E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në kërkim të Zavahrit

Një vit pas aksionit në Abbottabad, ideatori i Al Qaidës mbetet në arrati. Vrasja e Bin Ladenit vetëm sa ka vështirësuar gjuetinë kundër njeriut tani numër një të Al Qaidës, Ayman Al Zavahri.

Një vit pas vdekjes së Bin Ladenit, agjentët amerikanë kanë vënë në shënjestër pasardhësin e tij, Ayman Al Zavahrin, ish-kirurgun e ushtrisë egjiptiane, i cili konsiderohet si ideator i sulmeve të mëdha kundër SHBA-së dhe shënjestrave tjera. Dhe forcat besnike të Zavahrit janë të vendosura që të mbrojnë udhëheqësin e tyre.

Siguria e Zavahrit ishte tema kryesore e takimit ndërmjet disa zyrtarëve të lartë të Al Qaedës dhe militantëve tjerë, takim ky i cili u zhvillua para gjashtë muajve në Vaziristanin Verior, ka deklaruar një burim i afërt me talebanët.

Nikoqiri i takimit, nga radhët e një familje të njohur të talebanëve, kishte prerë një dele për nder të mysafirit të tij arab. Gjatë drekës, militantët shprehen brengën e tyre për sigurinë e Zavahrit, duke pasur parasysh vdekjen e përgjakshme të Bin Ladenit. Burimi theksoi se nikoqirët këshilluan Zavajrit që të vendoset në ndonjë vend tjetër, që të mos shfrytëzojë më pajisje elektrike, që të kufizojë paraqitjet e tij dhe që të jetë tejet i kujdesshëm gjatë takimeve me kurirët.

“Shpresojmë se ai do të jetë në gjendje t’i shmanget së paku edhe për dhjetë vjet arrestimit nga ana e SHBA-së”, deklaroi burimi.

Njëri nga agjentët e Al Qaedës në takim, i cili u zhvillua në afërsi të qytetit Miran Shah, pyeti se a do të shqyrtonin talebanët afganë mundësinë e strehimit të Zavahrit, në rast se ai vendos të shkojë në Afganistan. Sipas burimit talebanë, afganët nuk u deklaruan rreth kësaj çështje.

Talebanët dhe agjentët e Al Qaidës, të cilët janë takuar me Zavahrin, kanë theksuar se ai është tejet i respektuar në qarqet e militantëve, si mendimtar, ashtu edhe si njeri që vepron. Ai nuk është as për së afërmi aq karizmatik sa Bin Ladeni, por në njëfarë mënyre, ai është më i rëndësishëm. Bin Ladeni ishte fytyra e terrorit, por Zavahri është koka: si ideolog i rëndësishëm, e gjithashtu edhe si komandant operacional.

“Zavahri duhet të terrorizojë, me qëllim që të çimentojë pozitën e tij si pasardhës i fuqishëm i Bin Ladenit”, deklaroi Bruce Riedel, ish-zyrtar i CIA-s, i cili ka këshilluar administratën e Obamës për kundër-terrorizëm. Por tani, udhëheqësi i ri i Al Qaidës përballet me një dilemë: sa më shumë që përfshihet në planifikim dhe propagandë, aq më shumë do të ekspozohet.

Informatat që posedojnë amerikanët për të janë të pakta. Hera e fundit, kur amerikanët kishin informata të besueshme për të, ishte janari i vitit 2006, kur kuptuan se ai ishte ftuar në një drekë, në brezin kufitar mes Pakistanit dhe Afganistanit. Një fluturake pa pilot shkrepi disa raketa në drejtim të kompleksit, duke vrarë 18 persona, në mesin e tyre edhe disa militantë të Al Qaidës. Por Zavahri nuk ishte në mesin e tyre.

“Ka indikacione se disa elemente të qeverisë së Pakistanit ndoshta janë duke e mbrojtur Zavahrin. Kemi njoftime se për periudha të shkurtra kohore ai po qëndron në Karachi dhe nuk mendojmë se ai do ta bënte këtë, pa njohurinë e njerëzve përreth”, deklaroi Daniel Klaidman, gazetar i revistës Newsweek.

Militantët, të cilët u mblodhën në Miran Shah para gjashtë muajve, ende ishin të pikëlluar për shkak të vrasjes së Bin Ladenit. Bin Ladeni u zbulua, për shkak të disa gabimeve, të cilat i kishte bërë kuriri i tij. Militantët e pranishëm në takim kërkuan nga Zavahri që ai të mos i bëjë gabimet, të cilat i kishte bërë Bin Ladeni.

Zavahri është më i lidhur me operacionet e përditshme të Al Qaidës. Ai ka qenë i përfshirë në sulmet në Londër, në vitin 2005, si dhe në vrasjen e ish-kryeministres së Pakistanit, Benazir Buto, në vitin 2007.

Nëse SHBA-ja u zbulon ndokund Zavahrin, Washingtoni me gjasë nuk do të dëshirojë të ndërmarrë ndonjë aksion të rrezikshëm për ta eliminuar atë. Basti më i sigurt për udhëheqësin e Al Qaidës do të ishte që të strehohej sa më thellë që është e mundur brenda territorit të Pakistanit. Riedel beson se ai tashmë e ka bërë këtë.

“Mendoj se CIA do të kërkojë diç, që i ngjason shumë Abbottabadit. Një shtëpi, në rajonet urbane, në afërsi të një baze ushtarake. Ishte kjo karakteristika e të gjithë zyrtarëve të Al Qaidës, të cilët janë vrarë apo janë arrestuar”, theksoi Riedel.

Ai më tutje shton se problemi për Zavahrin është se CIA ka dëshmuar se është në gjendje të deshifrojë kodin.

“Po të isha në vend të tij, unë do të brengosesha. Mendoj se do ta gjejmë dhe nuk mendoj se për këtë do të nevojiten 10 vjet”, thotë Riedel.

Dhe nëse ndodh kjo, atëherë sikur edhe në rastin e Bin Ladenit, Pakistani do të kuptojë më vonë këtë fakt, pasi që puna të jetë kryer. (Newsweek)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›