E Diel, 1 Nëntor 2026

“Në këtë ditë të shenjtë shqiptarët festojnë demokracinë”

23-03-2013 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha uron Sulltan Nevruzin/“Nuk duhet të harrojmë asnjëherë se ata që shkruan doktrinën tonë kombëtare ishin vëllezërit bektashinj Frashëri. Në çdo kohë bektashizmi ka qenë një frymëzim për shqiptarët, frymëzim për liri, dinjitet dhe emancipim”

Besimtarët bektashinj festuan dje Ditën e Sulltan Nevruzit, ditëlindja e të madhit Imam Aliu, e cilësuar në botën Aleviane si dita e fisnikërisë bektashiane dhe e ringjalljes së madhe. Ditëlindja e të madhit Imam Ali mblodhi në mjediset e Selisë së Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore mijëra besimtarë, midis tyre edhe krerë të lartë të shtetit. Kësisoj, kryeministri Sali Berisha zhvilloi dje në mesditë një vizitë në selinë e Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve në Tiranë, ku përcolli urimet më të përzemërta për këtë ditë të shenjtë Kryegjyshit botëror të Bektashinjve Baba Edmond Brahimajt, të gjithë besimtarëve bektashinj dhe të gjithë besimtarëve të Zotit.
Në urimin e tij, Kryeministri Berisha u shpreh se, kjo është një ditë frymëzimi për të gjithë shqiptarët.
“Erdha këtu për t’i shprehur Baba Edmondit dhe të gjithë bektashinjve shqiptarë, kudo që ata janë, si edhe të gjithë besimtarëve të Zotit, urimin më të përzemërt në këtë ditë të Sulltan Novruzit, ditë e shenjtë për bektashinjtë, ditë frymëzimi për besimtarët, frymëzimi për mirëkuptim, frymëzimi për harmoni, frymëzimi për përpjekje gjithnjë e më të mëdha për të realizuar qëllime fisnike, për të realizuar mirësi për veten, familjen, shoqërinë dhe vendin”, u shpreh kryeministri.
Gjithashtu Berisha theksoi se bektashizmi është e lidhur me përpjekjet e shqiptarëve për liri dhe dinjitet.
“Bektashizmi shqiptar është një histori e lidhur në mënyrë të pazgjidhshme me të gjitha përpjekjet e shqiptarëve për liri, dinjitet dhe emancipim. Nuk duhet të harrojmë asnjëherë se ata që shkruan doktrinën tonë kombëtare ishin vëllezërit bektashinj Frashëri. Në çdo kohë bektashizmi ka qenë një frymëzim për shqiptarët, frymëzim për liri, dinjitet dhe emancipim. Edhe një herë, i shpreh urimet më të përzemërta Baba Edmondit. E falënderoj Zotin që në këtë ditë të shenjtë u dha mundësi shqiptarëve të themelojnë, 21 vite më parë, demokracinë, sistemin e vlerave, sistemin e së ardhmes”, tha më tej në urimin e tij, kryeministri Sali Berisha.
Urime për Ditën e Sulltan Nevruzit, përcolli dhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Kryetarja e Kuvendit tha se 22 marsi është një festë e dyfishtë dhe së bashku me Ditën e Demokracisë.
“Është një koecidencë e  jashtëzakonshme dhe shumë e bukur festimi në një ditë  i Sulltan Nevruzit dhe festës së demokracisë. Me këtë rast i uroj të gjithë besimtarëve bektashinj këtë festë, por edhe gjithë shqiptarëve kudo që ata jetojnë, u uroj Ditën e Demokracisë, që për shqiptarët është dita më e bukur kur ata hapën një epokë të re drejt vlerave, drejt lirisë, respektit dhe dinjitetit të qenies njerëzore vlera që i predikon çdo fe, çdo besim fetar”.
Besimtarët bektashinj shqiptarë festuan dje lindjen e Imam Aliut, që simbolizon për ta rigjallërimin e besimit te vepra dhe fuqia e Zotit e bashkë me të, rigjallërimin e shpirtit dhe të shpresës për jetën, për të ardhmen.
Festa e Sulltan Novruzit shënon fillimin e vitit të ri, sipas sektit bektashian dhe përkon me ditëlindjen e Imam Aliut në Qabe. Në këtë ditë çdo gjë mund të ringjallet, lind shpresa, ringjallja për gjithë njerëzimin. Ajo është një ditë e re, kur të gjithë shpresojnë për një të ardhme më të mirë. Në Shqipëri Dita e Novruzit, festa më e rëndësishme e Bektashizmit, u dekretua si festë kombëtare në vitin 1996. Sekti i bektashinjve është i vendosur kryesisht në jug të vendit, ndërkohë që ai ka një shtrirje të konsiderueshme në territorin e Republikës së Shqipërisë. Bektashinjtë janë të përhapur edhe në Kosovë dhe në Maqedoni, ku krahas synitëve ata përbëjnë popullsinë shqiptare të besimit mysliman. Përfaqësuesit e Bektashizmit kanë dhënë një ndihmë të madhe në çështjen kombëtare, duke filluar që nga periudha e Rilindjes Kombëtare, Pavarësisë dhe gjatë luftës për Çlirim.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›