E Diel, 1 Nëntor 2026

Në mbledhjen e radhës së Këshillit të Ministrave, u miratuan një numër vendimesh dhe projektligjesh të rëndësishëm. Kështu u miratua projektligji "Për ratifkimin e Protokollit shtes

Në mbledhjen e radhës së Këshillit të Ministrave, u miratuan një numër vendimesh dhe projektligjesh të rëndësishëm.

Kështu u miratua projektligji "Për ratifkimin e Protokollit shtesë të Konventës për krimin kibernetik, për penalizimin e akteve me natyrë raciste dhe ksenofobike, të kryera nëpërmjet sistemeve kompjuterike".

Republika e Shqipërisë ka ratifikuar me ligjin nr.8888, datë 25.4.2002 Konventën "Për krimin në fushën e kibernetikës". Në tërësi qëllimi i kësaj Konevente është krijimi i një sistemi permanent të mbrojtjes ndërkombëtare në hapësirën e internetit nëpërmjet përdorimit të mjeteve dhe mënyrave efikase për një goditje sa më të ashpër të veprave penale të parashikuara në këtë Konventë, lehtësimti të procedurave të hetimit dhe gjykimit të tyre si dhe marrjes së angazhimeve për një bashkëpunim të shpejtë dhe të efektshëm në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.

Protokolli shtesë është i ndarë në 4 kapituj të cilët trajtojnë aspekte që kanë të bëjnë me përkufizime të nocioneve të parashikuara në këtë protokoll dhe të termave të përdorur, angazhimet e mara nga shtetet palë për të ndërmarrë masa legjislative si dhe masa të tjera të nevojshme për të përcaktuar si vepra penale në legjislacionin e brendshëm të tyre shkeljet penale të njohura nga protokolli, dispozita të përgjithshme në lidhje me nënshkrimin, zbatimin territorial, hyrjen në fuqi të Protokolit si dhe rezervat apo deklarimet që mund të bëhen nga shtetet në momentin nënshkrimit të Protokollit apo të depozitimit të instrumentave të tyre të aderimit dhe të ratifikimit.

****

Këshilli i Ministrave miratoi projektligjin "Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën "Për unifikimin e disa rregullave për transportin ajror ndërkombëtar".

Konventa ka për qëllim harmonizimin e legjislacionit ajror ndërkombëtar, konsolidimin e instrumentave që lidhen me të, sigurimin, mbrojtjen e interesave të konsumatorëve (pasagjerëve) dhe kompesimin e tyre, si dhe harmonizimin dhe kodifikimin e proçedurave në transportin ajror të mallrave.

Miratimi i Konventës bëhet në kuadër të plotësimit të legjislacionit të aviacionit civil ndërkombëtar për garantimin e rregullimit të procedurave dhe operimeve në fushën e transportit ajror, në përputhje me standartet ndërkombëtare të aviacionit civil. Ajo do të plotësojë kuadrin ligjor dhe, së bashku me direktivat prioritare të BE në fushën e transportit ajoror, do të mundësojë unifikimin e rregullave bazë në transportin e pasagjerëve dhe mallrave.

Miratimi i kësaj Konvente do t'i shërbejë njëkohësisht politikës së shtetit shqiptar për lehtësimin e lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave.

****

U miratua projektligji "për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën e Kombëve të Bashkuara "Për kushtet e regjistrimit të anijeve" (Gjenevë, 7 shkurt 1986)".

Kjo Konventë konsiderohet një ndër instrumentat më të rëndësishëm të përcaktuara nga Organizata Ndërkombëtare Detare (IMO), në projektin e saj, paraqitur për Shqipërinë në kuadrin e krijimit të Administratës Detare.

Qëllimi i saj është unifikimi i rregullave dhe proçedurave për regjistrimin e anijeve, në bazë të lidhjeve natyrale ndërmjet shteteve dhe anijeve që përmbajnë flamurin e tyre, me synim zhvillimin e transportit detar botëror.

