Reagon prokuroria: Gjykata na dha të drejtë
Nisur nga deklarimi para Komisionit të Ligjeve të Kuvendit i inspektorit të përgjithshëm të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë se prokuroria përdor standarde të dyfishta në hetimin e rasteve të referuara nga ILDKP-ja, Prokuroria e Përgjithshme sqaroi dje, se prokuroria vendimmarrjen, në rastin e hetimeve penale, e bazon në provat e administruara gjatë hetimit nga policia gjyqësore. “Në rastin kur pushohen hetimet, vendimet e prokurorisë në bazë të ligjit janë të ankimueshme në gjykatë dhe te prokurori më i lartë”, thuhet në deklaratën reaguese. Prokuroria gjatë vitit 2009, vijon sqarimi, për kallëzimet e paraqitura nga ILDKP-ja, ka pushuar hetimet për shtetasin Florian Nova me detyrë ambasador, shtetasin Arjan Ndoja me detyrë prokuror dhe shtetasin Shpëtim Guxholli me detyrë inspektor tatimesh në Korçë. “ILDKP-ja është njohur rast pas rasti me vendimet e pushimit dhe ka ankimuar në gjykatë vendimet e pushimit vetëm për shtetasit Florian Nova dhe Arjan Ndoja. Gjykata e Tiranës me vendimet Nr. 1466, datë 25.11.2009 dhe Nr. 523, datë 22.04.2009, ka lënë në fuqi vendimet e pushimit të prokurorisë si të bazuara në prova dhe ligj. Fakti që vendimet e pushimit të prokurorisë të ankimuara nga ILDKP-ja janë konsideruar të drejta nga gjykata, tregon se vendimmarrja e prokurorisë nuk ka qenë me standarde të dyfishta, por e bazuar në ligj”, thuhet në njoftimin e organit të akuzës. Zyrtari i lartë i emëruar nga Kuvendi, vijon njoftimi, për të cilin ILDKP-ja pretendon se janë mbyllur hetimet pa të drejtë nga prokuroria, është shtetasi Detar Hysi me detyrë anëtar i KKRTSH-së. “Ky është një rast i vitit 2008 i kallëzuar nga ILDKP-ja për refuzim deklarimi nga shtetasi Detar Hysi. Prokuroria ka vendosur pushimin e hetimeve, për faktin se ILDKP-ja nuk kishte ezauruar më parë masën administrative që kërkon neni 257/a, paragrafi 2 i Kodit Penal. Vendimi i pushimit i është bërë prezent ILDKP-së dhe nuk është kundërshtuar nga ana e tyre as në gjykatë dhe as te prokurori më i lartë”, informon prokuroria.
#