E Shtunë, 31 Tetor 2026

Neonazisti vret katër persona

Neonazisti i vetëshpallur, J. T. Ready, ishte në mesin e pesë personave të vrarë, pas të shtënave në qytetin amerikan Gilbert, në Arizona. Supozohet se ishte pikërisht ai autori i vrasjes së katërfishtë.

I dyshuari, i veshur me uniformë ushtarake e me pancir, dhe i armatosur me disa armë, vrau të mërkurën katër persona, përfshirë një fëmijë. Autoritetet amerikane besojnë se pas këtij akti ai vrau veten.

Trupi i J. T. Ready, që ishte anëtar i grupit neonazist Minutemen Civil Defense Corps, u gjet në mesin e të vrarëve. Një burim i paemëruar policor i tha portalit azcentral.com se ishte Ready ai që i kreu vrasjet. Ndërkaq, rreshteri Bill Balafas tha për portalin msnbc.com se nuk mund të konfirmonte nëse Ready ndodhej në mesin e të vrarëve, e as nëse krimi ishte kryer nga ai. Sipas tij, policia po punon në identifikimin e të vdekurve.

Ndryshe, të shtënat u dëgjuan pas orës 1 të pasdites. Gjatë një takimi me gazetarë, Balafas deklaroi se të gjitha dëshmitë tregojnë se të shtënat kanë të bëjnë me dhunën brenda familjes, megjithëse nuk dha detaje tjera.

Në vendin e krimit u gjetën dy armë të shkurtra dhe një armë gjuetie.

Autoritetet ndërkohë njoftuan se bastisja e shtëpisë ku ndodhën të vrasjet dhe identifikimi i viktimave fillimisht u ndërpre deri në ardhjen e agjentëve të FBI, të cilët duhej të largonin disa kemikale të panjohura nga shtëpia dhe oborri i saj varen, për shkak të sigurisë së policëve.

Zëdhënësi i FBI, Manuel Johnson, deklaroi se agjentët federalë ndërkohë “ofruan ndihmën e plotë teknike” për policët e Gilbert, operacioni i të cilëve e ndihmoi mjaft agjencinë.

Në rrugën ku ndodhën të shtënat, fqinjët pohuan se rreth orës një kishin dëgjuar një shpërthim të madh, dhe kishin dalë në rrugë për të parë se prej nga erdhi shpërthimi.

Sipas një artikulli të vitit 2010, të agjencisë AP, Ready ishte udhëheqësi i një grupi të armatosur që synim kishte përndjekjen e imigrantëve ilegalë dhe kontrabanduesve të drogës në afërsi të rrufiti me Meksikon. Ready shfaqej i armatosur dhe veten e quante neonazist.

“Ata janë neonazistë të pastër”, pat deklaruar për AP, Mark Potok, zyrtar i Projektit të Qendrës Jugore për Mbledhjen e Informacioneve për Varfërinë.

“Ata bartin svastika nëpër mëngët e tyre”.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›