Në kulmin e kriminalitetit, policia e Tiranës shkon dhe arreston 3 gej
Panorama bënte të ditur se dy persona kanë rënë në pranga, ndërsa një tjetër do të procedohet në gjendje të lirë, për ushtrim prostitucioni!
Komisariati Nr.3 i policisë në kryeqytet njoftoi se, me akuzën për ushtrim prostitucioni ka arrestuar dy homoseksualë, V. N., 27 vjeç dhe E. B., 26 vjeç, si dhe do të procedojë në gjendje të lirë një klient të tyre, Gj.B., 20 vjeç.
Më tej jepen dhe detaje: Arrestimi i tyre është bërë në rrugën, Bardhok Biba në Tiranë. Pjesa e dytë e kësaj fjalie përmban dhe një absurd idiot. Shkruhet: mësohet se këta shtetas ushtronin prostitucion mes njëri- tjetrit! Ndërsa në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar paruke si dhe një shumë prej 80 mijë lekësh të vjetra (në versionin print të gazetës shkruhej 40 mijë lekë). Paruket, thotë policia e cituar nga gazeta, përdoreshin për tu maskuar (!!!), ndërsa paratë dyshohet se janë përfituar nga ushtrimi i prostitucionit. Policia e Tiranës vazhdon hetimet e mëtejshme.
Ka disa mendime që të vijnë përnjëherë kur lexon lajme të tilla.
Së pari, është krejtësisht e turpshme që Policia e Tiranës dhe policia e shtetit në përgjithësi, harron detyrat e saj në atë mënyrë të paaftë sa sot Shqipëria ka arritur një numër të frikshëm krimesh që jo vetëm nuk parandalohen, por nuk u gjenden autorët.
Do të ishte shumë më profesionale për policinë të shpenzonte më shumë energji efikase atje ku vërtet duhet se të hyjë me kaq zell në të tilla histori. Fjala vjen: të kujdesej pak që kur një qytetar merr në telefon 129 dikush të përgjigjet. Merr në telefon 129, por të përgjigjen një m, shkruante Shekulli para pak ditëve.
Së dyti, duke ditur nivelin e frikshëm të diskriminimit në vendin tonë, do të ishte shumë më e ndershme dhe më e drejtë që media shqiptare të heqë dorë nga publikimi për ngjarje të tilla i emrave apo detajeve të tjera të personave të përfshirë në të. Jo vetëm që media shqiptare nuk e bën këtë gjë, por duket se është pafund e lumtur kur mundet të sigurojë edhe foto në të tilla raste. Pasojat janë të pallogaritshme jo vetëm për personat e përfshirë në ngjarje, por sidomos për familjarët e tyre. Kjo është diçka që gazetarët duhet tua kursejnë njerëzve të zakonshëm që lajme të tilla u bien si rrufe në qiell të hapur. Sikur mos mjaftonin streset dhe shqetësimet e jetës së përditshme. Aq më tepër që krimi për të cilin akuzohen nuk është vërtetuar në Gjykatë dhe kjo e fundit nuk e ka dhënë fjalën e fundit. Por vetëm kaq, ama, do të mjaftonte që jeta e këtyre të rinjve të shkatërrohej përfundimisht.
Së treti, ka një ndjeshmëri në lidhje me çështjet që kanë të bëjnë me personat LGBT në Shqipëri, por ka pasur dhe një debat paraprak edhe për prostitucionin në vend. Zelli për të dalë me komunikatë për këtë ngjarje duket më shumë si një diskriminim ndaj gjithë komunitetit LGBT, por edhe si një bllof për të treguar se tani që jo vetëm nuk e hoqëm ligjin që kriminalizon prostitucionin por shtuam në të edhe dënimin e klientëve, ja ku e kemi dhe rastin e parë për të demonstruar se ka shtet në këtë vend. Shtet si ky i joni ku nuk dënohen ata me bllok në dorë që vjedhin miliarda, as ata që vrasin njerëz në Gërdec apo në mes të bulevardit, as ata që mashtrojnë me pasurinë publike të këtij vendi si tua kish lënë babai trashëgim, as ata që ndërtojnë piramida të reja financiare e as ata të tjerët që nuk lenë ditë perëndie pa bërë ndonjë zullum në kurriz të së ardhmes sonë.
Nuk ka pasur ende një debat të mençur mbi filozofinë e ligjit për të kriminalizuar prostitucionin dhe klientët. Qëllimi pas një legjislacioni të tillë (të futur në fuqi në komunizëm) ka qenë për të mbrojtur moralin dhe shëndetin e shoqërisë. Qëllimi pas viteve 90-të ka qenë sidomos për të zhdukur trafikimin e femrave dhe vajzave të reja.
Kur tre të panjohur kryejnë marrëdhënie seksuale me njëri tjetrin dhe meqë njërit i gjenden disa lekë, atëherë policëve (i përfytyroni pak, ata me barkun që u qëndron i varur) u hip zelli i madh për ti kapur në flagrancë! Do mbrojmë moralin e shoqërisë (fjali më absurde nuk gjen, po meqë kështu e koncepton shumica), atëherë pse nuk merremi me prostitucionin e zyrtarëve, bosëve, politikanëve, a të tjerëve? Ligji, në formën që është sot, përfshin në konceptin për prostitucionin çdo formë favori në këmbim të marrëdhënieve seksuale. A nuk do duhet të procedoheshin edhe ata që mezi presin të punësojnë sekretare me gjoksin e madh, këmbët e zbuluara apo buzët e fryra?
Fjala vjen, me kryetarin e Bashkisë në Kamzë, atë të famshmin Xhelal, që e akuzojnë akoma për paranojak dhe maniak seksual?
Së fundmi, ka një mungesë të frikshme të kulturës rreth seksit në këtë vend. Ndoshta që tek kjo e fundit vijnë zgjerohen në formë rrathësh gjithë problemet e tjera me të ashtuquajturin moral të shoqërisë.
Dhe e fundit fare: termi homoseksual, duhet hequr nga përdorimi zyrtar edhe nga komunikatat e policisë pasi është një term diskriminues. Homoseksual u zgjidh si një term biologjik. Sot quhen gej!
