E Diel, 1 Nëntor 2026

Në jetimore 9 fëmijë, prindërit nuk mund t’i mbanin

22/11/2011  Në Elbasan operojnë 4 qendra të këtilla të mbuluara me histori të trishta

ELBASAN- Përfundojnë në jetimore 9 fëmijë të mitur, njëri prej të cilëve vetëm disa muaj. Shkaqet janë të ndryshme, por në shumicën e rasteve fëmijëve ju ka vdekur njëri prind dhe kryesisht nëna apo edhe problemet ekonomike. Zyra rajonale e Shërbimit Social Shtetëror i përcjellë Komisionit të Vlerësimit të Nevojave në Këshillin e Qarkut Elbasan. Rastet që paraqiten për t’u sistemuar në jetimore janë nga më të ndryshmet. Shkak kryesor është gjendja ekonomike, por edhe vdekja e njërit prind dhe kryesisht nënës. Fëmija më i mitur që sistemohet në jetimore është D. R i lindur më 15 shkurt 2011 nga Shkodra. Nëna e saj ka ndërruar jetë dhe gjyshi i fëmijës është detyruar për arsye ekonomike të kërkojë që fëmija të strehohet tek jetimorja “Nënë Tereza” që pranon edhe më të miturit. Ndërkohë rasti i dy vajzave 11 dhe 7 vjeç nga Karbunara e Lushnjës shtrohet si vështirësi ekonomike për të atin për të sistemuar dy fëmijët e lënë jetim nga nëna në jetimoren “Orët Fatlume”. Në raste të tjera është nëna që i drejtohet institucioneve për fëmijën e saj nga vështirësitë ekonomike. Xh. P 12 vjeç pritet të sistemohet në qendrën rezidenciale “Tjetër Vizion” nga kërkesa e nënës së tij që ka vështirësi në përballimin e jetesës në Devoll të Korçës.

Të braktisësh fëmijën...

Ka edhe raste kur prindërit për shkak të vështirësive ekonomike i drejtohen jetimoreve për të sistemuar fëmijët e tyre. Kështu një djalë 9 vjeç është sistemuar në qendrën “Nën Tereza”, pasi prindërit e tij nga Tunja e Gramshit e kanë pasur të vështirë ta mbajnë me ushqim. Një rast ngjashëm vjen nga Tirana. Një djalë 11 vjeç është kërkuar të sistemohet për arsye ekonomike e shëndetësore në qendrën “Misionarët e Bamirësisë” në Elbasan. Një foshnje me inicialet S. J vetëm 5 muaj është “braktisur” nga nëna e saj pasi e kishte sjellë në jetë jashtë martese. Fëmija 5 muajsh është sistemuar përkohësisht në qendrën “Nënë Tereza”. Por historia më e dhimbshme është ajo e dy binjakeve nga Elbasani. Vajzat 9-vjeçare kanë humbur nënën e tyre dhe babai për arsye ekonomike dhe vështirësitë e mëdha për rritjen e dy vajzave është detyruar të kërkojë strehimin e tyre në qendër rezidenciale.

Jetimoret e Elbasanit

Elbasani numëron 4 qendra rezidenciale ku strehohen fëmijë me probleme sociale dhe jetimë.

Në një lagje të qytetit, në një banesë të bukur e komode, me një kopsht të këndshëm jetojnë 40 fëmijë, nga më i vogli që është vetëm 4 muajsh deri tek më i madhi që pret të mbushë 6 vjeç. Për ta kujdesen 6 murgesha dhe dy kujdestare. Banesa 3-katëshe është ndërtuar qysh në vitin 1991 ku edhe ka filluar misionin e tij “Kongregacioni i Motrave të Nënë Terezës” dhe qysh atëherë ka rritur shumë fëmijë me probleme nga më të ndryshmet, me histori nga më tragjiket, me shpresa nga më të bukurat. Motrat që shpejt kthehen nëna për fëmijët këmbehen shpesh dhe vijnë nga të gjitha anët e botës. “Shtëpia e Shpresës”, e cila kujdeset për rreth 20 fëmijë me probleme sociale, jetime dhe të braktisur. Kur arrijnë moshën 14 vjeç këto fëmijë nëpërmjet apartamenteve të mbrojtura mbahen nën kujdesin e shoqatës “Tjetër Vizion”, e cila është edhe një qendër ditore që ofron edhe kujdes për fëmijët me probleme sociale në qytetin e Elbasanit. Shtëpia e fëmijëve “Orët Fatlume” ka filluar aktivitetin e saj në Elbasan në vitin 2000. Gjatë këtyre 6 viteve kjo strehë për 23 fëmijë është mbështetur financiarisht nga banorët e Valhajmit dhe familja Kolping në Gjermani.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›