Vihen në pranga dy vetë, vodhën 5 automjete
DURRËS/ Policia ka ndaluar Mjaltor Lalën dhe Dashamir Xhepën, për vjedhje të kryera në qytetin bregdetar
DURRËS - Vjedhja e disa automjeteve dhe më pas e një arme gjahu ka vënë në lëvizje strukturat e policisë, që në orët e vona të mbrëmjes së të shtunës kanë vënë në pranga 35-vjeçarin Mjaltor Lala, i lindur dhe banues në lagjen nr.16 të qytetit të Durrësit. Burime zyrtare nga uniformat blu shprehen se arrestimi i tij është bërë pas dokumentimit se ai ishte autori i vjedhjes së tre automjeteve në qytetin bregdetar, si dhe i një arme gjahu. Vjedhjet mësohet të kenë ndodhur në muajt tetor e dhjetor, ndërsa mësohet se automjetet ishin të tipit "Fiat", si dhe "Benz". Por gjithashtu, shenjat e gishtërinjve të Lalës, mësohet të jenë zbuluar edhe në vendin ku u vodh një armë zjarri, ngjarje e ndodhur në muajin nëntor. Vjedhja e armës së gjahut është kryer në lagjen ku banonte 35-vjeçari, teksa, sipas policisë, ai ka thyer xhamin anësor të një mjeti tip "Opel", për të marrë armën e zjarrit. Nga ana e bluve bëhet e ditur se po në lagjen nr.16 të Durrësit janë gjetur tre automjetet e vjedhur, me targa DR 8312 B, DR 5115 B, si dhe AZ 359 VH. Ende nuk është bërë e mundur gjetja e armës së gjahut, për të cilën dyshohet se 35-vjeçari e ka shitur.
Ndërkohë, një tjetër person me banim në Tiranë është vënë në pranga nga policia mbrëmjen e së shtunës, po për vjedhje. Mësohet se ai ka vjedhur në lagjen nr.13 të Durrësit, një automjet tip "Benz" me targa DR 2352 D. Pas konstatimit të vjedhjes së automjetit, pronari ka njoftuar policinë, e cila ka ndaluar Dashamir Xhepën, me banim në lagjen "Kombinat" në Tiranë. 24-vjeçari dyshohet edhe për vjedhjen e një tjetër automjeti tip "Benz", vjedhje e kryer në bashkëpunim me një tjetër shtetas. Të dyja autoveturat janë gjetur dhe sekuestruar nga policia.