E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vllaznia përmbys Tiranën, tani +1

Vllaznia ka besuar dhe më në fund ia ka arritur. I rrëmben kreun Tiranës dhe vendos distancën +1 pikë me rivalen më të ashpër në luftën për titullin kampion. Rikonfirmohet edhe një herë mundësia për të pasur një finale mes këtyre dy skuadrave në javën e fundit të sezonit për të përcaktuar se cili do të jetë kampioni.

Emocionet kanë qenë të pafundme në sfidën e luajtur në Kavajë mes Besës dhe Tiranës, ku bardheblutë kanë hedhur një hap fals, duke mos shkuar dot më tej se një barazim 1-1. Dy gola, tre kartonë të kuq, një ndeshje e përjetuar me ankth dhe emocione deri në fërshëllimën e fundit të gjyqtarit. Nuk ka munguar as tensioni, si në fushë ashtu edhe në tribuna. Barazimi ka ardhur përmes një loje interesante dhe shumë luftarake. Pjesa e parë është luajtur e barabartë nga të dyja skuadrat, që kanë bërë një lojë të hapur, me sulme të njëpasnjëshme. Tirana kalon në avantazh e para në minutën e 23 me bomberin e kampionatit, Migen Memmellin. Ndeshja dukej se po ecte në shinat e dëshiruara nga Tirana. Situata u përforcua edhe më shumë pas daljes me karton të kuq të Prognit, gjë që shkaktoi tension mes lojtarëve të të dyja ekipeve. Besa kryen ndërrime në fillimin e pjesës së dytë dhe shfaqet më agresive. Ushtron presion, luan një lojë më të mirë, ndërsa Tirana vuan për minuta të tëra. Bardheblutë zhgënjejnë shumë në fillimin pjesës së dytë ku nuk kanë mundur ta kthejnë në favor të tyre inferioritetin numerik të kavajasve. Por, megjithatë u jepet një rast për të dyfishuar rezultatin, i cili do të shpërdorohej. Shkëlqen Fotunat, në një aksion personal, futet në zonën e bardhebluve dhe shënon golin e barazimit, që ka entuziazmuar tifozerinë vendase. Minutat në vazhdim japin të tjera emocione. Loja është ndezur kur skuadrat janë hedhur në kërkim të golit të fitores dhe rreziku është i pranishëm te të dyja portat. Tirana provon me Patushin, ndërsa Besa kundërpërgjigjet sërish me Fortunat, i cili shmang mbrojtësit e avancuar të Tiranës, më pas edhe Nallbanini, por ai e ndal në mënyrë të parregullt dhe del me karton të kuq. Tensioni vazhdon deri në minutat e fundit, kur del me karton të kuq edhe Lila i Tiranës, për gjeste të pahijshme.

Vllaznia ka marrë një fitore të merituar në Lushnjë ndaj Shkumbinit dhe i ka rrëmbyer kreun Tiranës. Kuqeblutë vuajnë në fillim, pasi u duhet ta nisin lojën në dizavantazhin e një goli. Pa kaluar 60 sekonda nga fillimi i takimit, Rizvanolli shmang dy mbrojtës shkodranë dhe më pas mposht portierin Grimaj. Vllaznia, e shokuar, kërkon me ngulm barazimin, që vjen në minutën e 30‘. Goditje nga jashtë zonës, Llanit i shpëton topi nga duart dhe Sukaj është aty për të shënuar, 1-1. Shkumbini provon sërish dhe humb një mundësi shumë të mirë për të shënuar golin e dytë. Në pjesën e dytë, në minutën e 61‘, për avantazhin e Vllaznisë mendon Shtupina: Në një aksion vetjak, ai shmang mbrojtësit e skuadrës së peqinasve dhe më pas shënjestron saktë në portën e Llanit. Ky gol vlen jo vetëm për fitore, por edhe për t‘i rrëmbyer vendin e parë Tiranës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›