E Diel, 1 Nëntor 2026

Në mbledhjen e sotme Këshilli i Ministrave miratoi edhe disa projektligje dhe vendime të rëndësishme. Këshilli i Ministrave miratoi projektligjin: "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligji

Në mbledhjen e sotme Këshilli i Ministrave miratoi edhe disa projektligje dhe vendime të rëndësishme.

Këshilli i Ministrave miratoi projektligjin: "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8096, "Për kinematografinë".

Gjatë zbatimit në praktikë të ligjit ekzistues kanë dalë probleme dhe janë krijuar disa zbrazëti. Nisur nga përpjekjet për një përmirësim në vazhdim të legjislacionit për kinematografinë Këshilli i Ministrave bën disa shtesa dhe ndryshime. Ato synojnë përmirësimin, përshtatjen dhe përsosjen e veprimtarisë të Qendrës Kombëtare Kinematografike me ndyshimet sociale dhe ekonomike që kanë ndodhur që nga viti 1996 e deri sot.

Ndryshimet dhe shtesat synojnë gjithashtu përpjekjet për evidentimin e vlerave më të mira kulturore. Në ndryshimet që bën projektligji për kinematografinë ndryshon përkufizimi i autorit në përputhje me përkufizimin që përcaktohet në ligjin "Për të drejtën e autorit". Përjashtimi i personit juridik publik nga prodhuesi dhe distributori bëhet për efekt të realizimit të veprimtarisë së QKK. Veprimtaria e QKK përcaktohet veç të tjerash edhe nëpërmjet statutit dhe rregullores së funksionimit. Në kuadrin e funksionimit mbi baza ligjore të QKK shihet i nevojëshëm përpilimi i drafteve ligjore, vendimeve, urdhëresave në lidhje me masat teknike, ligjore dhe financiare. Në lidhje me miratimin e projekteve filmike, duke qënë se krijimtaria artistike dhe vetë teknologjia specifike e realizimit të veprës është krejtësisht e veçantë dhe nuk mund të identifikohet me prokurimet publike. Sipas projektligjit, kompetencën për miratim ose jo të Këshillit Miratues të Projekteve, kryetarit i lihet e drejta e vetos pezulluese.

U miratua projektligji "Për shtesë në ligjin nr. 8378, dt. 22.7.1998, "Kodi rrugor i Republikës së Shqipërisë". Shtesa që bëhet ka këtë përmbajtje: Kursi i ndihmës së shpejtë mjekësore, në rast aksidenti, kryhet nga Kryqi i Kuq Shqiptar. Në rregulloren e zbatimit të Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë përcaktohet se përgatitja e drejtuesve të automjeteve bëhet vetëm në autoshkolla nga instruktorët e teorisë dhe të praktikës duke përfshirë këtu edhe kursin e ndihmës së shpejtë në rast aksidenti. Kjo gjë është përcaktuar në rregullore, ndërsa në ligjin ekzisues është thënë në mënyrë të përgjithshme. Kryqi i Kuq Shqiptar, merr përsipër që kursi i ndihmës së shpejtë në rast aksidenti të zhvillohet nga instruktorët e tij, të cilët janë të çertifikuar nga organizmat kompetente ndërkombëtare. Kjo do të sjellë rritjen e sensebilitetit ndaj numrit të fataliteteve nga aksidentet, i cili sot është në nivel relativisht të lartë. Rritja e nivelit të mësimdhënies do të sjellë përmirësimin e kursit. Kryqi i Kuq afron kushte më të mira didaktike, pasi ai disponon ambjente të specializuara mësimdhënieje dhe praktikë të ndihmës së shpejtë me një shtrirje në të gjithë vendin. Një aktivitet i tillë do të rrisë të ardhurat shtesë për Kryqin e Kuq dhe do të kontribuonte në rritjen e popullaritetit të tij. Tarifat do të përcaktohen nga ministritw pwrkatwse.

Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave u miratuan këto vendime:

U miratua vendimi "Për një ndryshim në vendimin nr.648, datë 11.9.2003, të Këshillit të Ministrave, "Për miratimin e projektit të modernizimit të linjës hekurudhore Tiranë-Durrës dhe të lidhjes hekurudhore me aeroportin e Rinasit, miratimin e studimit të fizibilitetit, si dhe miratimin, në parim, të Marrëveshjes së Kontratës për këtë projekt".