Miratimi i kësaj Konvente do të bënte të identifikueshëm çdo pronar dhe anije nëpërmjet krijimit të regjistrit përkatës. Ajo përmban 22 nene ku parashikohen kushtet për regjistrimin e anijeve, detarëve si dhe krijimit të Administratës Detare, si dhe rregullat për regjistrimin e anijeve dhe detarëve.

****

U miratua projektligji "Për ratifikimin e Konventës së Stokholmit "Për ndotësit organikë të qëndrueshëm".

Kjo Konventë përbën një instrument ligjor të inicuar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Mjedisin, i cili synon të reduktojë/ndalojë, disa prej ndotësve organikë të qëndrueshëm duke u fokusuar fillimisht në 12 prej tyre: aldrina, klordani, dieldrin, DDT, endrina, heptaklori, hekzaklorbenzeni, mireksi, toksafeni, PCB, dioksinat dhe furanet. Në bazë të Konventës, këta ndotës nuk duhet të prodhohen më dhe duhet të dalin nga përdorimi për shkak të ndotjeve të rrezikshme që i shkaktojnë ajrit.

Në një vështrim të përgjithshëm, duket sikur gjendja e këtyre ndotësve në vendin tonë nuk paraqitet kritike, sepse për mjaft vite nuk janë prodhuar dhe përdorur të tillë kimikate në industri dhe bujqësi. Ndërkohë, problem përbëjnë ndotësit (furanet dhe dioksinat) e çliruara nga djegia e mbetjeve të ngurta, sidomos në rastet kur mbetjet urbane janë të bashkuara me ato të rrezikshme. Gjithashtu, problem përbëjnë edhe ndotësit që çlirohen nga lëndët djegëse të automjeteve, të industrisë së lëkurëve, nga industria e rafinerisë së hidrokarbureve, të cilat janë objekt i kësaj Konvente.

****

U miratua vendimi "Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore të shërbimit gjeologjik shqiptar, të cilat i kalojnë në përgjegjsi administrimi ministrisë së Industrisë dhe të Energjetikës"

Me anë të këtij vendimi bëhet miratimi i listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore të Shërbimit Gjeologjik Shqiptar, të cilat i kalojnë në përgjegjsi administrimi Ministrisë së Industrisë dhe Energjitikës.

****

U miratua vendimi "Për kalimin në përgjegjsi administrimi të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të një depoje, në përdorim të Drejtorisë së Përgjithshme të rezervave shtetërore në Lundër"

Për nevoja të ngutshme të Komisionit të Zgjedhjeve dhe pas rënies dakort paraprakisht me Drejtorinë e Përgjithshme të Rezervave Shtetërore në MPVD, u miratua lista e inventarit dhe dokumentacionit shoqërues për kalimin në përgjegjsi administrimi të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të një depoje të Drejtorisë së Përgjithshme të Rezervave Shtetërore në Lundër.

Miratimi i projektit mbështetet në nenin 3, në pikën 2 të nenit 6, në pikën 3 të nenit 8 dhe në nenet 10, 13 e 14 të ligjit nr. 8743, dt.22.02.2001 "Për pronat e paluajtshme të shtetit" dhe në pikat 12,14, 23 e 24 të vendimit të Këshillit të Ministrave nr.500, dt. 14.08.2001 "Për inventarizimin e pronave të paluajtshme shtetërore dhe transferimin e pronave në njësitë e qeverisjes vendore.

****

U miratua vendimi "Për një ndryshim e shtesë në vendimin nr. 241, datë 18.5.2000, të Këshillit të Ministrave, "Për riorganizimin dhe funksionimin e Komisionit të çmimeve të barnave"

Në zbatim të Ligjit nr. 8961 datë 24.10.2002 është parashikuar përfshirja e shoqatës së grosistëve në përbërjen e Komisionit të çmimeve të barnave. Në këtë komision Ministria e Shëndetsisë përfaqsohet nga tre anëtarë, një nga të cilët është dhe kryetari.

