E Diel, 1 Nëntor 2026

Në gjyq 3 policët italianë, rrahën 15-vjeçarin shqiptar

28/04/2009  Dëshmia e djaloshit: Më goditën disa herë. Pala mbrojtëse mohon akuzën

TORINO- Tre agjentë të policisë torineze duhet të përgjigjen para drejtësisë për dhunë të ushtruar ndaj një minoreni shqiptar dhe racizëm. Ishte mbrëmja e 25 shtatorit të vitit 2007, kur në Porta Nuova një 15-vjeçar shqiptar kishte denoncuar për dhunën e ushtruar ndaj tij.

Dëshmia e 15-vjeçarit

I mituri N. J. ka denoncuar tre policët me fjalët: “Një polic më ndaloi dhe më pyeti nëse kisha dokumente identifikimi me vete. Të vetmin dokument qe kisha ishte një teserë shëndetësie. Agjenti më tërhoqi nga krahu dhe më drejtoi tek një dhomë. Sapo hyra brenda ndjeva një goditje pas shpine dhe një tjetër në kofshën e djathtë. U ktheva dhe i thashë që çfarë je duke bërë, jam minoren, por ai mu përgjigj që nuk i bëhej vonë. Më tërhoqi më pas nga të dyja krahët dhe më dha dy shkelma në kofshë. Shkova drejt qoshes së dhomës dhe ngrita krahët që të mbrohesha. Në këtë moment u godita pesë a gjashtë herë në pulpën e djathtë dhe e përplasa kokën pas murit. Teksa polici më qëllonte unë thoja mjaft, e kuptova gabimin, kërkoj falje, por polici më përgjigjej, s’më bëhet vonë shqiptar m..., rri urtë”.

Pala mbrojtëse

Sakaq, ky version është kundërshtuar nga agjentët e akuzuar. Pas një vizite mjekësore doktoresha Patrizia Mazzuço ka lëshuar një shkresë ku vërtetohen shenja dhune. Procesi gjyqësor pritet të fillojë në javët në vijim, ku nën akuzë do të jenë policët Ambrogio Pirajno, 28 vjeç, Michele Cazzolla, 43 vjeç dhe Roberto Molino, 32 vjeç. Në versionin e njërit prej të akuzuarve, i mituri N. J. ishte ndaluar për disa verifikime dhe ndaj tij nuk ishte ushtruar dhunë. Ndërkaq, për avokatin mbrojtës të tërë policëve, Loredana Gemelli, versioni i djaloshit shqiptar nuk qëndron për disa arsye. E para, është se ai ka njohur vetëm njërin prej policëve dhe në pantallonat e tij xhinse kishte shenja të çuditshme, ndërsa disa të dhëna të 15-vjeçarit janë kontradiktore. Për më tepër, avokati shtoi se 3 agjentët ishin shembullorë në sjelljen e tyre dhe nuk përbënin ndonjë rrezik. Sipas avokatit, ata janë njerëz të besueshëm, ndërsa nga të gjitha dëshmitë e të pranishmëve atë natë nuk është vërtetuar që ndaj djaloshit ishte ushtruar dhunë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›