E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në gjendje kritike 18-vjeçari i rrahur nga policia

Autori i Lajmit: red.
Është sjellë në Tiranë për një mjekim më të specializuar 18-vjeçari i rrahur nga policia, pak ditë më parë. Burime nga uniformat blu bëjnë të ditur se 18-vjeçari është transportuar dje për në kryeqytet, por gjendja e tij shëndetësore vazhdon të mbetet e rëndë. Ndërkohë që kanë nisur hetimet në lidhje me policin e dyshuar si autor të skandalit, kanë reaguar dhe partitë politike. Kështu kryetarja e Grupit të Partisë Socialiste ka deklaruar dje se një përfaqësi e lartë e këtyre deputetëve ka vizituar dje në spitalin e burgut në Tiranë djalin 18-vjeçar, të keqtrajtuar, me fraktura dhe plagë të rënda në trup. Kryetarja e Grupit të PSSH, Valentina Leskaj, duke folur për mediat, ka dhënë vlerësimin e saj, politikisht, për keqtrajtimin e këtij të riu e dhunën e ushtruar mbi të. Në spital kanë qenë dhe deputetët Isaraj dhe Ulqini. "Askush nuk ka të drejtë, qoftë ky funksionar apo polic, që të shkelë të drejtat e liritë e njeriut. Mendoni një djalë të ri, i cili është kapur me bukë, djathë dhe domate për të kaluar kufirin dhe është trajtuar në mënyrën më çnjerëzore, duke i shkaktuar dëmtime në kokë, në krah, në trup. Unë besoj se kjo është një ngjarje shumë e rëndë, ku janë shkelur në mënyrë flagrante të drejtat e njeriut. Është një ngjarje shumë e dhimbshme. E them që është shumë e dhimbshme, jo vetëm si politikane, po edhe si nënë duke parë një djalë të ri të trajtohet në mënyrën më çnjerëzore nga Policia e Shtetit". Ndërsa nënkryetari i Grupit, njëkohësisht deputeti i Vlorës, Arben Isaraj, u shpreh: “Është e çuditshme të sillen në këtë mënyrë dhe të keqtrajtojnë kështu një të ri, në një kohë kur Prokuroria shqiptare kërkonte të ndalonte për ta pyetur Fazliçin që pastronte paratë në Shqipëri. E kjo, nuk ndodhte nga Policia e Shtetit, policia nuk veproi. Përkundrazi, policia e mbronte, i mbante avionin dhe e lejonte të udhëtonte jashtë. Aq më tepër, ne jemi të shqetësuar edhe për bërjen e veshit shurdh të organeve të tjera që ndihmojnë drejtësinë shqiptare në këto raste." I riu Gllucaj është keqtrajtuar e torturuar nga Policia e Shtetit, sa në sallën e gjyqit i ka rënë të fikët. Ky rast është denoncuar dhe nga Avokati i Popullit.
Ky lajm është publikuar: 15/11/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›