E Diel, 1 Nëntor 2026

Maqedonia liberalizon vizat me Shqipërinë



Qytetarët mund të lëvizin tashmë lirshëm

Ligji u votua në Parlament me 62 vota pro

Ka vendosur më në fund të heqë regjimin e vizave me vendin tonë, kur e nxitur nga partia që ndonëse nuk është në pushtet, PDSH, Parlamenti i Maqedonisë ka votuar me 62 vota pro ligjin që mbante peng lëvizjen e lirë të shqiptarëve matanë kufirit juglindor. Gjithçka është konkretizuar ditën e djeshme, kur në bazë të këtij ligji të miratuar nga Parlamenti maqedonas, qytetarët e dy vendeve, të Shqipërisë dhe të Maqedonisë, mund të lëvizin lirshëm nga njëri shtet në tjetrin pa ndonjë procedurë të vështirë. Sipas të dhënave të mediave fqinje, marrëveshja mori 62 vota pro nga deputetët e VMRO DPMNE-së dhe BDI-së, edhe pse ajo u nxit nga PDSH, e cila nuk është më pjesë e koalicionit qeverisës. Ky ligj u bë i diskutueshëm pak kohë më parë, kur autoritetet maqedonase theksuan se ligjin për të huajt do ta zbatonin edhe për shtetasit e Shqipërisë, që nënkuptonte se shtetasve shqiptarë për të hyrë në Maqedoni u duhej të siguronin vizë në Tiranë dhe jo në vendkalimet kufitare.

Këto mosmarrëveshje çuan në ashpërsimin e raportet mes partnerëve të atëhershëm të koalicionit qeverisës VMRO-DPMNE dhe PDSH-së. Megjithatë, me ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtar, midis Shkupit dhe Tiranës u arrit marrëveshja për liberalizimin e regjimit të vizave. Tratativa e parë ka qenë marrëveshja për heqjen e vizave midis dy vendeve e nënshkruar më 19 shkurt të këtij viti në Tiranë nga dy kryeministrat, Nikolla Gruevski dhe Sali Berisha. Marrëveshja në fjalë parashikonte që qytetarët e dy vendeve pa ndonjë procedurë të theksuar të mund të kalojnë nga njëri shtet në shtetin tjetër. Sipas marrëveshjes, shtetasit e një vendi do të mund të qëndrojnë në vendin tjetër 90 ditë brenda një periudhe prej gjashtë muajve. Gjithashtu, parashikohet që banorët e zonave kufitare, 20 kilometra nga kufiri, do të mund të kalojnë në vendin fqinj vetëm me karta identiteti. Ndërkohë, gjatë vizitës së Presidentit maqedonas, Cervenkovski, pak ditë më parë në qytetin e Durrësit, çështja e kapërcimit të mosmarrëveshjeve për regjimin e vizave mes dy vendeve u konsiderua e kapërcyer nga Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›