnë nga kjo mundësi. Një zgjidhje e shpejtë e ngërçit do të mundësojë që palët të përqendrohen në axhendën euroatlantike të Shqipërisë”.
OSBE
Pas SHBA-së, dje ka reaguar edhe Prezenca e OSBE-së në Tiranë, kreu i së cilës, Robert Bosch, ka qenë ndër diplomatët aktivë në “beckraund”-in e bisedimeve joformale të udhëhequra nga ndërkombëtarët për të ulur në një tavolinë Kryeministrin Sali Berisha dhe liderin e opozitës, Edi Rama. Në një deklaratë publike, të shpërndarë dje, theksohet se “Prezenca e OSBE-së në Shqipëri mirëpret ngrohtësisht nismën e Presidentit të Republikës së Shqipërisë për të organizuar një tryezë politike të rrumbullakët, ditën e shtunë, si një hap konstruktiv dhe inkurajues drejt zgjidhjes së ngërçit politik aktual. I mirëpresim, gjithashtu, edhe reagimet publike pozitive të drejtuesve të Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste lidhur me pjesëmarrjen e tyre të plotë dhe aktive për të shqyrtuar bashkërisht mënyrat në të cilat mund të kapërcehen vështirësitë”.
Vetë ambasadori Robert Bosch, në një deklarim publik të dhënë më shumë se një javë më parë, se Rama dhe Berisha duhet të mblidhen sa më shpejt, ka propozuar si variant negociatash, bisedimet jopublike, të cilat më pas janë konkretizuar si nga ambasadorët ashtu edhe nga Presidenti. Tryeza politike e thirrur nga kreu i shtetit mund të cilësohet me plot gojë edhe nisma më e madhe diplomatike e ndërmarrë nga i gjithë komuniteti ndërkombëtar që monitoron Shqipërinë dhe asiston procesin e integrimit. Kështu gjithçka u nis nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës më 28 janar, ku u miratua edhe rezoluta që e cilësoi Shqipërinë të zhytur në krizë dhe më pas u konkretizua nga aksioni i ambasadorëve. Në një aksion të paprecedentë, ambasadorët e BE-së, Montobjo dhe Lohan, ambasadori amerikan Withers, ambasadori gjerman Botchardt dhe kreu i Prezencës së OSBE-së, Robert Bosch, kanë kryer një seri negociatash së bashku me Presidentin Topi për të ulur në tryezë dy rivalët politikë shqiptarë. Qëllimi i parë pati sukses: tryeza është të shtunën, por marrëveshja është në dorën e Berishës dhe Ramës.
#