E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në janar strategjia për shpërblim të drejtë të pronave

"Tashmë jemi në stadin e miratimit të një dokumenti kyç përfundimtar strategjik, i cili do të prezantojë një vizion të qartë dhe prioritete specifike, të matshme, të arritshme dhe të monitorueshme”, theksoi ai.

Sipas tij, “strategjia kombëtare e pronës do të miratohet  në muajin e ardhshëm, do të këtë një plan veprimi konkret dhe plan masash krejtësisht objektive që synojnë digjitalizimin tërësor të regjistrit të tokës dhe pronave në Shqipëri dhe të implementojmë përfundimisht dhe modelin e zgjedhur për shpërblimin e drejtë dhe të plotë të sistemit të pronave”.

Kreu i drejtësisë ishte i përanshëm sot në një tryezë të rrumbullakët "Kapacitetet e brendshme efektive për zbatimin e shpejtë të vendimeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, ku merrnin pjesë përfaqësues të 33 shtete anëtare të Këshillit të Evropës.

"Strategjia kombëtare e pronësisë, e qeverise shqiptare, e cila është duke u konsultuar me ekspertet më të mirë vendas dhe të organizmave ndërkombëtare, do të paraqesë në mënyre specifike parimet e dimensionit kushtetues që lidhen me “interesin publik”, “shpërblimin e drejtë”, parimin e drejtësisë, të proporcionalitetit dhe të shtetit social, duke u bazuar absolutisht ne elaborimin e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe gjetjet dhe rekomandimet e Memorandumit të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës”, tha Halimi.

Tryeza e rrumbullakët e zhvilluar sot kishte si synim sigurimin e një forumi në të cilin shtetet anëtare të KiE mund të shkëmbejnë eksperiencën e tyre lidhur me kapacitetet vendase për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Evropianë të të Drejtave të Njeriut. /Start/

                                                                                             2011-12-15 15:15
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›