E Shtunë, 31 Tetor 2026

“PD, projekt për zhvillimin e Shqipërisë, PS kundër interesave të vendit”

23-03-2013 / Gazeta 55

Ministri Imami takime me banorë të komunës së Kodovjatit, në Gramsh: Vëmendje tek rritja e punësimit dhe prodhimit bujqësor, PS i shkaktoi humbje vendit nga bllokimi i statusit

Ministri i Mbrojtjes, njëherësh kryetari i Grupit të Punës për Qarkun e Elbasanit, Arben Imami i shoqëruar nga deputeti i zonës së Gramshit, Sybi Hida, pas ceremonisë së inaugurimit të rikonstruksionit të segmentit rrugor Gramsh-Kodovjat nga kryeministrit Berisha, vazhdoi në zhvillimin e takimeve entuziaste me banorët e komunave të zonës së Gramshit. Takimet u zhvilluan në kuadër të turit që zoti Imami po zhvillon në të gjitha komunat e Qarkut të Elbasanit për të komunikuar hapur me banorët dhe për tu njohur më nga afër me problematikat e këtyre zonave që sa vijnë dhe pakësohen. Kjo falë punës së mirë që ka bërë qeverisja e Partisë Demokratike me koalicionin e saj.
Gjatë takimeve të zhvilluara në fshatin Bresnik dhe Çekin, Imami u shpreh se investimet e qeverisë në Gramsh janë të prekshme, ndërsa vuri theksin te përmirësimi i infrastrukturës rrugore, me impakt në rritjen e punësimit dhe nxitjen e prodhimit bujqësor.
Sipas tij, në 4 vitet e ardhshme në Gramsh do të ketë lulëzim për punë. Ky vend ka pasur një zhvillim të dukshëm këto vitet e fundit, i cili nuk ka qenë një zhvillim i paplanifikuar, i pamenduar apo pa përpjekje.
Arben Imami ndër të tjera u ndal tek ulja e taksave dhe rritja e buxhetit, nga ku tha ai, jemi përpjekur të ulim peshën e shtetit mbi shpatullat e qytetarit dhe të grumbullojmë më shumë para në mënyrë që të mund të investojmë ashtu siç kemi investuar dhe do të vazhdojmë akoma të investojmë më shumë në vitet e ardhshme.
Duke iu referuar alternativës së ofruar nga Partia Socialiste, Imami deklaroi se PS është kundër interesave të vendit dhe qytetarëve të këtij vendi. “Ne si qeveri, kemi pasur pengesa që ju i dini, tha Imami për banorët e Cekin-it. Por këto pengesa nuk bien mbi supet e deputetëve apo të një partie, por mbi supet e qytetarëve. Statusi i vendit kandidat do ta lejonte Shqipërinë që menjëherë të përfshihej në programet mbështetëse të drejtpërdrejta për bujqësinë dhe për kapitalin njerëzor ku përmend, shkollat, shëndetësinë etj. Ne ndërmorëm të gjitha hapat për të arritur një bashkëpunim me Partinë Socialiste por ishte e pamundur. Ata e filluan me bojkot, e vazhduan me përdorimin e hapat e dhunës kundër institucioneve të shtetit, bllokimin e rrugëve dhe përfunduan me mosvotimin e paketës së 3 ligjeve që ishin kusht për të marrjen e statusit kandidat nga BE. Imami e përfundoi takimin duke i cilësuar hapat e Partisë Socialiste si një rrugë krejtësisht kundër interesave të vendit dhe qytetarëve të këtij vendi”, deklaroi më tej ai.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›