E Hënë, 2 Nëntor 2026

Prokuroria e Përgjithshme merr për verifikim dosjet e Hipotekës

21/05/2005  Prokuroria e Përgjithshme ka tërhequr për verifikim rreth 15 dosje, të cilat kanë qenë në ngarkim të punonjësve të Hipotekës dhe të sekserëve që janë denoncuar për mashtrime e falsifikime nga qytetarët. Bëhet fjalë për të gjitha dosjet hetimore që kanë si subjekt të tyre veprimet e paligjshme që janë kryer në emër të Hipotekës së Tiranës. Këto dosje, që i përkasin periudhës kohore të viteve 2001-2004, janë tërhequr nga Prokuroria e Përgjithshme disa ditë më parë, me qëllim verifikimin e hetimit të kryer dhe për të parë mundësinë e veprimeve të reja. Lajmi është bërë i ditur dje nga burime pranë organit qendror të akuzës, të cilat sqaruan se këto dosje do të përdoren edhe për një studim të veçantë në kuadër të luftës kundër krimit ekonomiko-financiar. Sipas Prokurorisë, disa prej dosjeve kanë qenë të pushuara dhe disa të tjera të pezulluara për mungesë provash. Kanë qenë kallëzime nga qytetarë të ndryshëm ndaj punonjësve të Hipotekës për falsifikim dokumentesh dhe veprime arbitrare, subjekti i këtyre dosjeve hetimore. Gjithashtu, ka edhe nga ato çështje, ku të akuzuar kanë qenë persona në rolin e sekserit, ku u kanë kërkuar qytetarëve para për të siguruar dokumentacion të ligjshëm apo të paligjshëm. Burimet e akuzës pohojnë se kanë qenë raste të ndryshme të falsifikimit të dokumenteve të pronësisë në Hipotekë si dhe lëshime të dokumenteve false, që e kanë bërë serioze këtë çështje. Kjo, pasi si pasojë e këtyre falsifikimeve dhe veprimeve arbitrare, kanë lindur konflikte të ashpra pronësie mes personave të ndryshëm, që kanë siguruar në rrugë të ligjshme e të paligjshme dokumente të hipotekuara të pronësive. Por një pjesë e çështjeve janë pushuar dhe pezulluar për mungesë provash, thonë burimet. Dhe për këtë shkak është vendosur verifikimi i hetimit të kryer, për të vërejtur nëse ka pasur apo jo elementë apo veprime hetimore të tjera për t’u kryer, përfundojnë burimet e Prokurorisë së Përgjithshme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›