E Diel, 1 Nëntor 2026

Në komunat shqiptare nuk shënohet 20 vjetori i pavarësisë

Nga Express më 07 shtator 2011 në ora 17:30

Në asnjë komunë shqiptare në Maqedoni nuk është organizuar asnjë manifestim me rastin e 20 vjetorit të pavarësisë së vendit, informon agjencia e lajmeve INA.

Autoritetet e këtyre komunave nuk dëshirojnë të komentojnë lidhur me mosorganizimin e asnjë evenimenti lidhur me rastin e shënimit të këtij përvjetori, që po paraprihet me një fushatë dinamike festive nga Qeveria dhe VMRO-DPMNE.

Mbi 20 komuna të dominuara nga shqiptarët nuk do të festojnë përvjetorin e 20 të pavarësisë së vendit, përfshirë edhe ato më të mëdhatë si Tetova, Gostivari, Struga , Dibra, Çairi dhe komunat e tjera rurale.

Jozyrtarisht drejtuesit e komunave më të mëdha shqiptare të Tetovës dhe Gostivarit, Sadi Bexheti që i takon PDSH-së dhe Rufi Osmani nga RDK nuk do të marrin pjesë në evenimentin qendror për shënimin e këtij përvjetori, mirëpo kabinetet e tyre theksojnë se nuk ka asnjë përgatitje apo solemnitet në kuadër të komunës.

Akoma nuk bëhet e ditur se a do të valviten flamujt shtetëror me rastin e kësaj feste, pasi që në gjë e tillë nuk ndodhi edhe me rastin e festës së 2 Gushtit për shënimin e Kryengritjes së Ilindenit, ku Tetova u gdhi pa asnjë flamur shtetëror.

Shpallja e pavarësisë së vendit vazhdon të jetë një çështje debati midis forcave politike maqedonase dhe shqiptare, sidomos gjatë periudhës së shënimit të këtij evenimenti historik.

Autoritetet shtetërore kanë përgatitur ceremoni zyrtare dhe aktivitete festive me rastin e shënimit të kësaj feste shtetërore.

Ibrahim Mehmeti, publicist, vlerësoi se politikanët shqiptarë gjatë dy dekadave të fundit kanë dëshmuar se ndihen më komod në pozicionin e viktimës, sesa të bartin proceset e avancimit të kërkesave të shqiptarëve.

“Problemi qëndron në mungesën e ideve, e para, dhe e dyta, në zhvillimin e Maqedonisë në këtë periudhë pothuajse 20-vjeçare politikanët kanë ndërmarrë hapa institucionalë të gabuar, të cilët kanë pamundësuar një proces që do të çonte kah një harmoni e përgjithshme ku të gjithë qytetarët do të kishin shanse të barabarta dhe të gjithë qytetarët do të ishin njësoj të interesuar për zhvillimin e Maqedonisë”, ka theksuar analisti Ibrahim Mehmeti.

Më 8 shtator të vitit 1991 në Maqedoni u mbajt referendumi i pavarësisë, me ç`rast shumica e qytetarëve u deklaruan për pavarësimin e vendit nga ish-federata jugosllave.

Shqiptarët si popull i dytë në Maqedoni bojkotuan referendumin e 8 shtatorit . Pas përfundimit të referendumit maqedonas të 8 shtatorit dhe aprovimit të Kushtetutës së vitit 1991, shqiptarët më 11 dhe 12 janar të vitit 1992 organizuan referendum të veçantë për shprehjen e vullnetit përmes deklarimit gjithë popullor si dhe një kundërpërgjigje ndaj të gjitha vendimeve të njëanshme të faktorit politik maqedonas. (INA)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›