Në zbatim të Ligjit nr. 9150 datë 30.10.2003 me krijimin e Urdhërit të Farmacistëve shikohet si domosdoshmëri zëvendësimi në përbërjen e Komisionit tëÇmimeve të Barnave i përfaqësimit të Urdhërit të Mjekut më atë të Urdhërit të Farmacistëve.

Ndryshimi bën më aktiv ISKSH në procesin e mbledhjes dhe përpunimit të informacionit për barnat që rimbursohen që në fazën paraprake, duke bërë të mundur mbylljen e ciklit deri në paraqitjen përfundimtare të çmimeve tek Komisioni i çmimeve të Barnave.

Pas lidhjes së kontratave me depot grosiste dhe me importuesit kryesor, ISKSH ka më shumë kontakte dhe lehtësira në thithjen e drejtëpërdrejtë të këtij informacioni.

Ministrisë së Shëndetësisë mbetet përgjegjëse për mbledhjen dhe përpunimin e informacionit për të gjitha barnat që hyjnë në Shqipëri.

****

U miratua vendimi " Për miratimin në parim të Protokollit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Popullore të Kinës , për dhënien e një ndihme falas, në formën e materialeve dhe të pajisjeve".

Ky protokoll mbahet në zbatim të marrëveshjes për Bashkëpunim Ekonomiko-Teknik ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Popullore të Kinës, nënshkruar më 19 janar 2004.

Në zbatim të këtij protokolli, parashikohet një ndihmë falas nga Qeveria Populllore e Kinës, e cila do të mundësojë importimin e materialeve, makinerive dhe pajisjeve që do të përdoren në përmirësimin e infrastrukturës në sektorin e ujësjellës kanalizimeve, veçanërisht në ato zona të prekura gjatë përmbytjeve të fundit. Gjithashtu në këtë ndihmë do të përfshihet edhe importimi i makinerive dhe pajisjeve të nevojshme për policinë e ndërtimit.

****

U miratua vendimi "Për miratimin në parim të Marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, për mbrojtjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Liqenit të Ohrit dhe të pellgut të tij ujëmbledhës"

Me qëllim që zhvillimet ekonomike dhe sociale në të dy anët e liqenit të synojnë mbrojtjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm të pasurive natyrore, është hartuar Projekt-Marrëveshja midis Qeverisë Shqiptare dhe asaj Maqedonase për Mbrojtjen dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm të Liqenit të Ohrit dhe Pellgut të tij Ujëmbledhës. Hartimi i saj bëhet në kuadrin e zbatimit të detyrimeve që ka vendi ynë nga të qënit palë në disa konventa ndërkombëtare për mbrojtjen e mjedisit, si dhe të kërkesës së komunitetit të donatorëve për të vazhduar financimet në rajonin e liqenit të Ohrit.

Marrëveshja ka për qëllim të ligjërojë angazhimin e të dy vendeve, Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë, për mbrojtjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Liqenit të Ohrit dhe pellgut të tij ujëmbledhës.

Rëndësi parësore në Marrëveshje ka krijimi i Komitetit Ujëmbledhës të Liqenit të Ohrit dhe Sekretariatit të tij, si organe të përhershme, me qëllim që të lehtësohet krijimi dhe funksionimi i një regjimi ndërkufitar për ruajtjen dhe mbrojtjen e mjedisit në pellgun ujëmbledhës.

****

U miratua vendimi "Për miratimin në parim të Memorandumit të Mirëkuptimit në fushën e mbrojtjes së Mjedisit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kroacisë".

Memorandumi i Mirëkuptimit midis Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Kroacisë në fushën e Mbrojtjes së Mjedisit është një dokument kuadër që do t'i shërbejë të dy vendeve për vendosjen e marrëdhënieve institucionale në fushën e mjedisit, si dhe do të nxisë shkëmbimet e përvojës në këtë fushë.

Bashkëpunimi me Kroacinë, në bazë të këtij memorandumi, do të jetë akoma më i vlefshëm në konceptimin e projekteve të përbashkëta në zbatim të konventave të shumta mjedisore, në të cilat jemi palë dhe do të lehtësonte praktikat e financimit të tyre.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›