Në kërkim të legjendës

Syri i Kaltër është një monument natyror që tërheq çdo vit qindra vizitorë.
I ndodhur mes Gjirokastrës dhe Sarandës, ky vend mbetet ende mistik: forma e syrit, ujë i kaltër e i ftohtë dhe një panoramë për t’u admiruar.
Legjenda të shumta pagane e veshin me mister këtë burim, duke na dhënë të kuptojmë se banorët e lashtë e kanë adhuruar po aq sa edhe ne këtë mrekulli të natyrës.
Për të kuptuar sado pak vërtetësinë e këtyre legjendave, Qendra Shqiptare për Kërkime Detare së bashku me ekipin amerikan të RPM Nautical Foundation dhe arkeologun shqiptar të ekspeditës, Dr. Anastasi, kryen tentativën e parë për një studim shkencor të Syrit të Kaltër dy javë më parë.
Zhytësit arkeologë dhe biologë amerikanë, Peter Campell dhe Derek Smith, janë zhytur në Syrin e Kaltër, duke arritur të shkojnë deri në 20 metra thellësi.
Nga të dhënat thuhet se shkon deri në thellësinë e 45 metrave, duke shërbyer edhe si burim për lumin e Bistricës.
Turistë shqiptarë e të huaj që zbresin kryesisht në Sarandë, nuk mund ta anashkalojnë një vizitë në këtë bukuri natyrore.
Kjo mund të thuhet me plot gojë, pasi përveç disa lokaleve të ndërtuara që herët për biznes, nuk ka asnjë përkujdesje tjetër për Syrin e Kaltër.
Thuhet se në ato anë, shekuj më parë gjendej një gjarpër gjigant, të tjerë thonë një dragua që i kishte tmerruar banorët e zonës.
Ky gjarpër apo dragua rrëmbente vajzat, ndalonte ujin dhe ishte bërë tmerri i zonës.
Sipas legjendës, pas vrasjes së përbindëshit, nga syri i tij buroi uji që rrjedh edhe sot e kësaj dite.