E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në kuadër të një fushate retorike



` Nga Ilir KALEMAJ

Jo rrallë, në kuadër të fushatës elektorale të fundit dëgjon shprehje të tilla, si "Do t`ia dalim", të cilat janë përkthime literale të shprehjeve të Presidentit aktual gjatë kohës që ishte përfshirë në fushatën e fundit. Në fakt, copy pasting një catchy phrase (shprehje të goditur) të Obama-s jo domosdoshmërisht të bën një Obama shqiptar, madje shfaqesh në një nivel mediokër plagjiature që përcjell pak apo aspak entuziazëm. Sikundër dihet shumë mirë, kritikat kryesore që iu bënë Obama-s gjatë fushatës ishte mungesa e përvojës dhe përdorimi i shumë më tepër retorikë sesa substancë.

Dhe kjo edhe pasi ai ka një CV ku përfshiheshin qenia student i shkëlqyer në Harward, kryeredaktor i “Harward Law Review”, botime shkencore dhe publicistike, avokat në një firmë prestigjioze, senator mjaft aktiv dhe mbi të gjitha publikoi idetë e tij në manifestin ose librin e tij “Guximi për të shpresuar” ku qartësisht shpreheshin mendimet e tij substanciale dhe dallimet qartësisht ideologjiko-filozofike me kundërshtarët politikë dhe çfarë premtonte ai si produkt politik.

E bëj këtë hyrje të gjatë për të vënë theksin se me gjithë këto CV dhe angazhim të pasur, me gjithë mendimet shumë të qarta që e bënë të ishte shpesh fitues i debateve televizive, me gjithë karizmën e padiskutuar të tij dhe revolucionarizmin e politikës nëpërmjet demokratizimit të procesit (e-democratization), shtrirjes kapilare (mass grassroot mobilization) dhe kapitalin politik të akumuluar gjatë kohës ku shërbente në shoqërinë civile dhe më pas në politikë, përsëri i vihej theksi faktit që ishte pa shumë përvojë, krahasuar me rivalët e tij politikë.

Nëse e lidhim këtë me Obamat shqiptarë që përveç disa sloganeve, as të përshtatura, por të kopjuara pikë për pikë, dhe aspak ide, substancë, debat ideologjik dhe platforma të qarta, përveç dëshirës për perpetum individual në politikë, shprehja "do t`ia dalim" kthehet në një parullë të tipit enverist nga ato që dëgjonim shpesh njëherë e një kohë.

Jo rrallë retorika e pambështetur në vepra, demagogjia dhe premtimet në ajër përdoren si mjete për të fituar kapital politik dhe akoma më efektive këto bëhen kur mbartësi është një person karizmatik, me oratori të lindur apo fituar nga përvoja në studio televizive, workshop-e apo mitingje të ndryshme, por kur kjo ngelet vetëm në nivele të tilla, atëherë nuk lë për të shpresuar. Pra, kthehet në një antitezë pikërisht të atij guximi për të shpresuar që ishte kryefjala e fushatës së Presidentit aktual amerikan.

Kur kësaj i shtohet mungesa e përvojës në punë konkrete dhe rezultate, financime të dyshimta dhe mungesa e një ekipi, pra fushata personalizohet, atëherë situata bëhet edhe më e rëndë dhe shfaqen haptazi simptomat e një demagogjie pa kufi. Kjo shkon përkundër transparencës me publikun dikur aq të avokatuar nga ish-mjaftistët tashmë të kthyer politikanë dhe që nuk janë parë të gjenerojnë qoftë edhe në nivele minimale atë mbështetje masive të cilën gjeneroi gara Obama-Clinton, por edhe Obama-McCain. Premisat i kishin të mira, pasi në fillim kanë pasur qoftë mbështetjen ndërkombëtare, qoftë mbështetjen e publikut (bëhet fjalë për aksionet e para të organizatës së dikurshme “Mjaft”), por kjo më vonë degjeneroi në festa të dyshimta, banalitete pa vlerë dhe zhgënjim, sidomos në rrethet e të rinjve të cilët janë të prirë natyralisht për të përqafuar të renë, revolucionaren, ndryshimin. Pavarësisht vërtetësisë së sondazheve të operuara nga kolegë të tyre të shoqërisë civile, vota në qershor do të tregojë më së miri se ku mbaron demagogjia dhe fillon besimi i publikut, elektoratit dhe forca e arsyeshmërisë e bazuar në institucionin e votës së lirë në një shoqëri demokratike.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›