Me anë të këtij vendimi caktohet si menaxher financiar, për finacimin e projektit të modernizimit të linjës hekurudhore Tiranë-Durrës dhe të lidhjes hekurudhore e aeroportin e Rinasit ABN AMRO BANK. Si menaxher financiar ABN AMRO BANK është i nevojshem për krijimin e kushteve të nevojshme për ecurinë e shpejtë të proçedurave të kërkuara për negociimin dhe nënshkrimin e Marrëveshjes së Kredisë për projektin. ABN AMRO BANK është një institucion financiar i njohur ndrkombëtarisht dhe ka një rrjet të gjërë me degë në rreth 70 vende të botës.

Gjithashtu ndryshimi i propozuar përcakton edhe agjensitë të cilat do të bëjnë garantimin e Marrëveshjes së Kredisë që do të nënshkruhet. Këto janë përkatësisht SACE, US EXIM BANK dhe ECIO.

U miratua vendimi "Për financimin dhe kryerjen e studimit për vlerësimin e pasojave të ndikimit mjedisor, problemeve hidrodinamike dhe rehabilitimin e gjendjes në shtretërit e lumenjve".

Vendimi parashikon financimin e studimit që do të kryhet nga Instituti i Teknologjisë Nxjerrëse dhe Përpunuese të Mineraleve dhe nga Shërbimi Gjeologjik Shqiptar për vlerësimin e gjendjes së krijuar nga shfrytëzimi i zhavorreve në shtretërit e lumenjve dhe masat që do të merren për përmirësimin e saj.

Shtimi i volumit të ndërtimeve ka sjellë si pasojë shfrytëzimin pa kriter të zhavoreve në shtretërit e lumenjve. Dhënia e lejeve pa ndonjë kriter apo studim paraprak shkencor dhe shfrytëzimi jashtë përmasave të lejuara në leje, kanë shtuar dukshëm erozionin, janë rrezikuar rrugët dhe veprat e artit në afërsi të lumenjve, si dhe është rritur rreziku i përmbytjeve për shkak të ndryshimit të drejtimit të lëvizjes së rrymës së ujit.

Objektivat e këtij studimi do të jenë:

• Vlerësimi dhe masat që do të merren për gjendjen e krijuar nga shfrytëzimi i zhavorreve në shtretërit e lumenjve;
• Paraqitja e gjendjes teknike dhe rehabilitimi i veprave inxhinjerike si argjinatura, stacione pompimi, puse hidrologjike, vepra të kullimit, prita frenuese të ujrave etj;
• Paraqitja dhe rehabilitimi i rrugëve dhe i veprave të artit në arteriet infrastrukturore nacionale, rajonale dhe lokale;
• Paraqitja dhe rehabilitimi i fenomenit të errozionit përgjatë luginave të lumenjve;
• Parqitja dhe rehabilitimi i ujrave sipërfaqësore si rezultat i hedhjes dhe shkarkimeve të mbeturinave urbane përgjatë sipërfaqeve dhe luginave të lumenjve etj.

U miratua vendimi "Për rishpërndarje fondesh të kushtëzuara në buxhetin e miratuar, për vitin 2003".

Vendimi propozon rialokim fondesh të kushtëzuara për të plotësuar nevojat e disa institucioneve duke u mbështetur në fondet e mbetura të papërdorura nga disa institucione të tjera për fondet e kushtëzuara. Rialokimet e fondeve buxhetore janë një kompetencë e Këshillit të Ministrave.

U miratua vendimi "Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, që i kalojnë në përgjegjësi administrimi Bankës së Shqipërisë".

Vendimi paraqet listën e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, për të cilat ngarkohet me përgjegjësinë e administrimit Banka e Shqipërisë.

Gjithashtu, ky vendim parashikon që proçesi i miratimit të listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore të kalojë në tre faza: miratimi i listës së inventarit, miratimi i listës paraprake të pronave që do t'u transferohen njësive të qeverisjes vendore dhe miratimi përfundimtar i listës së pronave që mbeten në përgjegjësi administrative të institucioneve qendrore dhe atyre që transferohen në njësitë e qeverisjes vendore. Kjo proçedurë ka si qëllim kryesor realizimin e një transparence sa më të plotë në identifikimin e pronave shtetërore dhe në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve që mund të lindin midis palëve.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›